Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë para gazetarëve senë mëngjesin e të enjtes (12 nëntor) ka pasur takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit, dhe ka thënë që konflikti në Nagorno-Karabak ka treguar shembull se si është një konflikt i ngrirë dhe që kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë një katastrofë të vërtetë.
Grupi i Kuintit përbëhet nga: Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara
Ai theksoi që Beogradi duhet të punojë për arritjen e zgjidhjes përmes kompromisit me Kosovën. Siç ka porositur ai, Serbia edhe më tej duhet të forcohet ekonomikisht dhe ushtarakisht që të mund të ruajë vendin e saj në çdo moment nga agresorët potencialë.
“Por, porosia më e rëndësishme është porosia e paqes, dialogut dhe dëshirës që të vazhdojmë bisedimet me Prishtinën dhe ta kuptojmë që zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut. Është më mirë që ta arrijmë më herët sesa vonë. Në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”, ka theksuar Vuçiç.
Presidenti i Serbisë ka thënë që ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, ka deklaruar që Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Pavarësisht se si do të përfundojë kjo telenovelë që po e shikojmë”, theksoi Vuçiç.
Presidenti Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator në Uashington, në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, kanë nënshkruar Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Si rezultat i asaj marrëveshjeje, zyra e Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) u hap në Beograd.
Thirrje për shumë pjesëtarë të pakicave në administratën shtetërore
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka dërguar Qeverisë së Serbisë një “kërkesë apo lutje” që të ketë më shumë pjesëtarë të pakicave kombëtare në administratën shtetërore.
“Të mos jenë vetëm partnerët tradicionalë, partia e Ishtvan Pastorit, por edhe pjesëtarët e tjerë të pakicave kombëtare – romët, kroatët, boshnjakët. Ka mjaft përfaqësues të shqiptarëve, me të cilët mund të bisedojmë dhe do t’i lutesha ministres (Gordnana) Qomiq (ministre për të Drejtat e Njeriut, të Pakicave dhe Dialogut shoqëror) që të ndikojë në përmirësim edhe më të fuqishëm të pozitës së pjesëtarëve të pakicave kombëtare”, ka deklaruar mes tjerash ai./REL