Punonjësit në të gjithë botën ka gjasa të mos kthehen në rutinën e punës së zyrës, në formën tradicionale dhe zakonet e karantinës si grumbullimi i rezervave mund të bëhen gjithashtu “normaliteti i ri” sapo të mbarojë pandemia.
Në raportin e saj të fundit, të titulluar “Parashikimet Zoomsday”, autorja Marian Salzman, që është zv/presidente për komunikimet globale të Philip Morris International (PMI) shkruan se stafet do të vazhdojnë të punojnë në të njëjtat orare, por në një mënyrë që kombinon stilin e tyre të jetës personale dhe profesionale – ku shumica aplikon javën e punës me katër ditë.
Publikimi, i cili shikon trendet që po rriten në atë mënyrë që tregojnë se do bëhen normaliteti i ri për miliona, parashikon gjithashtu që grumbullimi i rezervave do të bëhet rutinë te konsumatorët.
Salzman, e cila vitin e kaluar parashikoi rritjen e ‘mentalitetit bunker’ dhe mbajtjen e maskave të fytyrës për të qenë më të shëndetshëm, tha se tani po diskutohet gjerësisht idea e javës së punës me katër ditë.
“Ne po dëgjojmë diskutime serioze për një qasje të tillë, duke përfshirë përfitimet për njerëzit dhe planetin. Eksperimenti i Microsoft në Japoni me një javë pune katër-ditore në fillim të këtij viti rezultoi në një rritje prej 40 për qind të produktivitetit të stafit. Kompanitë e tjera që kanë aplikuar ose po shqyrtojnë një javë më të shkurtër pune përfshijnë dyqanet e hamburgerëve në SHBA, Shake Shack, kompania e menaxhimit të fondeve në Zelandën e Re Perpetual Guardian dhe PR Radioaktive në Mbretërinë e Bashkuar. Çfarë revolucioni do të ishte nëse punon më pak orë, por në mënyrë më të zgjuar; do të rezultonte në sekreti i produktivitetit,” thotë Salzman.
Karantina gjithashtu i ka nxitur njerëzit të mendojnë më shumë për ata që nuk i kanë parë shumë, ndaj do të ketë një ‘rivlerësim’ të rretheve tona shoqërore me më shumë lidhje fizike sesa vetëm në internet, thotë ajo.
Salzman shkruan: “Teksa kufizimet për distancimin social vazhdojnë, ne papritmas kemi nevojë të jemi së bashku – edhe pse përshtatemi shpejt me jetën si të ndarë. Shumë prej nesh po e gjejnë veten duke rishqyrtuar rrethet shoqërore, duke tërhequr njerëz më të afërt që nuk i kemi parë prej vitesh e duke u distancuar nga miqtë dhe të njohurit që i kemi parë gjatë gjithë kohës. Tani, ka të bëjë më pak me afërsinë dhe komoditetin dhe më shumë me intimitetin dhe lidhjen. Ne jemi më të vetëdijshëm, gjithashtu, për ndërlidhjen e popujve të planetit, duke kuptuar se asnjë vend nuk do të jetë i sigurt nga ky virus derisa të gjitha vendet të jenë të sigurta.”
Pavarësisht rritjes së veganizmit Salzman parashikon gjithashtu një kthim te ushqimi i “vërtetë” në krahasim me “të rremin”, kulturë dhe jetën e përgjithshme nga dëshira për mish të vërtetë dhe televizion më inteligjent sesa TV “i vakët” me spektakle ‘reality’.
Grumbullimi i rezervave – dikur i asociuar me konspiracionistët që mendonjnë se botës po i vinte fundi – do të bëhet gjithashtu normale te konsumatorët, me tregtarët që tashmë kanë seksione të caktuara në dyqane për “racionet e emergjencës.”
Salzman shton: “Ne kemi një ‘mentalitet bunker’ prej vitesh. Covid-19 ka rritur numrin e atyre që duan të kenë rezerva dhe hapësira të sigurta. Teksa njerëzit kërkojnë të përgatiten për çdo eventualitet, më shumë tregtarë do të marrin masat të grumbullojnë racione afatgjatë.”
Trende të tjera në të ardhmen në raport përfshijnë një rritje në nismat e sektorit privat për më shumë shërbime për komunitetin në bashkëpunim me sektorin publik si dhe njerëzit që do të mbajnë maska fytyre, edhe kur pandemia të mbarojë.
Gjatë një seminari online të hënën, Marian Salzman, zv/presidente pë komunikimet e Philip Morris International (PMI) tha se në kompaninë e saj që nga nisja e pandemisë, përparësi është që punonjësit të jenë të sigurt dhe të qetë për të punuar.
Duke folur për iniciativën “Unsmoke”, me të cilën synohet që njerëzit të pinë më pak cigare tradicionale ose të përdorin alternativa si duhani me ngrohje dhe jo me djegie, Salzman tha se përdorimi i IQOS u rrit gjatë muajve të fundit. Mërzia gjatë karantinës i bëri njerëzit të konsumonin më shumë nikotinë. Por sipas saj, duhet të sigurohemi që të mos i lejojmë të kthehen te cigaret tradicionale me djegie.
Top Channel