Home KRYESORE Navalny ndalohet në aeroportin e Moskës

Navalny ndalohet në aeroportin e Moskës

Aleksei Navalny pasi ka arritur në Moskë.

Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny është ndaluar nga forcat policore në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, pak minuta pasi ai arriti nga Gjermania. Avokati i tij, që kishte udhëtuar me Navalnyn nga Gjermania për në Rusi, nuk është lejuar që ta shoqërojë atë.

Zëdhënësja e Navalnyt ka thënë se nuk dihet se ku e kanë dërguar policia Navalnyt as pse është arrestuar. Navalny kishte qëndruar për disa muaj në Gjermani, ku kishte marrë trajtim mjekësor pas një helmimi, për të cilin i ka fajësuar autoritetet ruse.

Avioni me të cilën po udhëtonte Navalny u ul në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, ndonëse paraprakisht ishte lajmëruar se do të ulej në aeroportin Vnukovo.

Por, autoritetet ruse mbyllën për fluturime aeroportin Vnukovo.

Teksa po prisnin Navalnyn në aeroportin Vnukovo, dhjetëra persona janë arrestuar.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Lyubov Sobol, avokat në Fondacionin Anti-korrupsion të Navalnyt; Ruslan Shaveddinov menaxher projektesh në këtë fondacion dhe gazetari i Novaya Gazeta, Vlad Dokshin. Raportohet se në mesin e të arrestuarve ka edhe gazetarë të tjerë.

Navalny u nis më herët gjatë 17 janarit nga Gjermania drejt Rusisë dhe para nisjes u pyet nga gazetarët rreth mundësisë së arrestimit.

“Unë, të arrestohem? Unë jam i pafajshëm”, tha Navalny për gazetarët para se të hipte në avionin e Pobedas, që është në pronësi të kompanisë shtetërore, Aeroflot.

Më 13 janar, Navalny njoftoi se do të kthehej në Rusi, pavarësisht paralajmërimeve nga Shërbimi Korrektues Federal se do ta arrestojnë atë.

Muajin e kaluar, ky shërbim kërkoi që Navalny të rikthehej menjëherë nga Gjermania ose do të përballej me burgim në Rusi, pasi thanë se Navalny ka shkelur kushtet e dënimit me kusht, lidhur me një dënim më 2014 për mashtrime.

Navalny është njëri nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus, Vladimir Putin.

Pasi u ulë në ulësen e tij në aeroplan, Navalny tha se është i lumtur që po kthehet në shtëpi.

“Ky është momenti më i mirë në këto pesë muajt e fundit. Ndihem mirë, më në fund po kthehem në qytetin tim”

Top Channel

Share: