Ish-kryeministri i Italisë dhe drejtuesi i “Italia Viva”, Matteo Renzi ka tërhequr 2 ministra të tij nga qeveria. Renzi në një konferencë shtypi pasditen e sotme njoftoi dorëheqjet e ministrave Teresa Bellanova, Elena Bonetti dhe nënsekretarit Ivan Scalfarotto. Sipas gazetës italiane La Repubblica ky akt fut zyrtarisht në krizë qeverinë Conte.
“Ne po jetojmë në një krizë të madhe politike, po diskutojmë mbi rreziqet e pandemisë. Përballë kësaj krize, ndjenja e përgjegjësisë është të zgjidhim problemet, jo t’i fshehim ato. Kriza politike nuk është hapur nga ne, ajo ka qenë e hapur për muaj të tërë”, deklaroi Matteo Renzi në konferencën për shtyp.
Ky vendim vjen pas “takimit të ndërmjetëm” midis Contes dhe Presidentit Mattarella, i cili theksoi “nevojën për të dalë shpejt nga kjo gjendje e pasigurisë” duke pasur parasysh “pandeminë”./ Opinion.al