Home KRYESORE Vendi magjik i Santa Claus-it dhe shtëpiza Roosevelt

Vendi magjik i Santa Claus-it dhe shtëpiza Roosevelt

Nga Gladiola JORBUS

Rreth njëqind vjet më parë, një udhëtar filloi të përhapë në botë lajmin e ekzistencës së Korvatunturit dhe banorëve të tij. Babagjyshi i festave të fundvitit (ose i Krishtlindjeve) dëshironte të mbronte paqen në vendin e tij të fshehtë dhe gjeti një mënyrë të shkëlqyer që u lejonte të gjithë miqve të tij ta vizitonin.

Babagjyshi filloi të frekuentonte rregullisht Rrethin Arktik Polar, pranë qytetit të Rovaniemit një gjysmëshekulli më parë. Rovianemi gjendet në Laponia, fshati më verior i Finlandës. Rovaniemi është djegur në vitin 1944, por Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar për rindërtimin e tij.

Historia zë fill pas Luftës së Dytë Botërore, periudhë gjatë së cilës, Rovaniemi vuajti shumë. Në tetor të 1944-ës, popullsia civile e Rovaniemit u evakuua, qyteti u dogj dhe u shkatërruan mbi 90% e ndërtesave të tij, teksa rajoni përreth ishte i minuar.

Rindërtimi i Rovaniemit ishte një detyrë shumë e ngadaltë dhe e vështirë, pasi Finlanda veriore nuk përmbushte nevojat me materiale ndërtimore dhe ushqim adekuat për popullsinë e saj, gjatë gjysmës së fundit të viteve ‘40. Për këtë motiv, Rovaniemi dhe Laplandi ishin ndër përfituesit e parë në Finlandën e pasluftës, të ndihmës së siguruar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Rehabilitimin (UNRRA), paraardhësi i UNICEF-it modern.

Qendra e Krishtlindjeve në Lapland, Fshati i Santa Claus në Rrethin Arktik përbën vendin më të vizituar gjatë Krishtlindjeve në vendet nordike. Falë veçantisë së tij, numri i vizitorëve ka ardhur në rritje, dhe Brenda disa vitesh ka arritur shifrën prej gjysmë milioni vizitorësh, kombëtarë e ndërkombëtarë.

Shtëpiza Roosevelt, pra Kasollja e Rrethit Arktik është një ekspozitë mbi historinë e turizmit në Rrethin Arktik.

Krijimi i kësaj shtëpize së Rrethit Arktik dhe i shërbimeve turistike lidhet, dhe me ndihmën e dhënë nga UNICEF-i.

Eleanor Roosevelt, e mirënjohur si ‘”shpirti” i UNRRA-së, bëri një vizitë të papritur në Rovaniem në vitin 1950. Për të kompletuar ceremoninë përshëndetëse, u ndërtua pikërisht kjo shtëpizë e Rrethit Arktik, vetëm brenda dy javësh. Pikërisht në vitin 2020, ajo feston 70-vjetorin e ndërtimit të saj.

Kur bashkëshortja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Franklin D. Roosevelt, një aktiviste e mirënjohur për humanitarizmin e saj, shkoi të vizitonte befasisht Rovaniemin në vitin 1950 për të krijuar rindërtimin postbelik (të pastluftës) të Laplandit dhe Rovaniemit, Uuno Hannula, prefekti i kohës u gjend në një situatë jo fort të lehtë dhe i duhej domosdoshmërisht, një program tejet efikas, në nder të këtij eventi.

Prefekti Hannula u ndihmua nga Kryetari i Bashkisë së kohës Lauri Kaijalainen, i cili me ndihmën e stafit të tij, mori si dhuratë nga Profesor Eemeli Karine, një pjesë të tokës së “Rrugës kombëtare nr. 4” në Veri, për të ndërtuar një shtëpizë për të ftuarit.

Për këtë arsye u vendos që ceremonia e pritjes të mbahej në veri të Rrethit Arktik. Ideja u frymëzua nga fakti se njëzet vjet më parë, Kolonel J. Oiva Willamo kishte ngritur një shtyllë në të njëjtën zone, ku turistët ndalonin dhe shkrepnin fotografi.

Tashmë kishte mbetur vetëm një javë kohë për ndërtimin e Shtëpizës së Rrethit Arktik. Ajo u projektua me nxitimin e një nate nga arkitekti Ferdinand Salokangas dhe u ndërtua nga stafi me përvojë në ndërtimin e shtëpive të drurit, i pylltarit dhe konsulentit Jarl Sundquist, duke transportuar trungje nga lumi Ounasjoki.

Sipas udhëzimeve, ata përdorën aq shumë trungje sa që “në shtëpizë kishte vend për një autobus të madh plot me njerëz”.

Njerëzit duhej të punonin vërtet shpejt, sepse kur më në fund u montua dera e jashtme e shtëpizës, aeroplani i zonjës Roosevelt zbriti në aeroport.

E diel, 11 maj 1950. Shtëpiza më në fund ishte gati për të mirëpritur të ftuarën e shquar dhe të rëndësishme. Në ceremoninë e pritjes morën pjesë banorët e Rovaniemit, të cilët më vonë u mësuan me vizitorët e shumtë që vinin nga larg.

Ngjarja ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme për turizmin e zonës dhe kjo u vu re që në përqasjet e para. Vizitorë të ndryshëm ndalonin për të pirë një kafe, për të blerë suvenire dhe dërgonin përshëndetje e urime në shtëpitë e tyre, me kartolinat vendase që mbanin vulën e veçantë të Rrethit Polar Arktik.

Është shënuar se rreth 90.000 turistë në vit vizitojnë shtëpizën e Rrethit Arktik, gjatë pushimeve të tyre në Lapland. Shumë grupe rendin të marrin pjesë në ceremoninë e paharrueshme të kalimit të Rrethit Arktik, e cila zhvillohet në një Kota tradicionale (kasolle prej druri finlandeze) ku pjesëmarrësit ulen rreth zjarrit, duke shijuar lëngun e bërë nga manaferrat e Laponias.

Ky kufi magjik midis përrallës dhe realitetit u vizitua nga shumë personalitete botërore të kohës në të cilin spikati, duke filluar që nga ish-liderët komunistë: Brezhnev, Tito e për të vazhduar me ish-presidentin amerikan Johnson, ish-kryeministrin italian Aldo Moro dhe shumë të tjerë.

Fshati magjepsës i Santa Claus-it ndodhet 8 kilometra në veri të Rovaniemit.

Siç e përmendëm më lart, i krijuar në vitin 1950, ai mund të vizitohet gjatë gjithë vitit. Atmosfera është magjike. Aty ka gjithmonë Krishtlindje. Brenda në fshatin e Santa Claus (Babagjyshit) gjendet edhe zyra e tij.

Mund të hysh në një derë ku shënohet ” Santa është këtu “. Më pas kalohet përmes një tuneli, të stolisur me dekorin e Krishtlindjeve, plot drita dhe në fund të tij pret një elf. Ai hap derën e Zyrës së Santa Claus, i cili përshëndet me një buzëqeshje. E kush nuk ndihet sërish fëmijë në një çast të tillë?!

Pas fotos së paharrueshme, përshëndetesh me Babagjyshin dhe ecën drejt zbulimit të mëtejshëm të fshatit . Më pas mund të shkruash kartolina dhe urime. Elfët do t’i shpërndajnë tek të dashurit e tu, kudo në botë.

Pas një shëtitjeje të gjatë në dyqane të ndryshme që ofrojnë shumë ide e dhurata interesante për Krishtlindje, nuk mund të mungojë një fotografi në pikën ku fillon Rrethi Arktik, i cili kufizohet me një vijë të bardhë “Arctic Circle 66 ° 32’35 “.

Në fund të takimit të veçantë me Babagjyshin, elfët dhe suveniret e Krishtlindjeve është koha për një tjetër moment të mrekullueshëm: vizitën në Fermën e Drerëve, ku mund të përkëdhelësh dhe të ushqesh drerët veriorë ose renat e Santa Claus-it.

Por ende s’mund të largohesh, sepse duhet të bësh dhe pak shopping për Krishtlindje, të shohësh galerinë me skulptura akulli, slitën që pret të ngarkohet me dhurata, laboratorin sekret të elfëve, qentë e bukur husky dhe të shijosh kekun me xhenxhefil.

Në Santa Park është gjithashtu e mundur të asistosh në spektakle që flasin shumë për traditat e Laplandit, ushqimin vendas dhe pijet tipike.

Gjithashtu, s’ duhen lënë pa përmendur dhe rrugët e akullta gjarpëruese apo qielli dimëror i Laplandit që ofrojnë panorama vizuale të paharrueshme e mbresëlënëse për të gjithë.

Share: