Home KRYESORE Hiq komuna ver komuna, hiq komuna, vër komuna, hiq…

Hiq komuna ver komuna, hiq komuna, vër komuna, hiq…

Nga Artan Fuga

Presidenti i ri vendit më të madh demokratik të botës u zgjodh! Për të gjithë ata që besojnë te shteti i së drejtës, mbyllja e incidentit të Kapitolit dhe hyrja e procesit në rrugën e natyrshme është e kuptueshme, e pritshme, aspak e habitshme sepse prej një ose dy shekujsh studjuesit më të mirë në politologji kanë shpjeguar qartë se atje shteti nuk është thjesht një ndërtesë apo një pikë e vetme, por e gjithë struktura ligjore e asaj shoqërie ku edhe një gjyqtar i thjeshtë ka fuqi ta vendosi edhe një politikan të paorientuar si duhet me ligjin me shpatulla pas muri.

E bën ta mbledhi veten.

Jemi larg me vite dritë ne! Nejse.

Presidenti i ri sapo hyri në zyrë i kishte gati dekretet e para. Muri me Meksikën ?
Pezullohet!

Ndalimi i hyrjes të shtetasve nga disa vende arabe ose myslimane? Anullohet!
Lëvizja pa maska e nëpunësve të administratës?

Ndalohet.
Ikja nga konferenca e Parisit për klimën? Anullohet, etj.

Sigurisht që presidenti i ri ka arsyet e veta të qendrueshme për të anulluar dekretet e pararendësit dhe rikthimin te vendimet dhe politika e para katër viteve.

As nuk diskutohet.

Dikujt mund t’i duket që në këtë aspekt sikur demokracia vjen rrotull. Rikthehet atje ku ishte katër vite më parë.

Sigurisht kur duhet, kjo gjë edhe ndodh! Nuk kam asnjë kompetencë studimore për të qendruar gjatë këtu.

Por gjithsesi kur është fjala për rastin tonë theksoj se te disa njerëz, jo pa peshë në politikë, rrotacioni i pushtetit në këto dekada është kuptuar si rikthim në pikën e nisjes të disa vitesh përpara. Na humbin kohë duke na u kthyer pas. Atë di, atë përvojë kam, te ajo kthehem.

Do ishte një humbje kohe. Nga taksa e sheshtë te taksa progresive, tani nga taksa progresive te taksa e sheshtë, pastaj nga taksa e sheshtë te taksa progresive, dhe ne që do të vijmë rrotull.

Ti prish mbikalimin, unë të prish pallatin, t’i prish pallatin unë prish xhadenë, ti prish teatrin, unë ngre teatrin, pastaj vjen ti përsëri prish përsëri teatrin, unë e ngre, ti e prish, unë e ngre, ti e prish.

Si lojë yçi!

Nga studentë që pranohen në Universitete nga Ministria e arësimit, pastaj që pranohen nga vetë universitetet, pastaj nga Ministria e arësimit, pastaj nga universitetet. Aman mo nuk keni ide të tjera? Po po vijmë rrotull kështu!

Hiq komuna ver komuna, hiq komuna, vër komuna, hiq…

28 nëndori dita e çlirimit, vjen tjetri, vendos 29 nëndori, ikën ai, vjen tjetri, clirohemi në 28 nëndor., pastaj përsëri në 29, pse 29 po sa? 28! Pse 28 po sa ? 29!
Po ça?
Pse sa?

Po 1 prilli?!

Qytetari dëshëron ide të reja!

Share: