Home KRYESORE SPAK, kapi këta rojet që u marrin njerëzve 200 leke ke dera...

SPAK, kapi këta rojet që u marrin njerëzve 200 leke ke dera e spitalit, se na morën më qafë Shqipërinë…!

Nga Mentor Kikia

Kur më kanë pyetur se cili është shkaku kryesor i mosbesimit në Shqipëri, unë kam thënë: Mungesa e drejtësisë!

Ndaj unë prita me “plot” padurim reformimin e sistemit, largimin e të shiturve dhe të korruptuarve dhe krijimin e strukturës së parë speciale, SPAK.

Por, e dini kur trishtohesh më shumë? Jo kur je i trishtuar, por kur beson dhe zhgënjehesh. Unë prisja që SPAK t’ja bënte “bam” me ndonjë çështje, nga ato që vërtet të bëjnë të besosh se gjërat do të ndryshojnë në këtë kënetë. Por jo, SPAK ia bëri “puf”, me tri çështje qesharake. SPAK-u, fama e të cilit ka shkuar deri në Uashington, për krijimin e të cilit ne kemi marrë urta deri në “Allemanja”, e nisi luftën kundër korrupsionit me tre njerëz që kishin tentuar të korruptonin policin rrugor. Dy të parë nga 1 mijë lekë, ndërsa i treti me 500 lekë.

Nuk besoj se ta quash SPAK-un një strukturë qesharake është presion ndaj drejtësisë. As ti thuash – një tufë njerëzish të paaftë apo të shitur, që iu bashkuan funeralit të shpresës, atëherë kur duhej ta kthenin kortezhin mbrapsht.

Kur ne presim të mësojmë, se si është e mundur që një km rrugë, gjysmë e shtruar ndërkohë, në Unazën e Re, kushton 20 milion Euro, SAPK dënon një burrë për 1 mijë lekë.

Kur ne presim të mësojmë se si ka mundësi, që një kompani merr me koncensin Portin e Durrësit, pa investuar asnjë qindarkë, e fiton dhjetra miliona Euru në vit, SPAK dënon burrin e dytë për 1 mijë lekë.

Kur ne presim të mësojmë se si ka mundësi që kompani vendase e të huaja zhvasin e vjedhin naftën tonë, me lejen e qeverisë, duke mos paguar as taksa e as punëtorët, SPAK dënon burrin e tretë për 500 lekë.

Ndërsa pritet dënimi i të këtërtit, qeveria dha koncensionin tjetër: Kolaudimin e makinave, iu hoq atij që e kishte pasi i mbaroi afati, dhe po i kalon disa ofiçinave, po me koncension. Dhe të gjithë këto koncensorinarë, do të kenë një drejtori kontrolli(punë që duhet ta bëjë ministria), po koncensionare. Kostoja, 200 milion Euro.

P.S: SPAK, aman, po na kapët ndonjërin nga ata rojet që u marrin njerëzve 200 leke ke dera e spitalit, na e bëni leckë, se e morën më qafë këtë vend.

P.S: Edhe këto rojet duhen dënuar, meqe ra fjala, por SPAK-u sikur të merrej me ca më të mëdhenj se këta, nuk do ishte keq.

Share: