Home KRYESORE Përfundoi hetimet, prokuroria e Dibrës jep detajet për dosjen 184: Akuzat për...

Përfundoi hetimet, prokuroria e Dibrës jep detajet për dosjen 184: Akuzat për 4 të pandehurit

Prokuroria e Dibrës ka përfunduar hetimet për dosjen e bujshme 184 dhe ka marrë të pandehur 4 persona. Organi i akuzës përmes një deklarate ka dhënë detaje, ndërkohë që të pandehur janë marrë Robert Aga, Drini Gjeci, Nuri Meda, Hasan Hoti.

Prokuroria bën të ditur se i ka dërguar për gjykim këta persona. Organi i akuzës ka konstatuar se ata kanë kryer veprën penale të shitblerjes së votës, por për shkak të tejkalimit të afatit 3 vjeçar vepra penale është parashkruar, ndaj s’mund të merrem në përgjegjësi penale.

“Robert Aga, në atë kohë me detyrë Shef i komisariatit të Policisë Dibër, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

-Drini Gjeci, në atë kohë me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore Rajonale Dibër, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve” kryer më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 248 dhe 329/3, të Kodit Penal.

-Hasan Hoti, në atë kohë me detyrë Administrator i njësisë Administrative Lurë, Dibër, për kryerjen e veprës penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve” kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 329/3 i Kodit Penal.

-Nuri Meda, në atë kohë me detyrë Administrator i njësisë Administrative Tomin, Dibër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Dosja 184 kaloi të paktën 5 herë nga Dibra në Tiranë Krime të rënda SPAK të paktën 5 herë. Në fund SPAK e la në kompetencë të Prokurorisë Dibër.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, mbi bazën e akteve të procedimit penal nr.184, të vitit 2016, të ardhura për kompetencë lëndore nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, ka regjistruar procedimin penal nr.385, të vitit 2019, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 248, 328/1 dhe 329/3, të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve nën hetim Korab Lala, Robert Aga, Dionis Imeraj, Afrim Mikli, Drini Gjeci, Arben Keshi, Hasan Hoti, Bekim Krashi dhe Nuri Meda.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka konkluduar se:

Sa i përket veprës penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/1 dhe 25 të Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), është provuar se kjo vepër është kryer nga shtetasit nën hetim 1-Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), 2-Robert Aga, 3-Afrim Mikli, 4-Drini Gjeci, 5-Arben Keshi, 6-Hasan Hoti, 7-Bekim Krashi dhe 8-Nuri Meda, dhe përveç personave nën hetim edhe nga shtetasit 9-Fatbardh Lala, 10-Ylli Mikli dhe 11-Dik Spata, të cilët gjatë hetimit të këtij procedimi penal kanë patur statusin e të kallëzuarit.

Pavarsisht se nga hetimi është provuar tërësisht fakti i konsumimit të veprës penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328/1 dhe 25 të Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), nga personat e mësipërm, organi i prokurorisë ka vlerësuar se ndjekja penale nuk mund të vazhdojë për personat nën hetim dhe nuk mund të fillojë për personat me statusin e të kallëzuarit, pasi kundërvajtja penale e parashikuar nga neni 328/1 i Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), është parashkruar, për faktin se nga momenti i kryerjes së veprës penale që është periudha shtator 2016, ka kaluar afati 3 vjeçar i ndjekjes penale.

Me këtë arsyetim, Prokuroria Dibër, me datë 18.12.2020, ka vendosur pushimin e pjesshëm të hetimeve ndaj personave nën hetim 1-Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), 2-Robert Aga, 3-Afrim Mikli, 4-Drini Gjeci, 5-Arben Keshi, 6-Hasan Hoti, 7-Bekim Krashi dhe 8-Nuri Meda.

Gjithashtu Prokuroria Dibër, ka dërguar për gjykim si pjesë e këtij hetimi penal, shtetasit:

-Roert Aga, në atë kohë me detyrë Shef i komisariatit të Policisë Dibër, duke e akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

-Drini Gjeci, në atë kohë me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale Arsimore Rajonale Dibër, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve” kryer më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 248 dhe 329/3, të Kodit Penal.

-Hasan Hoti, në atë kohë me detyrë Administrator i njësisë Administrative Lurë, Dibër, për kryerjen e veprës penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve” kryer më shumë se një herë, parashikuar nga neni 329/3 i Kodit Penal.

-Nuri Meda, në atë kohë me detyrë Administrator i njësisë Administrative Tomin, Dibër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Share: