Home KRYESORE Vetëvrasja e pacientëve, psikologia: Një familjar t’iu qëndrojë pranë

Vetëvrasja e pacientëve, psikologia: Një familjar t’iu qëndrojë pranë

Psikologia, Denata Toçe, ka folur në lidhje me rastet e përsëritura të vetëvrasjes së pacientëve me Covid në vendin tonë.

Toçe ka theksuar se duhet të ndiqet një protokoll specifik për personat që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor.

Ajo ka theksuar se një nga hapat e parë që duhet të ndiqet kur një pacient hospitalizohet është prania e një familjari, pasi komunikimi me familjarët ka një rëndësi të veçantë për eliminimin e rasteve të tilla.

“ Autoritetet përkatëse duhet që të kenë një protokoll të veçantë për këto persona pasi duke qenë se vetë situata është traumatike këto persona kanë më shumë nevojë për një përkujdesje të shtuar. Në asnjë vend tjetër nuk kemi dëgjuar se kemi vetëvrasje pacientësh COVID nga ambientet e spitalit, mendoj se ambientet tona spitalore nuk janë të përgatitura.

Një nga hapat e parë që duhet të ndiqet kur një pacient hospitalizohet është që një familjar të qëndrojë pranë pacientit. Kur kjo nuk është e mundur sugjerohet që një i afërt të qëndrojë pranë të sëmurit. Komunikimi me familjarin një herë në ditë është i rëndësishëm, kontakti fizik familjar ka një rëndësi të veçantë, është e rëndësishme që të ndiqet një protokoll që e ka gjithë bota në mënyrë që të eliminojmë raste të tilla. E rëndësishme është që të sigurojmë shëndetin mendor të një pacienti. Është e rëndësishme që të informohen në lidhje me ecurinë e pacientit që nga fillimi e deri më tani pasi kjo krijon një lehtësim të gjendjes psikologjike për çdo qytetar”, ka thënë psikologia në një intervistë në “Abc news”.

Toçe gjatë fjalës së saj tha se karantinimi i parë ishte i panevojshëm, por një izolim i pjesshëm me një lloj kufizimi të lëvizjes duhet të jetë më radikal.

“Jemi në një kohë me një luftë virale dhe nuk mund të fillojmë një normalitet. Ne duhet të kemi një qëndrim për këtë. Unë jam kritike për sistemin shëndetësor dhe arsimor por në këtë rast secili duhet që të bëjë detyrën e tij dhe të ndërgjegjësohet e kujdeset për të penguar përhapjen e COVID-19.

Është menduar dhe studimet e para kanë treguar se izolimi shkakton një problem të madh psikologjik, të dhunës në familje, të problemeve sociale etj. Unë mendoj se karantinimi i parë ishte i panevojshëm, por një izolim i pjesshëm me një lloj kufizimi të lëvizjes dhe disa dinamika të caktuara që duhet që të bëjë qytetari duhet të jenë më radikale, pasi në këtë kohë spitalet dhe sistemi shëndetësor ka më shumë nevojë që të marrë frymë. Është e rëndësishme që ti japim një frymëmarrje tashmë sistemit shëndetësor”, është shprehur ajo./Opinion.al

Share: