Home Gjeo-Ekonomia EKONOMIA SHQIPTARE DREJT VITIT 2021

EKONOMIA SHQIPTARE DREJT VITIT 2021

Nga Dr. Enriko Ceko

Prej vitesh bashkëpunoj me Revistën Elektronike “Përqasje” për publikimin e shkrimit tim të preferuar për atë se si do ecë ekonomia shqiptare për vitin që vjen. Jemi në prag të vitit 2021 dhe duket se ekonomia do jetë kryefjala e jetës snë të përditëshme. Viti 2020 po mbyllet me një gjendje ekonomike jo të mirë dhe kjo jo thjesht për shkak të tërmeteve të vitit 2019 që vazhduan edhe gjatë vitit 2020 dhe jo thjesht dhe vetëm për shkak të pandemisë së COVID – 19, por për shumë arsye dhe shkaqe të lidhur ngushtë me atë se si e konceptojmë ne njëri tjetrin, të ardhmen e vendit dhe ekonominë tonë individuale, familjaredhe atë kombëtare.

Një nga problemet me të cilat jemi përballur pothuajse të tërë këto 30 vitet e tranziconit të tejzgjatur është korrupsioni në sektorin publik, që mesa duket i ka rrënjët në filozofinë e qeverisjes se pa pak korrupsion nuk ka ecuri të sektorëve të ekonomisë. Kjo thënie paradoksale e mirëpranuar në rrethet e larta manaxheriale politike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e më gjerë, justifikon pothuajse çdo veprim korruptiv në administratën publike, sikur të ishte diça e ligjëshme dhe mirëpranuar nga e tërë shoqëria.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sektorin privat. Nuk janë të pakta rastet e përfundimit në gjykatë të mjaft çështjeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis vetë subjekteve private, midis subjekteve private dhe qytetarëve dhe midis subjekteve private dhe administratës publike, që kanë në piketë veprimet korruptive të biznesit. Mesa duket në rastin e Shqipërisë për këtë çështje vlen thënia “njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën”. Gjendja përkeqësohet edhe më shumë në mungesë të veprimtarisë së sistemit të drejtësisë, pasi në vend gjykatat nuk funksionojnë.

Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit pothuaje e tërë veprimtaria e koncesioneve, partneriteteti publik e privat dhe prokurimeve publike në vend është e paragjykuar për veprime korruptive, shtuar këtu se koncesionet e inceneratorëve dhe ato të sistemit të shëndetësisë, partneritetet publike private për disa vepra të rëndësishme të infrastrukturës si dhe një numër prokurimesh publike kanë qenë piketa të investigimeve të gazetarëve, investigime që kanë treguar në rastin më të keq mungesën e transparencës së punonjësve të adminitratës publike dhe në rastin më të mirë ekzistencën e korrupsionit në nivele të ndryshme të administratës publike, shpesh edhe përfshirjen e niveleve të larta të kësaj administrate.

Është e dukshme se lidhja kryesore e këtyre denoncimeve për korrupsion jaë të lidhura ngushtë me shpërdorimet në buxhetin e shtetit dhe specifikisht të parave të taksapaguesve.

Meqë ka shpërdorime edhe nivelet e borxhit publik dhe deficitit buxhetor janë të larta. Konkretisht, borxhi publik prej kohësh i ka kaluar shifrat 80% të GDP dhe deficit buxhetor kurrë nuk ka kaluar në nivelin më pak se 3%, edhe pse për të dy këta parametra deklarimet e drejtuesve politikë kanë qenë të shumta për reduktimi e tyre dhe mbajtjen nën kontroll.

Për këta dy parametra qevera shqiptare ka marrë angazhim në Traktatin e Mastrihtit që të jenë nën 60% dhe nën 3%, pr pothuajse asnjë herë në këtë periudhë 30 vjeçare këto objektiva makroekonomike nuk janë arritur.

Duhet shtuar se qeveria shqiptare aktuale ka dalë në tregjet ndërkombtare rregullisgt vitet e fundit për të marrë hua, pa ndonjë arsye të fuqishme.

Edhe pse ka patur pretendime për një manaxhim më të mirë të financave publike, përsëri në buxhetin e shtetit të Shqipërisë niveli i financimit për shëndetsinë, edukimin, bujqësinë dhe mbrojtjen kanë qenë në nivele mjaft të ulëta, kjo krahasuar edhe me sugjerimet e institucioneve financiare ndërkombtare dhe krahasuar edhe me vendet e tjera në rajon dhe më gjerë. Të dhënat e fundit tregojnë se pritet që në buxhetin e vitit 2021 të ketë më shumë shpenzime për sektorin e shëndetsisë, parë jo edhe në këndvështrimin e gjendjes së shkaktuar për shkak të pandemisë së COVID – 19, që tregoi se sa pak mundësi pati sektori i shëndetsisë që të përballej me gjendjen e krijuar nga pandemia me ato pak financime që i ishin dedikuar këtij sektori për vitin 2020 dhe më parë.

Në sektorin e edukimit mendimi se ligji i arsimit të lartë është i mirë dhe i përshtatshëm u përball me mendimin e kundërt dhe në aspektin praktik, në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020 pati edhe disa revolta të studentëve, që treguan më së miri gjendjen në këtë sector.

Sektori i bujqësisë duket se është i vetmi që i mbijetoi më mirë gjendjes së krijuar dhe kjo për shkak se ekonomia bujqësore shqiptare nuk është e lidhur ngushtë me sektorët e tjerëtë ekonomisë dhe nuk ka marrëdhënie kontraktuale me sektorët e tjerë dhe me partnerë jashtë vendit. Por kjo në fakt është një mangësi shumë e madhe që nuk lejon ecjen përpara.

Edhe gjatë vitit 2020 u vu re se në disa raste fermerët i abandonuan produktet e tyre, duke i hedhur, pai çmimet e shitjes së tyre me shumicë ishin mjaft të ulëta dhe nuk e justifikonin shërbimin e bërë për këto produkte. Edhe mungsa e shirave kur duheshin dhe rënia e breshërit në momentet e vjeljes së prodhimit dëmtuan shumë fermerët e vegjël që ende nuk e dinë mirë rëndësinë e siguracioneve. Për bujqësinë dhe ushqimin kërkohet qasje progresive dhe gjithëpërfshrje e të tërë palëve të interesuara dhe jo vetëm disa projekte që kthehen në vende për qoka e prerje shiritash.

Sektori i shërbimeve është një ndër sektorët më të prekur përgjatë vitit 2020, kryesisht me turizmin që nuk pati fitimet e pritura për shkak të mbylljes së kufijve. Turizmi vendas nuk arriti që të kompensonte ato që ishin planifikuar si fitime të pritshme nga turistët e huaj. Megjithatë, e rëndësishme është që ky sektor nuk u mbyll tërësisht, edhe pse humbjet ishin shumë të mëdha dhe punësimi sezonal, që ndihmonte mijëra familje në sezonin e verës nuk arriti që të bënte të mundur punësimin e të rinjve, që janë edhe forca kryesore e punës në këtë sektor. Një mbështetje e fuqishme për turizmin dhe aplikimi për Safe Travel Stamp do i jepte një shysë shumë të madhe këtij sektori, të cilën vendet përreth e kanë marrë (Mali i Zi) dhe po aplikojnë që t’a marrin (Bosnje & Herzegovina, etj).

Në lidhje me sektorin e energjetikës është ende shpejt të themi se çdo gjë është mirë dhe nën kontroll, edhe pse më shumë investime janë bërë në këtë sektor. Diversifikimi i burimeve energjetike dhe përmirësimi i lidhjes së rrjetit kombëtar me atë ndërkombëar, së bashku me përfshirjen e prodhuesve shqiptarë të energjisë elektrine në bursën e energjisë mbeten apekte që kërkojnë edhe më shumë vëmendje dhe edhe më shumë përkushtim.

Problematike mbetet kultura ekonomike dhe financiare e qytetarëve. Nëse jashtë shtetit kryetari i familjes sjell pothuajse çdo mbrëmje një gazetë me lajme ekonomike në shtëpi, gazetë që e lexojnë edhe fëmijët, që kur shkojnë në shkollë i kanë të ngulitura disa nga pikëpamjet kryesore ekonomike, në Shqipëri as që mund të bëhet fjalë për këtë gjë, kështu që parimet e ekonomisë dhe të financës merren në shkollë, vetëm kur nxënësit arrijnë në klasën e tretë të shkollës së mesme dhe kjo vetëm për brezat e tanishëm, sepse më parë themelet e ekonomisë i merrnin vetëm ata që kryenin studimet në ekonomi e fusha që lidheshin ngushtë me të, por jo të tjerët. Kjo bën që edhe mendimi dhe debate për ekonominë të mos jenë të pranishëm në bisedat e përditëshme të qytetarëve dhe kjo bën që aspektet ekonomike të mos jenë fokus i debateve të përballjeve ekonomike në rastin e fushatave elektorale, ose edhe nëse ka debat të tillë ai të jetë me një cilësi shumë të ulët. Mbetet si objektiv madhor shtimi i nivelit të përgjithshëm të qyyetarëve kultura ekonomike.

Problematike për vitin 2020 u shfaqën apektet mjedisore. Në disa zona të vendit ka patur edhe protesta për manaxhimin e mbetjeve dhe ndërtimin e inceneratorëve, që kanë vënë në vështirësi edhe pushtetin vendor, mbi të cilin bie e tërë barra e kësaj situate, që nuk është aspak e thjeshtë.
Edhe pse me përmirësime bilanci eksport – import përsëri paraqitet me problem. Përveç faktit se importet jnë pothuajse 4 herë më shumë se eksportet, struktur e tyre është jo e përshtatshme. Ne importojmë pothuajse çdo gjë, ndërsa eksportojmë vetëm disa mallra dhe shërbime.

Gabimisht, si në aspektin e veprimtarisë eksport – import, ashtu dhe në aspektin e të hyrave në buxhetin e shtetit, e tërë veprimtaria e industrisë fason llogaritet si eksport dhe në buxhetin e shtetit nga kjo veprimtari nuk hyn pothuajse asgjë. I vetmi përfitim real është punësimi, ndërsa efektet negative janë të shumta, përfhirë edhe ndotjen e mjedisit nga veprimaritë e këtyre industrive, që në Bashkimin Evropian, ose janë të ndaluara, ose detyrohen të paguajnë taksa të larta për dëmin që shkaktojnë.

Në aspektin e shifrave dhe informacioneve për ekonominë prej kohësh secialistët e ekonomisë kanë shprehur shqetësimin se shifrat nuk janë reale dhe nuk janë të plota. Kjo bën që edhe studimet tona të mos jenë të sakta dhe për këtë shkak këto studime nuk mund të shërbejnë për të marrë vendime dhe për të dhënë këshilla për qeverinë.

Viti 2020 do të mbetet në historinë e Shqipërisë si një vit në të cili patëm pasoja shumë të rënda për shkak të tërmteve të vitit 2019, që kulmuan me atë të datës 26 nëntor 2020 dhe pasoja të rënda për shkak të pandemisë së COVID – 19. Duket se mbështetja qeveritare për të dy rastet ka qenë në fokusin e mediave dhe qytetarëve, që mendojnë se ndihma, mbështetja dhe angazhimi i pushtetit qendror dhe atij vendor kanë qenë të pamjaftueshme.

Në 25 prill të vitit 2021 janë parashikuar zgjedhjet për Kuvendin Popullor. Sipas të dhënave paprake këto zgjedhje do kushtojnë rreth 34 – 25 milionë euro. Është një kosto shumë e madhe për ekonominë shqiptare dhe për popullin shqiptar që të përballojnë këto zgjedhje, për të cilat mendimi i përgjithshëm është se do jenë të manipuluara. Është detyrë e qeverisë aktuale që të bëjë përpjekjet mamsimale për sa më shumë transparencë për këto zgjedhje si në aspektin e përdorimit të parave ashtu dhe përgjatë procesit zgjedhor.

Dhe në fund të këtij shkrimi disa fjalë për diplomacinë ekonomike, si një veprimtari me anë të së cilës ndihmohet që vëmendja e të huajve të drejtohet nga ekonomia e vendit që bën diplomacinë ekonomike. Tashmë është i ditur fakti se lidhjet ndërkombëtare dhe cilësia e punonjësve të shërbimit diplomatik dhe konsullor ndikojnë shumë në thithjen e investimeve të huaja dhe në zgjerimin e bërjes së biznesit me vendet partnere, kryesisht për partneritete të reja. Mesa duket Shqipëria e ka vuajtur për një kohë shumë të gjatë këtë çështje dhe po e vuan ende, pasi vetëm rreth 20% e trupës diplomatike është e fushës dhe pjesa tjetër i përket politikës apo veprimtarive të tjera, në një kohë që vendet e tjera si të thuash “e kanë marrë kalanë nga brenda” dhe kjo duket edhe në nivelin e investimeve të huaja në këto vende edhe në numrin e biznesve të huaja që operojnë në këto vende.

Duket se viti 2021 do jetë i vështirë, por mund të jetë dhe viti i shfrytëzimit të asaj që në terminologjinë ekonomike quhet “momentum”. Dhe duke thënë këtë, duhet shtuar se gjithshka varet se kush e drejton ekonominë.

Share: