Home Gjeo-Ekonomia Shembulli i zgjedhjeve presidenciale në SHBA na fton të përqendrohemi te institucionet...

Shembulli i zgjedhjeve presidenciale në SHBA na fton të përqendrohemi te institucionet dhe jo sjelljet individuale.

Nga Dtimir Bushati

Zgjedhjet presidenciale në SHBA përfunduan. Procesi i transferimit të pushtetit që sapo ka nisur pritet të kurorëzohet më 20 Janar 2021. Këto zgjedhje ishin të veçanta për të paktën tre arsye. Së pari, Pandemia ka paralizuar jetën në mbarë botën, përfshirë edhe SHBA-të, duke u kthyer në një sfidë madhore për shëndetin, politikën, ekonominë dhe psikologjinë e njerëzve. Së dyti, protestat në mbrojtje të personave me ngjyrë, të cilat u shoqëruan me dhunë. Së treti, një fushatë zgjedhore e polarizuar e shoqëruar me kundërshtimin e rezultatit përmes rrugëve ligjore.

Për herë të parë, pas shumë dekadash, u thye një normë e çimentuar nga praktika në lidhje me (mos)pranimin e rezultatit. Normat, një një shoqëri demokratike, kanë vlerë më të madhe se çdo ligj i shkruar. Megjithatë, mundësitë që ju ofruan zgjedhësve për të votuar në kushte pandemie dhe jo veç ditën e zgjedhjeve, mënyra e administrimit të procesit zgjedhor dhe ankimimet në të gjitha nivelet, pjesëmarrja e lartë në zgjedhje, e sidomos pjesëmarrja e lartë të votuesve për herë të pare, janë dëshmi e besimit te rrugëzgjidhjet që ofron demokracia.

Është e vërtetë se karakteri në politikë ka tendencën të dominojë e madje sfidojë rregullat e gjithpranuara. Por, është po aq e vërtetë se cilësia e sistemit demokratik varet nga qëndrueshmëria dhe besueshmëria e institucioneve, të cilat janë garancia kryesore e ruajtjes së integritetit të jetës publike.

Ne priremi të bëjmë krahasime ngushëlluese dhe jo të nxjerrim mësime, të cilat na shpien në konkluzione të gabuara. Analizat tona për sfidat me të cilat përballet demokracia shpesh kufizohen vetëm tek sjelljet e ekzagjeruara të politikës dhe jo tek funksionimi i sistemit demokratik.

Shembulli i zgjedhjeve presidenciale në SHBA na fton të përqendrohemi te institucionet dhe jo sjelljet individuale. Megjithëse pushteti presidencial në SHBA buron direkt nga populli dhe ushtrimi i tij është individual, prezantimi i ekipit kryesor për politikën e jashtme, sigurinë kombëtare, ekonominë dhe financat nga Presidenti i zgjedhur Biden ishte një shembull frymëzues i shpirtit kolegjial të administrimit të sfidave me të cilat pritet të përballet administrata e re amerikane dhe asaj çka realisht përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një ekip që karakterizohet nga: a) sensi i lidershipit, eksperienca dhe profesionalizmi në raport më detyrën e besuar; b) identiteti dhe përkatësia politike që vjen si pasojë e karrierës së farkëtuar gjatë administratave të presidentëve demokratë Clinton dhe Obama; c) përfaqësimi i komuniteteve përbërëse, si pasqyrë e realitetit të shoqërisë amerikane.

Asnjë eksperiment. Asnjë improvizim. Vetëm në pak orë mediat kryesore amerikane dhe ndërkombëtare kaluan në skaner të gjithë mbajtësit e ardhshëm të këtyre funksioneve të rëndësishme, në pritje të konfirmimit të Senatit dhe kalimit në skanerin e institucioneve të specializuara të sigurisë.

Një proces përzgjedhës që dëshmon qartazi konceptimin e politikës si artin e qeverisjes që bazohet tek motivimi i shërbimit civil dhe respektimi i mendimit kritik. Edhe mesazhi i Presidentit të zgjedhur Biden gjatë prezantimit të ekipit, kur ju drejtua me fjalët se: “dua të më thoni atë që duhet të dëgjoj, jo atë që do më pëlqente të dëgjoja”, është dëshmi e hapjes së një kapitulli të ri për SHBA-të në këto çaste kritike, kur gama e çështjeve që kërkojnë përgjigje ndërkombëtare është zgjeruar, ndërkohë që themelet e demokracive liberale anembanë botës janë plasaritur.

Përzgjedhja e ekipit konfirmon mesazhet e Presidentit të zgjedhur Biden se ai dëshiron të jetë një president përbashkues, se SHBA-të janë më të forta me aleatët kur adresojnë sfidat në shtratin e multilateralizmit, se ai beson në forcën rrezatuese të demokracisë amerikane në mbarë botën.
Një fillim që flet për rëndësinë e ndjeshmërisë, eksperiencës njerëzore dhe të vërtetës në politikë, në përballimin e sfidave që imponon koha.
Botuar në gazetën “Panorama”- 2 dhjetor 2020

Share: