Home Gjeo-Ekonomia Gjeopolitika e luftës kundër koronavirusit

Gjeopolitika e luftës kundër koronavirusit

Nga Mark Episkopos, National Interest

Kërkimet shkencore mbi një vaksinë kundër koronavirusit, po hyjnë në fazën e fundit. Por gara për të korrur përfitimet e saj gjeopolitike sapo ka filluar. Në gushtin e këtij viti, Instituti Rus i Kërkimit, Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleya, regjistroi atë që ishte atëherë kandidatja e parë ndër vaksinat kundër koronavirusit:Gam-COVID-Vac, e njohur më mirë me emrin  tregtar “Sputnik V”.

”Në dijeninë time, unë e di që ajo është mjaft efektive, formon një imunitet të qëndrueshëm dhe e përsëris, iu nënshtrua të gjitha provave të kërkuara”- deklaroi presidenti rus Vladimir Putin. Por njoftimi i Kremlinit u prit negativisht nga vëzhguesit perëndimorë.

“Kjo gjë është përtej budallallëkut”- i tha “New York Times” një virolog nga Kolegji Mjekësor Weill Cornell në Nju Jork. “Putini nuk ka asnjë vaksinë, ai po bën thjesht një deklaratë politike”- shtroi ai. Edhe ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se ai ishte skeptik në lidhje me “atë që po ndodh në Rusi”, duke theksuar se shpërndarja e një vaksine pa tregues të efektivitetit, do të bënte më shumë dëm sesa dobi.

Si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë angazhuar burime financiare të

mëdha tek projektet e tyre përkatëse të vaksinimit, të sponsorizuara nga qeveritë. Ndërkohë, partnerët rusë, duke përfshirë Kinën dhe Indinë, e përgëzuan Moskën që regjistroi e para një vaksinë anti-Covid.

Tani deri në 50 vende të botës, kanë shprehur interesin  tyre për të blerë “Sputnik V”.“Shqetësimet mbi vaksinën ruse janë të pabazuara, dhe burojnë nga konkurrenca midis Rusinë dhe Shteteve të Bashkuara, dhe jo tek të dhëna shkencore” tha për gazetën izraelite “Haaretz” drejtorin i Qendrës Mjekësore Hadassah, Zeev Rothstein.

Moska dhe Tel Avivi, po negociojnë shpërndarjen e mundshme masive të vaksinës ruse në Izrael, me Qendrën Hadassah që porositi muajin e kaluar 1.5 milionë doza të “Sputnik V”.Edhe Kina pretendon se do të ketë një vaksinë efektive kundër Covid-19, për t’ia shitur pjesës tjetër të botës.

Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë miratuar tashmë përdorimin me urgjencë të vaksinës kineze tek punonjësit e spitaleve. Ndërkohë Indonezia, ka nisur të shpërndajë vaksinën ruse në gjithë popullatën. Gazeta shtetërore “Global Times”, i është bashkuar luftës propagandistike, duke e krahasuar “udhëheqjen e vërtetë” të Kinës në shpërndarjen globale të vaksinave me “egoizmin” dhe “nacionalizmin” e Perëndimit.

Edhe pse lojtarët kryesorë ndërkombëtarë, përpiqen t`a diskreditojnë direkt njëri-tjetrin, ata po ndërmarrin gjithashtu hapa për të dekurajuar aleatët e tyre nga importimi i vaksinave të kundërshtarëve.

Por pavarësisht se marrëdhëniet midis dy qeverive janë në pikën më të ulët historike, ministri ukrainas i Shëndetësisë, Maksym Stepanov, nuk e përjashtoi në mënyrë kategorike importimin e vaksinës ruse. Më13 tetor ai deklaroi:”Unë besoj se, nëse kjo gjë do të ndodhte, atëherë ne do të diskutonim blerjen çdo vaksinë, dhe jo vetëm asaj ruse”.

Edhe partitë opozitare pro-ruse dhe politikanët në Kiev, i kanë bërë thirrje qeverisë të lërë mënjanë konfliktet e saj të vazhdueshme territoriale me Kremlinin, në mënyrë që të importojë sa më shpejt vaksinën “Sputnik V”, që po prodhohet bashkarisht në Bjellorusinë fqinje.

Po në tetor, Stepanov mori pjesë në një darkë të organizuar nga e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-së në Ukrainë, Kristina Kvien.

Ambasada amerikane në Kiev e komentoi kështu në rrjetet sociale atë darkë:”Kvien organizoi dje një darkë konstruktive me ministrin Stepanov, duke ndarë perspektivat për luftën ndaj Covid-19 dhe reformimin e sektorit shëndetësor. Ukraina nuk do ta blejë vaksinën ruse anti-Covid, e cila nuk i ka kaluar testet klinike për sigurinë!”.

Gjatë javës që pasoi, ministria ukrainase e Shëndetësisë, lëshoi ​​një deklaratë ku hiqte zyrtarisht dorë nga çdo qëllim për të negociuar një marrëveshje të mundshme të importit të “Sputnik V”. Një skenar paralel po zhvillohet në Bashkimin Evropian.

Muajin e kaluar, Hungaria u bë anëtarja e parë e BE-së që njoftoi një analizë të kufizuar të vaksinës “Sputnik V”. Budapesti u kritikua ashpër nga Brukseli. “Në këtë çështjen ndeshen procesi i autorizimit dhe besimi tek vaksina. Nëse qytetarët tanë fillojnë të vënë në dyshim sigurinë e një vaksine, sidomos nëse ajo nuk kalon një vlerësim rigoroz shkencor për të provuar sigurinë dhe efikasitetin e saj, do të jetë shumë më e vështirë të vaksinohet një pjesë e mjaftueshme e popullsisë”-tha komisioni në reagimin e tij zyrtar.

Komisioni Evropian bëri 2 kërkesa shtesë në fillim të kësaj jave:vaksina ruse nuk duhet të largohet nga kufijtë e Hungarisë, dhe Budapesti do të mbahet përgjegjës për çdo pasojë negative që vjen nga provat që ka kryer me vaksinën ruse.

Vendimi i Budapestit për të importuar në mënyrë të njëanshme vaksinat e Rusisë, kërcënon kohezionin e strategjisë së vaksinimit të bllokut të BE-së, që synon të shpërndajë miliona vaksina të prodhuara nga BE midis të gjitha vendeve anëtare.

Komisioni është veçanërisht i shqetësuar se sjellja e Hungarisë, mund të krijojë një precedent për vendet e tjera anëtare -sidomos Greqinë – ku vaksinat jo të miratuara nga BE gëzojnë një mbështetje të madhe nga publiku.

Ndërsa shkalla globale e pandemisë së koronavirusit u bë e qartë në fillim të vitit 2020, disa premtuan një lloj “pranvere” për multilateralizmin; një epokë të ardhshme të bashkëpunimit ndërkombëtar, për të luftuar një rrezik të pashembullt ndaj shëndetit publik.

Por në vend të kësaj, pandemia nxiti një valë të re të konkurrencës mes fuqive të mëdha. Tani, prodhimi dhe shpërndarja e vaksinave të koronavirusit, janë gati të bëhen viktimat e fundit të kësaj gjeopolitike të pamëshirshme. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Share: