Home KRYESORE “Le të tmerrohen të gjithë, do keni shpejt fakte”! Ilir Meta i...

“Le të tmerrohen të gjithë, do keni shpejt fakte”! Ilir Meta i kthehet Gjiknurit e Ramës

Presidenti Ilir Meta ka shpërthyer me tone të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe deputetit socialist, Damian Gjiknuri, pas deklaratave të këtyre të fundit të bëra sot nga Vlora.

Lidhur me deklaratën se Presidenti ka shkuar fshehurazi në Vlorë, Ilir Meta sfidoi Ramën dhe Gjiknurin, duke iu thënë se mund të shkojnë të gjithë bashkë dhe të takohen në Sheshin e Flamurit.

Kreu i Shtetit tha se në Vlorë ka shkuar në mes të ditës, pasi e kanë kërkuar vetë banorët e Selenicës, për të diskutuar për rrugën, dhe sipas tij, në takim kanë qenë 200-300 veta.

“Kalojmë të vizitat e mia në Vlorë. Unë Vlorën e kam dhe do ta kem në zemër. Zotërinjtë e duan Vlorën për ta futur në xhepat e tyre. Ngaqë iu janë fryrë xhepat, iu duket Vlora e vogël. Iu duket aq e vogël Vlora, sa kanë çuar dhe atë Afrimin e Unazës. Nuk kam shkuar unë në Selenicë, por ka ardhur Selenica këtu, kanë ardhur përfaqësuesit që kanë bërë peticion, pse është hequr projekti për rrugën e tyre, që ishte financuar nga sauditët. Ata u mashtruan. Presidenti nuk ka ikur fshehur, por në mes të ditës. Ka takuar gjithë përfaqësuesit atje, i ka dëgjuar shqetësimet e tyre. Jam gati të shkoj në çdo moment, edhe me këta, për t’u takuar me përfaqësuesit e Selenicës, jo me drejtorët e Vlorës. E kërkuan banorët nga Vlora deri në Orikum Presidentin, pasi pronat e tyre prekeshin nga një projekt i ri. Për këtë çështje kanë kërkuar dhe Avokatin e Popullit dhe po pres raportin dhe do të shkoj sërish. Ka një ligj për konsultimin publik, për çdo vepër publike që bëhet. Çdo gjë duhet bërë transparente.
Unë kam qenë se ata më kanë kërkuar, dhe kanë qenë 200-300 veta atje me shqetësime reale. Kur të kenë dëshirë, kur të dojë Damian, të marrë dhe Gurunë me vete, të shkojmë në Selenicë t’i takojmë banorët. Presidentin e kërkoi populli. Presidenti vete në Vranisht ditën, po vete dhe natën. Në rastin konkret ka vajtur ditën, por po shkova natën do lajmëroj Damian. Presidenti lëviz gjithmonë në mes të ditës si president i popullit, jo si president i Bllokut me 400 makina, sirena e drita. Presidenti që keni këtu nuk ka frikë nga populli, do dal edhe në mes të Vlorës, në mes të Elbasanit, në mes të Librazhdit. Po dëshiroi Taulanti të më ftojë atje, do vete. Ata të mos merren me këto gjëra, por të merrem me pandeminë, të blejnë pajisje. Nuk vazhdohet në këtë mënyrë. Duhet seriozitet për pandeminë, ekonominë, dhe për zgjedhjet dhe standardet e zgjedhjeve.

Janë shqetësuar nga mesazhet e presidentit, le të shqetësohen dhe tmerrohen të gjithë ata që mendojnë se do të bëjnë tërmet, si në Dibër e kudo. Qofshin punonjës police apo banditë, gjithçka qofshin. Zgjedhjet e para katër vitesh kanë qenë të manipuluara, e di gjithë bota. Dosjet u bënë ping-pong. Se paska frikë presidenti nga Damian, që të shkojë fshehurazi në Vlorë. Kur të dojë Damian të marrë edhe Gurunë e gjatë dhe atë Gurunë tjetër e të dalin te Sheshi i Flamurit. Le të marrin edhe drejtorët e Hipotekave, se e di gjithë Vlorë se çfarë kanë bërë e po bëjnë me pronat. Nuk janë sheikë që do vijnë aty, por janë tjerët që do vijnë përmes sheikëve. Do të keni shumë shpejt fakte”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Share: