Home Gjeo-Ekonomia Andi Bushati: Orët e mia të bllokimit në superstradën e veriut dhe...

Andi Bushati: Orët e mia të bllokimit në superstradën e veriut dhe pse më sulmuan Rama dhe Balluku

Për shkak të lodhjes dhe kalvarit të stërgjatur, si një prej mijra të bllokuarve në rrugën Lezhë Tiranë sot e hapa me vonesë telefonin. Por që në momentin e parë, sapo hyri sinjali i Vodafon, tringëllima e mesazheve nuk rreshtte. 

Thelbi i tyre: “Edi Rama dhe Belinda Balluku janë marrë me ty”.

Pikërisht kjo më bëri ti rikthehem dhe të vendos ta rrëfej këtë aventurë, jo vetëm si një përjetim personal, si tregimin e një njeriu që e gjen veten si personazh të novelës së famshme të Kortazarit “Autostrada e jugut” , por mbi të gjitha, për të dëshmuar funksionimin e makinerisë së turpshme të një pushteti që nuk fle kurrë gjumë, kur vjen fjala për të manipuluar.

Kjo ndodhi edhe këtë herë. Gjithçka kishte të bënte me rrugëtimin tim në aksin e bllokuar me orë të tëra, diku aty afër Milotit. Kisha kaluar mbi dy orë aty, bashkë me udhëtarë të rastësishëm, shoferë që duhet të nxitonin për në Kosovë, familjarë të cilëve u qanin fëmijët, pasagjerë që nuk kishin ku kryenin as nevojat personale. Unë vetë po kthehesha nga Mali i Zi, ku pavarësisht motit të tmerrshëm rrugët ishin të mbushura me borëpastruese dhe makina që derdhnin kripë mbi asfalt. Sa kaloje kufirin shqiptar, aty rreth orës 19 00, vetja të dukej sikur po depërtoje në një shkrtëtëtirë të errët. Rruga nuk kishte pikë përkujdesje dhe mirmbajtje. Edhe më e tmershme gjithçka bëhej aty afër Fishtës ku një stuhi që dukej sikur do të flakte jashtë jashtë vijave kufizuese të krijonte ndjesinë e skenave që ke parë vetëm në filma.

Prezenca e shtetit dallohej për herë të parë në rrethrotullimin në qendër të Lezhës, ku një patrullë policie i drejtonte njerëzit për nga rruga e vjetër e kohës së Enverit, pasi superstrada ishte e bllokuar si shkak i rrëzimit të një trajleri.

U mundova më kot të negocjoja me policin që më doli përpara. “Unë po ngrij vetë së ftohti o shoku- më tha- mos këmbëngul, bjeri këtej nga të them se për ndryshe do ngelesh deri në mëngjes”.

Qefprishur u binda, pa e ditur se po i hyja një intenerari të skëtershëm.

U futa ndërmjet një kolone të madhe që çau mes baltës, gropave, Manatisë e Spitenit për gati 45 minuta. Askush nuk i orientonte këto makina. Asnjë postbllok policie për të të thënë se nga duhej vazhduar në këtë rrugë pa rrugë. Më kot rrija me internetin hapur në celular, se mos ndonjë njoftim shtetëror udhëzonte se si duhej vepruar. Rezultati i gjithë këtij kalvari mes të panjohurës, acarit, stërpiklave të baltës që shndërroheshin në shatërvanë provizorë dhe stuhisë që të pamundësonte shikimin, ishte se dolëm fiks në zemër të bllokimit, sërish në superstradë.

Ajo që pashë aty me sy ishte lebetitëse. Njerëzit e kishin humbur durimin. Hipnin mbi makina për të shikuar deri ku shkonte radha dhe ajo nuk kishte as fillim, as fund. Fortuna shtonte ankthin dhe krijonte idenë se veturat mund ti merrte me vete si lodra kauçuku. Fëmijët qanin se u hahej. Prindërit nuk dinin nëse duhet ti mbanin makinat ndezur, për ti shpëtuar të ftohtit, apo të kursenin benzinën, sepse, sikurse thonin disa, nuk duhet ta harxhonin të tërë serbatorin, pasi pritej të mbeteshin aty deri në agim.

Postova një foto të këtij kaosi në Facebook. Me sa duket atë kanë parë kolegët e News 24 që më kërkuan një intervistë. 

Fola për ta, përshkrova situatën dhe bëra një apel: ndonëse në këto kushte të ralla atmosferike, shteti mund ta ketë të pamundur të ndihmojë, së paku, ai e ka për detyrim të informojë. Pastaj njerëzit e dinë vetë si e bëjnë llogarinë, vendosin me kokë të tyre të shpenzojnë karburant për tu ngrohur ose jo, dinë si ti flasin fëmijëve për tu qetësuar padurimin, apo si i japin fund ankthit që shkakton e panjohura. 

Kjo ide, për të pasur transparencë, për të ngritur zërin kundër injorimit të atyre bashkëudhëtarëve që kisha rreth meje, më lindi pasi kërkova me ngulm në redaksinë e Lapsit ndonjë info, por dhe aty mu konfirmua se shteti ishte bërë memec.

Nuk e di se çfarë fati pata, që vendosa ta lë autostradën dhe të ndjek intuitën e krisur të një aventurieri që hyri me makinë mes fushave  rrugë pa rrugë. Nuk e di se për sa kohë u enda së bashku me tre katër vetura mes errësisrës, asgjësë, vorbullave të sikletshme që krijonte ndërthurja e borës me erën e fortë, por edhe njëherë instikti më tregoi se ndoshta është më mirë tu besohet të marrëve të rastësishëm, se atyre që mbajnë veshur kostume zyrtare. Tabelat e vetme që më mbetën të fiksuara në kujtesë nga kjo vozitje rrugë pa rrugë, ishin ato Fushë Milot dhe Shullaz. Më në fund, rihyra në autostradën e liruar diku pranë Fushë Krujës. Ajo ishte bosh, e braktisur nën pushtetin e akullit dhe borës dhe përgjatës saj nuk shihje asnjë makinë policie, asnjë borë pastruese, asnjë kripë hedhëse, që do të përgatisnin asfaltin për ata që që do të nxitonin mbi të pasi të çliroheshin nga bllokimi i disa kilometrave më larg. 

Gjithçka dukej si e vdekur. Të vetmen shenjë fuknksionimi dhe jete e rezatonin pikat e karburantit “Kastrati”, që pavarësisht acarit dhe stuhisë, llamburisnin anës rrugës si monumente të denjë të kapitalizmit shtetëror shqiptar.  

Por surprizat nuk kishin mbaruar. Në orët e para të mëngjesit, kur më në fund mbërrij në shtëpi, kurioziteti për ata që kisha lënë aty në superstradën e veriut më grishi të hap internetin. Zbulova dy gjëra. E para, ata gjendeshin ende aty. Dhe tjetra, ironia më e madhe, ministrja Balluku hipur mbi një borëpastruese jepte mesazhin se shteti qe në këmbë për të ndihmuar qytetarët e vet. Edhe më qesharake e bënte filmin e saj mënyra se si ministrja i raportonte Ergysit të rrugëve sesi qeveria po ndimonte dhe bashkitë. Dukej sheshit se nuk flisnin për punë, thjeshtë aktronin para kamerave.

Aty nuk durova. U ula dhe shkruajta ca rreshta që të nesërmen do më kushtonin përmendjen e emrit tim në gojët e përdala të shefit të qeverisë dhe ministres së tij të rrugëve. 

Pak a shumë ajo që shpreha ishte se situata qe e vështirë, se e dimë që kemi këtë shtet copë-copë, që në emergjenca të tilla s’ka këllqe ti vijë në ndihmë qytetarit, madje se ai i tillë ka qenë edhe para rilindjes e me gjasë kështu do të vazhdojë edhe pas vdekjes së saj, por pavarësisht nga kjo ky shtet një mundësi e kishte. Mos bënte teatër me ne. Mos na trajtonte si budallej. Në thelb ideja ishte: e kuptojmë që kemi një administratë me të mbathura nëpër këmbë, nuk pretendojmë të na ndihmoni, por ama kemi të drejtë të pretendojmë që mos na tallni. Më kishte qëlluar vetë ta prekja nga Hani i Hotit deri në Tiranë mungesën totale të shtetit. Kisha bërë si kisha bërë dhe ia kisha dale bashkë me disa të tjerë. Por ama të shikoja pas kësaj edhe teatrin mbi borë pastruese të Belindës, ishte pak si tepër. Kaq shfryva dhe rashë të flija. 

Të nesërmen i pari u përgjigj Edi Rama. Ishte i mjerë dhe njëkohësisht qesharak si gjithmonë kur është në hall. Më fajsonte në një Twitter se s’kisha patur zinxhirë për goma për të vozitur mbi akull, prandaj kisha ngelur në rrugë dhe se po shërbeja si zinxhir gome për ardhjen e Lulit në pushtet. 

Dëshmonte aq injorancë, pandjeshmëri për ata qindra qytetarë që patën një fat shumë më të keq bllokimi se unë, sa nuk dinte edhe arsyen reale se përsa ata e kaluan natën në rrugë. 

Në një ekses zelli për lëpirje ndaj kryeministrit (video poshte) duke dashur të merrej me mua, Belinda Balluku kishte nxjerrë mashtrues dhe shefin e saj. Në prononcimin e vet ajo nuk etiketonte si shkak të asaj që ndodhi zënien e rrugës nga bora dhe ngrica, pra që sipas Ramës po të kishim zinxhirë do e kalonim, por faktin se ishin përmbysur makina të tonazhit të rëndë.

Po si ishte e mundur që kryeministri të mos dinte pas shumë e shumë orësh shkakun e vërtetë se përsë mbetën rrugëve mijra qytetarë? Mos vallë se ishte i zënë me regjinë e filmit të vallzimit të Belës mbi borëpastruese? Pse ai luante me batutat tallëse – që përdor në kështu rastesh – për ata që dalin mbi ngricë pa zinxhirë?

Thjeshtë si interesonte e vërteta se po përpunonte manipulimin, apo aq i bënte versioni i saktë, sepse ajo që i duhej ishte krijimi i një polemike të kotë me Lulin apo me Andin e radhës, për t’iu shmangur thelbit të problemit?

Këto pyetje që i bëja vetes sot, janë dilema që në fakt i shtroj sa herë që e shoh qeverinë në përpjekjet manipulative për të menaxhuar një skandal. 

Ajo vepron gjithmonë po njësoj. 

Ndërsa këtë herë ai që kishte ndryshuar pozicion isha unë. Nuk gjendesha më në rolin e ftohtë të gazetarit që pasqyron versionet e palëve. Jo, këtë radhë fati më vuri rastësisht në pozicionin aspak komod të qytetarit në vështirësi, të cilit shteti i vet nuk gjendet pranë.

Prandaj dhe pyetjet që do shtroj nga ky kënd janë të tjera. 

Ç’mendon një familjar i mbetur mes katër rrugëve kur e dëgjon Ramën të thotë se faji është i tiji që nuk përdor zinxhirë? A gënjeht dot ai që s’ka marrë asnjë asistencë nga teatri i Ballukut mbi borëpastruese? A i hyjnë në sy atij që ka kaluar një hall, replikat me batuta kundër opozitarëve dhe gazetarëve?

Ata që e kanë ndjerë mbi shpinën e tyre angazhimin e ekipit të rilindjes, si për kapriçot e motit, si për lëkundjet e tokës, si për valët e pandemisë, e kanë të pamundur ti besojnë propogandës së saj.

Unë isha dje njëri prej tyre. Ndaj batutat kaps të Ramës nuk më bëjnë të qesh, por më shkaktojnë mëshirë dhe neveri./Lapsi.al

Share: