Një shqiptar ka mundur të kalojë në Itali edhe pse ishte infektuar me COVID-19. Mediat italiane shkruajnë se shqiptari N.S rreth 50-vjeç ka hyrë lehtësisht në Itali pa kryer asnjë kontroll, për t’u kuruar nga mjeku që shëroi ish-kryeministrin Silvio Berluskoni.
50-vjeçari shqiptar kishte rreth 10 ditë me simptomat e COVID-19. Ai kërkonte mjekun Alberto Zangrillo, profesori i famshëm që shëroi Berluskonin dhe që kaloi dhe vetë COVID-in.
Më 11 dhjetor shqiptari ka mbërritur në një spital në Milano. Përgjigja e testit të antigenit ishte “pozitiv”. Ndërsa të premten, në spitalin San Raffaele, 50-vjeçari filloi trajtimin mjekësor në repartin përkatës.
Ky rast ka bërë të ngrihet alarmi në Itali pasi shqiptari edhe pse i infektuar me COVID-19 fluturoi normalisht nga Shqipëria për në shtetin fqinj, pa paralajmërim të autoriteteve dhe pa tampon.
Autoritetet shëndetësore informuan policinë në Malpensa, e cila më pas informoi pasagjerët që udhëtuan me 50-vjeçarin e infektuar.
Të gjithë personat me të cilët ai kishte kontakt pasagjerët, kontrollorët në avion dhe shoferi i taksisë që kaloi një orë me të, janë karantinuar.
Gazeta italiane Libero Quotidiano shkruan për paaftësinë e autoriteteve italiane për të mbajtur larg një person të infektuar. “Ministrat nxjerrin dekrete, komitetet e ekspertëve kërkojnë masa edhe më të ashpra, vizitat te gjyshërit janë të ndaluara, lëvizja e mundshme nga një komunë në tjetrën për të vizituar anëtarët e familjes është e ndaluar, qeveria ka urdhëruar 70,000 ushtarë dhe policë të na mbajnë në shtëpitë tona gjatë pushimeve. Por nga ana tjetër ata i lënë të infektuarit të vijnë nga Ballkani, duke kaluar kufijtë dhe kontrollet si me shkop magjik” thekson Libero Quotidiano./ Opinon.al