Nga Lis Bukuroca
Nuk është faji i qeveritarëve,
nuk është faji i deputetëve,
është faji i familjes shqiptare!
Është faji i despotit shqiptar!
I fashizmit patriarkal!
Familja shqiptare nuk edukon,
ajo manipulon,
prish
dhe dëmton!
Dhe, pengon ardhmërinë!
Në shtëpi nuk mësohet sinqeriteti,
respekti,
dashuria,
drejtësia,
përgjegjësia,
por diskriminimi,
padrejtësia,
dominimi,
mashtrimi,
nënshtrimi,
mbyllja e gojës,
pasurimi i padrejtë,
pozita
dhe tradhtia!
Elita politike nuk është asgjë tjetër,
pos rezultat i pedagogjisë kriminale,
në shtëpi,
në kopsht,
në shkollë,
në fakultet
stërvitur dhe e shkathtësuar për kriminalitet!
Pasojë e pedagogjisë rurale,
që nuk është as pedagogji
por një çedukatë,
një dëmtim,
grumbull reliktesh barbare,
dhe mungesë legjendare e dijes
mungesë e ndjenjës së vetëdijes
në shtëpi,
për drejtësi të njëmend!
Aty ku mund të rrihet gruaja,
ku diskriminohet bija,
ku të madhit i mësohet rrahja e më të voglit
ku vëllait i mësohet xhelozia ndaj motrës
(thua se e ka bashkëshorte)
e jo t’i gëzohet dashurisë së saj
aty ku mësohet vrasja e bashkëshortes
nëse nuk të do:
aty bëhet çdo maskarallëk,
çdo poshtërsi e mundshme,
sepse mundet,
pse mundet,
sepse lejohet
pse çmohet
sepse është traditë
i forti të shtypë të mençurinë,
duduku të jetë shef i të urtit,
sepse aty nuk vlerësohet dija,
por pasuria,
mosha,
rrangalla,
tarafi,
fuqia,
karriera
bolet;
Aty respektohen bolet!
Aty i dashur njeri
përtypen idetë e huaja,
të lashta
dhe bëhet riciklimi i bërllokut:
kanalizim,
erë plehu,
shpërblim tradhtarësh,
siç shpërblehen tash e një shekull,
krahanë,
fis,
gjak,
dhe përmendore,
dhe kudo teneqe të dyshimta!
Kudo teneqe të dyshimta dhe arrivistët
veshngritur,
vithengritur,
përkulur si hark,
para një varri,
me lule në dorë,
pranë një varri!
Një popull që ka fuqi të shtyp dhe diskriminojë:
gratë e veta,
çikat e veta,
ai popull mashkullor
kurvërinë e burrave e quan
moral,
buzëqeshjen e gruas
kurvëri,
më mirë nuk mundet,
më mirë nuk do të mundet,
më mirë nuk dëshiron,
më mirë nuk do të dëshirojë,
më mirë nuk guxon,
më mirë nuk do të guxojë,
sepse ai ka frikë nga drejtësia!
Ai ka frikë nga drejtësia!
Sepse është tredhur në shtëpi!
Ai nuk ka më bole!
Ai nuk është më vetvetja
por hija e despotit!
Kopje e huaj!
Ai ka frikë nga liria!
Dhe e zhbën si pushtuesi!
Ai ka frikë nga barazia!
Dhe e shfuqizon si pushtuesi!
Ai ka frikë nga përparimi!
Dhe e pengon si pushtuesi!
Ai struket diku në mesjetë e vet
kruspull,
me celular në dorë,
ku sillet e mendon
ku vepron e gjykon
si e pret ish-pushtuesi prej tij!
Sepse ai nuk ka më bole të jetë liria dhe drejtësia!
——
Për t’u mos bërë despot, lexo librin „Letër burrave I“ dhe „Letër burrave II“. Për të kuptuar ecurinë e dashurisë nga lindja deri në vdekje, edhe rreziqet brenda asaj periudhe, lexo librin me poezi: „Shtatë parimet e dashurisë“. Nëse të intereson erotika, atëherë lexoje romanin „Ngjyrat e dashurisë“. Me tematikë politike, dashurie dhe lehtë erotike, librin me poezi, “Hijedritat e jetës”.
Si e-book:
Shtatë parimet e dashurisë, botimi i parë qershor 2020
Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )
Letër burrave (I)
Letër burrave (II)
Hijedritat e jetës 2010 – 2019