Nga Kastriot Çipi
Mbrëmja e 8 dhjetorit 1990 shënonte 10 vjetorin e vrasjes së John Lennon. Atë mbrëmje, në një nga sallat e katit të parë të ILA (Instituti i Lartë i Arteve, sot Universiteti i Arteve) zhvillohej një veprimtari e çuditshme. Një lloj përshpirtjeje publike, një përkujtimore për këngëtarin e madh. Ishte shumë e çuditshme se si ishte dhënë leja për këtë veprimtari. Para më pak se një viti, unë isha rrëzuar në provimin e regjisë, në semestrin e parë të vitit të parë, sepse kisha bërë “herezinë”, që kisha përdorur si kolonë zanore të etydit tim 5 minutësh këngën “Sound of Silence” nga Simon & Garfunkel. Ishte koha kur muzika perëndimore konsiderohej “shfaqje e huaj”, e papranueshme për “moralin tonë socialist”.
Në sallën ku do të zhvillohej veprimtaria hyej përmes një korridori që niste nga holli i madh, që ishte mbushur plot me studentë, por për habinë dhe zhgënjimin e ne të tjerëve, u bë e ditur se do të lejoheshin të hynin vetëm studentët e arteve figurative. Tek dera rrinte si portier, studenti i vitit të dytë, dega pikturë, Blendi Gonxhja, kanakari i pedagogut Edvin Rama. Sado u revoltuam e shamë, u detyruam të shpërndahemi e të ikim secili në punën e vet.
Kishte kaluar ora 10 e natës, kur mbërrita para hyrjes së ish-këndit të lojrave të rrugës së Elbasanit, në shoqërinë e studentit të vitit të parë, dega dramë, N. Gj. Aty do të ndaheshim. Unë do të shkoja drejt Brrylit, ndërsa N. Gj., do të shkonte në konvikt, në Qytetin Studenti. Ishim ende duke biseduar, kur dëgjuam jehona thirrjesh të forta a britmash. “Demonstratë!” – tha N. Gj. Atëherë ne nuk e përdornim termin protestë. Mediat zyrtare na kishin mësuar termin “demonstratë”, që ishte një gjë që ndodhte vetëm në vendet kapitaliste dhe revizioniste. Tek ne, në socializëm, kishte vetëm manifestime. Mbajtëm vesh një çast. Thirrjet vinin valë-valë, sikur t’i sillte era. “Duhet të jenë ushtarët e liruar”, – i thashë unë.
Dhjetori ishte një nga dy muajt e vitit, gjatë të cilit liroheshin nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, ata që kishin kryer shërbimin dy apo tre vjeçar. Ata silleshin me kamionë ZIS, të prodhimit kinez, të Ushtrisë. Me koka ende të qethura, por pa kapele, pa rripa mesi mbi xhaketat e zbërthyera, ata dukeshin më shumë si robër lufte, se sa si ushtarë. Por entusiazmi i kthimit në shtëpi, pas torturës dy-tre vjeçare i bënte të thërrisnin me sa kishin në kokë, sapo hynin brenda vijave të verdha të qytetit, e derisa zbrisnin nga makina, për të vazhduar rrugën në këmbë drejt shtëpisë. U ndava me N. Gj. dhe shkova në shtëpi, i bindur se ato që kishim dëgjuar ishin thirrje gëzimi të ushtarëve të liruar.
Të nesërmen në drekë, të dielën e 9 dhjetorit, po prisja autobusin e Unazës, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, kur pranë meje kaloi E. M., student i vitit të tretë, dega regji. Më erdhi të qesh kur e pashë. Ishte i llangosur me baltë, si Kostandini i legjendës. E pyeta nga vinte dhe pse ishte katandisur ashtu. Por E. M. u bë serioz. “Ti nuk e di vërtet çfarë ka ndodhur?”, – më tha. “Jo, – i thashë. – Nuk e di vërtet.” Dhe u bëra serioz edhe unë. “Atje u bë nami!”, – tha. “Ku more?”, – e nxita. “Në Qytetin Studenti. Demonstratë.” Tani habia ime ishte shumë më e madhe se ajo që më shkaktoi pamja e tij. E. M. më tregoi se edhe mbrëmjen e kaluar kishte pasur demonstratë. I tregova se unë dhe N. Gj. i kishim dëgjuar thirrjet, por…
I zbrita autobusit tek këndi i lojrave të rrugës së Elbasanit dhe u nisa në këmbë drejt Qytetit Studenti. Atje gjeta një atmosferë të çuditshme, të panjohur më parë. Njerëzit dukeshin shumë të qeshur. Përshëndesnin me përzemërsi edhe të panjohurit. Të gjithë flisnin për një demonstratë tjetër, po atë mbrëmje, në ora 19, në sheshin Skënderbej. Këtë herë nuk flitej për një “koncert”, si për demonstratën e heshtur të 31 janarit 1990. Njerëzit dukeshin sikur kishin vrarë frikën. Tregonin atë që kishin parë nga dritaret e konvikteve, ndonjë, si E. M. për atë që kishte parë nga afër, në rrugën ku ndodhej Instituti i Higjienës dhe Muzeu Lenin, sot rezidenca e Ambasadorit Italian, përballë Liceut Artistik. Flitej për përplasje me policinë dhe pothuajse të gjitha vajzat përmendnin emrin e Azem Hajdarit, si trim, që kishte qenë në krye të turmës. Vetëm nuk e di pse më dukej pak i tepruar pathosi në biseda dhe lëshova një batutë prej Pavël Korçagini: Është kohë revolucionesh, shokë. Është koha të harrojmë dashnoret.
Nuk kisha më ç’bëja në Qytetin Studenti. Takimin me F.A. dhe E. A., dy studente të vitit të dytë, të degës së dramës, e lashë në ora 6, te shatrivani. Hëngra drekë në shtëpi dhe dola. Studentet erdhën të shoqëruara nga dy studente të tjera konviktore. Aty na u bashkuan edhe studenti i vitit të parë, dega regji, A. B. dhe e dashura e tij, L. K., studente e vitit të dytë, dega dramë. Sa tymosëm cigaren e parë, A. B. dhe L. K. thanë se do të lëviznin pak dhe do të ktheheshin shpejt, duke nënkuptuar se kishin nevojë për pak intimitet, që mund ta gjenin vetëm prapa Pallatit të Kulturës, por nuk u kthyen më. Rreth orës 18:30 aty na gjeti R. B., student i vitit të tretë, dega regji. Na tha se nuk e kishte idenë se do të bëhej një demonstratë.
U duk shumë entuziast. Thirrëm një fotograf, nga ata që rrinin çdo ditë në shesh dhe në lulishten prapa monumentit të Skënderbeut dhe bëmë një foto, për ta pasur si kujtim. Ngrita dy gishtat në formë V-je dhe fotografi komentoi se i dukej mirë. R. B. na tha se duhej të çonte në shtëpi racionin e mishit, që kushedi se ku e kishte sajuar dhe do të kthehej me vrap. Por as ai nuk u kthye më.
Ora shkoi 19 por ende asgjë nuk po ndodhte. Policët në shesh ishin shtuar. Fuksat, siç i quanim atëherë oficerët e Sigurimit, që visheshin zakonisht me kostume gri, ishin gjithashtu të dukshëm. E dija, sepse i kisha parë rrugës, se prapa ndërtesave të ministrive kishte shumë kamionë me “sambistë” (forca speciale, të repartit me numrin e koduar 326, që i quanim kështu sepse ishin të trajnuar për artin luftarak të sambos), studentë të shkollës së policisë e ndoshta edhe gardistë.
Në shesh kishte mijëra vetë, por të shpërndarë në grupe. Veç grupit tonë, të vendosur tek shatrivani në qendër të sheshit, grupi më i madh ishte ai të mbushte shkallët e Pallatit të Kulturës. Rreth orës 19:10-19:15 dy grupe më të vogla, i pari pranë Xhamisë së Et’hem Beut dhe tjetri në anën tjetër të rrugës, përbri monumentit të Skënderbeut, nisën të lëvizin të ndrojtur drejt njëri-tjetrit, duke kënduar “Eja mblidhuni këtu, këtu”. Në ato çaste po vinte drejt nesh studenti i vitit të dytë, dega dramë, H. Ç. Unë shkova drejt tij, por nuk u ndala, duke i thënë “Filloi!”. E dija se pas meje nuk ishim më katër studentet me të cilat sapo kisha dalë në fotografi, por nuk ua vura re. Nuk ishte punë për vajza.
Përpara se ne të arrinim t’i bashkoheshim dy grupeve, që po shkriheshin në një, policët dhe fuksat u lëshuan mbi turmën, me shkopinj gome, grushta e shkelma, duke u përpjekur edhe të kapnin ata që kishin rënë më fort në sy dhe befas e pamë veten duke ecur kundër rrymës së një përroi njerëzish, që mori drejtimin kah shkallët e Pallatit të Kulturës, duke thirrur në kor “Nuk duam spektatorë!”. Në vend që t’i bashkoheshin turmës, ata të shkallëve bënë prapa, duke u strukur brenda kolonadës së Pallatit të Kulturës. E kuptova se demonstrata do të dështonte. Përveç organizimit, mungonte edhe kuraja e shumicës. I zgjata cigaret H. Ç. dhe i thashë të ecte i qetë, sikur nuk kishim lidhje me turmën. Një polic na kaloi para dhe na i nguli sytë mirë, por vendosi të vazhdojë më tej.
U ndalëm të tymosnim në sheshpushimin e shkallëve të Pallatit të Kulturës. Qendra e sheshit Skënderbej ishte bosh. Vetëm në perimetrin e tij kishte njerëz. Dy-tre minuta më pas, pati një përpjekje tjetër për organizim prapa monumentit të diktatorit, por edhe ajo vorbull e humbi shpejt fuqinë. Një student i muzikës na ftoi të shkonim andej dhe na habiti me batutën e tij “Hajdeni se ka gallatë”! Nuk ia varëm. Ai mori biçikletën dhe shkoi drejt monumentit të diktatorit.
Ishim disi të zhgënjyer e të mërzitur për dështimin e demonstratës. Diskutuam për ato që kishim dëgjuar për ngjarjet e së shtunës mbrëma dhe të dielës paradite në Qytetin Studenti. Po e kuptonim se ai ishte vendi i duhur për ta provuar prapë. Nuk prisnim pjesëmarrje nga familjarët, por vetëm nga të djemtë e rinj të Tiranës. Të nesërmen nuk duhej të bëhej mësim. Justifikimin e kishim shumë të fortë: delegacioni i studentëve konviktore, që kishte takuar mesnatën e së shtunës Ramiz Alinë, ishte rrahur para kthimit në Qytetin Studenti. Ne, studentët tiranas, duhet të ishim solidarë me ta.
(VIJON)