Home Gjeo-Ekonomia LDK-ja dhe “Lufta surrogate” e Serbisë

LDK-ja dhe “Lufta surrogate” e Serbisë

Në Kosovë fundi i Luftës së Ftohtë po kthente orën politike tek epoka e Aaleksandar Rankoviqit. Gjithandej ishte mbjellë “frika kolektive”, do të thoshte Prishingu. Po hynim në fazën më të vështirë të historisë: atë të nënshtrimit kolektiv! Kësaj i kishte shërbyer gjithsesi, madje shumë, edhe LDK-ja!

Nga Dr Sadri RAMABAJA

Demonstratat e pranverës së 1981-it e bënë më të qartë faktin, se raportet mes Beogradit dhe Prishtinës, respektivisht shqiptarëve dhe serbëve, tashmë kishin hyrë në një fazë të re: paqen nga lufta për dy dekadat pasuese e ndante vetëm një fije floku, ndërkaq periudha pas 23 marsit 1989 de fakto ishte prolog i tejzgjatur i luftës. Madje, në komunikimin publik, në takimin e shkrimtarëve serbë dhe atyre shqiptarë në Beograd në vitin 1988, poeti Milan Komneniqi deklaroi: “Zotërinj, jemi në luftë! Kur e dimë këtë gjë, atëherë pse e fshehim? U shpall apo nuk u shpall lufta, kjo është vetëm punë forme”. [1]

Kjo gjendje as luftë e as paqe, megjithatë, do të vazhdojë për dy dekada, për aq kohë sa Serbia do ta realizojë de fakto projektin e saj të zgjerimit në Perëndim, me krijimin e Sërbska Republikës autoktone,. Por pritshmëritë e Beogradit do të tejkalohen, kur në Dejton do të përcaktohen kufijtë, që do të përfshijnë 49% të gjeografisë së Bosnjës, pavarësisht se në përbërjen e popullsisë së Republikës, serbët kishin vetëm 33% të popullsisë reale.

Por fjala “luftë” herë me ndajshtesën “kundër separatistëve e irredentës shqiptare”, e herë pa të, në dy dekadat e fundit të shek. XX do të shndërrohet në një metaforë të përdorimit ditor, siç ndodh në jetën reale, p.sh., në Amerikën Latine me shprehjen “Lufta kundër kartelave të drogës”, apo atë në Lindjen e Mesme me sintagmën “Lufta kundër terrorizmit”, ku monopoli i dhunës nuk zotërohet e as nuk ushtrohet vetëm nga shteti.

Rënia e maskave dhe pushteti kolonial

Pranvera e 1981-it do ta shtrëngojë Beogradin, që gradualisht të heqë dorë nga maskimi i pushtetit kolonial. Këtë do ta bënte edhe në rrafshin juridiko-politik më 23 mars 1989, kur do të heqë edhe formalisht atë “mbetje të autonomisë”, që Kosova gëzonte ende sipas kushtetutës së vitit 1974, ku ajo figuronte formalisht si njësi federale e RSFJ-së, paçka se njëkohësisht ishte edhe pjesë integrale e Serbisë!

Me këtë rast, Republikat e Veriut të Federatës Jugosllave, Sllovenia dhe Kroacia, reaguan, por tepër mefshtë, se ky hap që aplikoi Serbia në Kosovë ishte agresion në sistemin juridiko-kushtetues dhe, rrjedhimisht, e çojnë pashmangshëm vendin drejt shndërrimit në Serbi të Madhe. Ndërkaq, republikat e tjera (Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia) qenë rreshtuar pothuajse tërësisht prapa projektit serb.

Shovinistët bullgarë të konvertuar formalisht në “maqedonë”, do të vepronin me intensitet edhe më të shtuar, duke i shndërruar hapësirat e banuara me shqiptarë — Maqedoninë Verilindore e atë Perëndimore — në poligon testues për aplikimin e teorive dhe akteve praktike antishqiptare serbe pikërisht aty, para se ato të aplikoheshin në Kosovë! Kështu lufta po gjente format e shprehjes dhe të aplikimit çdo ditë, duke i dhënë asaj përmbajtje të re.

Tek actekët, fjala luftë kishte karakter edhe ritual. Ndërkaq, për kinezët, gjatë epokës së dinastisë Han, lufta, respektivisht zhvillimi dhe drejtimi i saj, ishte njëkohësisht edhe një lloj e drejte dhe obligim për rend hyjnor. [2] 

Në Europë, lufta ka të bëjë me ekspansion dhe pushtim të hapësirës (Lebensraum). Serbët, në dy dekadat e fundit të shek. XX, në Kosovë po aplikonin një lloj kombinimi mes “të drejtës hyjnore” (duke u thirrur në kisha) dhe asaj për ekspansion, respektivisht hapësirës për jetë. Prandaj ata, pas demonstratave të 1981-it, po përgatiteshin në të gjitha planet për “fitore vendimtare” kundër shqiptarëve. Më 1989 Beogradi do t’u imponojë kapitullimin pa kushte “autonomistëve”, duke i detyruar, madje, që ta votojnë suprimimin e autonomisë dhe duke “e arsyetuar” këtë akt edhe me gjuhën e “shkencës”.

Instituti për Kërkime Juridike dhe Shoqërore i Fakultetit Juridik të Prishtinës më 26 tetor 1988 mbajti një tryezë për diskutim shkencor publik mbi amendamentet kushtetuese në Kushtetutën e Republikës Socialiste të Serbisë dhe në Kushtetutën e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në atë diskutim mbi 10-orësh ishin paraqitur plot 24 kumtesa. Me këtë rast po sjell disa paragrafë specifikë nga dy kumtesa: ajo e dr. Riza Smakës dhe tjetra e dr. Esat Stavilecit.

Dr. Riza Smaka kumtesën e tij e kishte përmbledhur në formë tezash, ku përfshinte gjithsej 16 sosh. Në dy tezat e fundit (15 dhe 16) ai shprehet saktësisht: 

“15. Konsideroj se përfillja parimore dhe konkrete e Vendimit të Kuvendit të RSS-së për ndryshimet e Kushtetutës të RSS-së, është obligim kushtetues, politik e profesional, si dhe parakusht i zgjidhjes parimore të çështjeve ende të hapura, të cilat, në opinionin publik relativisht janë politizuar, janë bërë të diskutueshme dhe, jo rrallë, reciprokisht të kontestueshme. 

16. Po qe se gjatë punës së mëtejme, në harmonizimin e ndërsjellë të këtyre çështjeve, merren për pikënisje formulimet autentike të Vendimit të Kuvendit të RSS-së për ndryshimin e Kushtetutës së RSS-së, si dhe përcaktimet e LKJ-së, të shprehura në dokumentet e Kongresit XIII të LKJ-së, si dhe rezultatet e diskutimit publik për analizën kritike të sistemit politik të vetëqeverisjes socialiste, zgjidhjet e përbashkëta do të jenë të përbashkëta, të pranuara dhe në funksion të zhvillimit të sistemit tonë shoqëror-politik dhe ekonomik, si dhe të afirmimit të parimeve themelore të Kushtetutës së RSFJ-së e, në radhë të parë, të barazisë nacionale, bashkëjetesës, vëllazërimit e bashkimit.”[3]

Por edhe më i qartë pro këtyre ndryshimeve kushtetuese që kërkonte Beogradi, na rezulton juristi “filozof”, dr. Esat Stavileci. Kumtesën e tij ai e fillon me këtë fjali:

Mirë është, ndoshta, që ne të fundit ose, së paku, ndër të fundit, po deklarohemi për ndryshimet kushtetuese, duke pasur parasysh misionin tonë… Në fillim u jap përkrahje të plotë qëndrimeve të Plenumit XVII të KQ-së së LKJ-së… Qëndrimet për forcimin e unitetit dhe të bashkëjetesës në RS të Serbisë kanë rëndësi qenësore jo vetëm për stabilitetin politik të RS-së së Serbisë, por edhe të Jugosllavisë në tërësi. (…) Tashmë nuk ka dilemë për pro apo kundër ndryshimeve kushtetuese. Është mirë që jemi përcaktuar për ndryshime.”[4] Ndërkaq, pikërisht këto ndryshime do të çojnë deri te vendimi i Beogradit për heqjen e autonomisë!

Beogradi prandaj do ta thellonte talljen me “Shtetin fiktiv” dhe “Presidentin e tij historik”, Ibrahim Rugovën, në kulmin e bombardimeve nga NATO-ja, duke e “marrë në mbrojtje”, që de fakto, po e trajtonin si “një lloj pengu” qoftë duke e stacionuar një njësi për ditë të tëra në “rezidencën” e tij në Velani, qoftë kur e depërtuan në Beograd, përderisa do ta dorëzojnë, me gjithë familjen e shpurën e ngushtë të tij, te diplomacia italiane si një “dhuratë të premtuar”.

Gjendja e luftës

Nocionin “luftë” dhe të kuptuarit e këtij nocioni, si dhe togfjalëshin “gjendje lufte”, (meqë kanë të bëjnë me kulturën politike të secilit popull veç e veç, derisa ajo shpërtheu dhe mori përmasat e gjenocidit sidomos në Bosnjë), qytetarët nuk e ndanin qartë kufirin mes luftës speciale që ushtronte Beogradi në Kosovë dhe asaj reale që do të shpërthente në mars 1998.

Mos të futim pambuk në veshë dhe të vazhdojmë të shtiremi edhe tashti pas katër dekadash, duke iu shmangur fakteve kokëforta: që në krijimin e LDK-së (23 dhjetor 1989), në krye të saj u instaluan personalitete të “policisë letrare”, që vinin kryesisht nga institucionet e kulturës: Lidhja e Shkrimtarëve, Pallati i Shtypit “Rilindja” dhe Instituti Albanologjik; një pjesë e mirë e tyre, përfshirë edhe Ibrahim Rugovën, ishin jo më pak se sekretarë të të ashtuquajturave Organizata Themelore të LKJ-së, përmes së cilave UDB-ja mbante nën kontroll dhe drejtonte këto institucione. Në të ashtuquajturat “luftëra surrogate” palët në konflikt janë përherë në kërkim të mjeteve zëvendësuese, me të cilat ata planifikojnë ta përballojnë luftën me dëme sa më minimale. Si element substitut u shërbejnë njerëzit ose makinat. LDK-ja në njërën anë, pas dështimit të funksionalizimit të plotë të Ministrisë së Mbrojtjes, [5] po tallej me teorinë e trinitetit të Klauzevicit që bazohet në SHOQËRI, në SHTET dhe në USHTRI, duke i dhënë kështu Beogradit adutin e fuqishëm të shpërfytyrimit të konfliktit, ndërkaq në anën tjetër, duke vënë në “gjumë letargjik” një popull të tërë, ua dorëzonte projektin e shtetit (nëse e kishte) shërbimeve të huaja, marionetë e së cilave tashmë ishte shndërruar në tërësinë e saj! [5]

Pranvera e 1981-it, ai shpërthim revolucionar i rinisë kosovare, ia kishte bërë të qartë Serbisë, se lufta e saj nga tetori 1912 e deri atëherë (mars-prill 1981), që kishte për objektiv ose ta zhdukte fare ose ta asimilonte shumicën shqiptare, duke ndërruar hartën demografike të saj dhe duke e shndërruar popullsinë shqiptare në minorancë, tashmë kishte pësuar fiasko të pariparueshme ose ishte vënë në pikëpyetje më seriozisht se kurrë. Shumë çështje, për të cilat në Beograd gjykohej se ishin mbyllur, po vihej re se duheshin rihapur e rigjykuar. Kushtetuta e fundit (1974), ndërkohë që gjykohej në qarqet shoviniste të njohura, si ASHA të Serbisë, Kishë, Ushtri, UDB etj., por edhe në ato të politikës, duhej korrigjuar urgjentisht në dobi të “Unitetit të shtetit e kombit serb”. Universiteti i Prishtinës, qendra e arsimit, dijes dhe e shkencës, që shërbeu njëkohësisht edhe si instrument qenësor i zgjimit dhe selitjes së zgjimit e formimit të ndërgjegjes kombëtare, pasi qe shpallur si “qendër e irridentës”, rrjedhimisht, sipas Beogradit, duhej mbyllur.

Nënshtrimi kolektiv

Në Kosovë ora politike po kthehej në epokën e A. Rankoviqit. Diferencimi dhe izolimi, burgosjet dhe vrasjet me prapavijë politike, sërish aplikoheshin si mjete lufte, që arsyetonin qëllimin. Kjo me aplikimin e segregacionit dhe të apartheidit, mbylljen e Universitetit dhe shumicën dërmuese të shkollave. Kosova humbi kompetencat që kishte në fushën e legjislacionit dhe ekzekutivit, madje edhe në lëmin e arsimit në rrafshin lokal.

Vetëm tri javë pasi që u ndanë shkollat, më 22 mars 1990, pasoi helmimi masiv i nxënësve shqiptarë (7 000–8 000 nxënës) në disa qytete njëkohësisht. Mbi 100 000 nxënës e studentë u vendosën në mënyrë permanente në 3 200 shtëpi, bodrume dhe garazhe private, që u shndërruan në shkolla të improvizuara.[6]

Ky terror shtetëror do të shtrihej edhe në kazermat e Armatës Jugosllave, prej nga do të vinin në arkivole me qindra të rinj tanë. Ai (terrori shtetëror) ndërlidhej e koordinohej me dërgimin e ftesave për të rinjtë shqiptarë për të kryer shërbimin ushtarak. Ndërkaq, segmenti vepronte në rrafshin operativ (kryesisht përmes ish-zyrtarëve shqiptarë të UDB-së) në rrjetin e inkriminuar të trafikimit të qenieve njerëzore për Perëndimin. Një brez i tërë i të rinjve po merrnin rrugën e mërgimit për në Perëndim. Kosova pothuajse “po mbetej në vasha” dhe do të lëshonte alarmin plot dëshpërim, po të ishte në jetë Gjergj Fishta.

Gjithandej ishte mbjellë “frika kolektive”[7], do të thoshte Prishingu. Po hynim në fazën më të vështirë të historisë: atë të nënshtrimit kolektiv! Kësaj i kishte shërbyer gjithsesi, madje shumë, edhe LDK-ja! Ky nënshtrim kolektiv fillin e kishte te “nënshtrimi i mendjes nga frika e dënimit” [8] dhe pasonte me talljen dhe përdhosjen e dinjitetit në shkallë kolektive. _________________

1 Takimin nga prapavija për delegacionin shqiptar do ta diktonte Agim Mala, shkruan Qani Mehmedi në librin e tij “Shtetformimi i Kosovës: shkrimtar, publicist dhe pjesë e eminencës gri të LKJ-së, i njohur si njeri i afërt me Azem Vllasin. Një ditë para nisjes për në Beograd, Azem Vllasi, i cili deri atëherë e kishte kundërshtuar pjesëmarrjen e Rexhep Qoses në këtë duel, në fund kishte konstatuar: “Pa Rexhep Qosen, delegacioni shqiptar nuk mund t’i bëjë ballë delegacionit serb. Ne jemi në mes të dy teheve: të paraqiten intelektualë inferiorë të Kosovës nuk ka kuptim që të bëhet ky takim, të thonë të vërtetën e tyre, do të pësojnë presionet për masa kundër tyre. Megjithatë, Qosja le të shkojë në Beograd dhe le të bëjnë çfarë të duan atje”, i kishte thënë në fund Vllasi Malës. “Meqë isha mik i ngushtë i tij, vazhdimisht më merrte në bisedat që zhvilloheshin lidhur me përgatitjet për takimin intelektual shqiptaro-serb në Beograd”, përfundon Mehmedi shpjegimin e tij. Në takimet që kam pasur më pas me Qaniun, më ka pohuar se kishte qenë pikërisht ai, që kishte ndikuar tek Agim Mala edhe për këtë çështje, duke këmbëngulur që në delegacion të ishte edhe profesor Qosja. 

2 Carvin, S. dhe Williamss, M. (2015): Low, Science and Liberalism and the American Way of Warfase,Cembrige: Cembrihe University Press, f. 6. 

3. Fakulteti Juridik në Prishtinë / UP, Diskutimet për amendamentet kushtetuese në kushtetutën e RS të Serbisë dhe të KSA-së të Kosovës, Prishtinë, tetor 1988, f. 95. 

4. Po aty, f. 97–98. 

5. Shih librin e Nikë Gjeloshit: ”Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës 1991–1995“, Prishtinë 2015. 

6. Për historinë politike, për qëllime e efekte studimi, do të ishte me shumë interes të studiohen, redaktohen e publikohen dokumentet arkivore dhe dëshmitë e pjesëmarrësve aktivë, që shpërfaqin këtë shkallë të shpërfytyrimit të luftës sonë, madje jo vetëm për periudhën në fjalë (1989–1999), por edhe pas 17.02.2008. 
Burimi: https://kallxo.com/rrefim/mesime-ne-rezistence-sistemi-paralel-arsimit-ne-kosove-ne-vitet-90/

7. Prishing, M. (2017): “Sociologie der Kolektiven Angst”. 

8. Ismail Kadare, Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit, Tiranë 2013, f. 20.

Share: