Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, komenton deklaratat e kryeministrit Edi Rama të bëra ditën e djeshme nga Saranda, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët.
Në një reagim të gjatë, Idrizi thekson se dje “Rama e lëshoi gojën jo sikur të ishte kryeministri i Shqipërisë, por si llazorja e dikurshme e pazarit që përgojon e shtrembëron emra e pasthirrma”.
Reagim i Kreut të PDIU-së, Shpëtim Idrizi
Rilindasi Edvin Rama dje në Sarandë, si “cjapi që po i vjen ngordhja”, e lëshoi gojën për të gjithë ata që publikisht kanë qenë të shqetësuar nga piruetat e tij të rrezikshme me Greqinë. Një nga ata që u anatemuan se kishin shqetësuar kot dynjanë dhe “faraonin” për zgjerimin nga 6 në 12 milje të detit territorial grek në drejtim të Jonit dhe Shqipërisë, isha dhe unë.
“Faraoni” që nuk skuqet kur i bën avokatinë Greqisë, “që ajo ka të drejtë dhe nuk e ka me ne”, e lëshoi gojën jo sikur të ishte kryeministri i Shqipërisë, por si llazorja e dikurshme e pazarit që përgojon e shtrembëron emra e pasthirrma, gjë që më kujtoi Gëzim Kulufin e viteve ‘80-‘90-të, që vërtitej nëpër Tiranë e s’linte njeri pa ngacmuar, por gjithsesi ishte më i mirë se ky, se nuk bënte dëme.
Arroganca e Ramës është e pashembullt në komplekset e veta. Ai kur ka ndonjë funksionar të lartë grek a serb afër, apo kur është afër Greqisë, buzë detit, u vetëserviloset me dëshirë dhe sulmon bashkëpatriotët e vet, të cilëve ka detyrimin t’iu bëjë transparencë kur bëhet fjalë për kufijtë e Shqipërisë të mbrojtur me jetë njerëzish të pafajshëm, apo dhe të Çamërisë të sakrifikuar për këtë Shqipëri politike që kemi sot.
Rama nuk e ka për herë të parë këtë: është “luan” me bashkëkombasit e vet dhe kone me Greqinë.
Të njëjtën gjë bënte kur në krah të të parit të Serbisë Vuçiç, telendiste liderat e Kosovës me radhë, aq sa hodhi në gjyq edhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
Ndërkohë po ky “luan” i kërkonte Presidentit serb, numrin e telefonit të Mihajlloviçit, që t’i shkruante një letër meraku e solidariteti kur ishte sëmurë. Për të gjithë ata që nuk e dinë, ish-futbollisti i Interit ishte miku i ngushtë i kriminelit të luftës, Arkanit, që përplasej ashpër në fushë dhe jashtë saj, kur Kosova çlirohej nga NATO dhe UÇK-ja.
Më duhet të të këshilloj ta lidhësh gjuhën, Edvin Rama! Unë e kam emrin Shpëtim Idrizi, emër që ma kanë vënë gjyshërit e mi, dhe nuk e kam ndërruar ndonjëherë si ti nga Edvin në Edi. Andaj ta përsëris, lidhe gjuhën se pastaj do të më detyrosh ta zgjidh unë e ne njihemi mirë bashkë.
Jashtë natyrës time e aq me pak në publik, m’u desh t’i shkruaj këto rreshta të parë, jo se nuk di apo s’mundem , por si kryetar i PDIU-së, më interesojnë më shumë ato që kanë rëndësi për shqiptarët.
Për qytetetarët shqiptarë është me rëndësi të dinë:
– Pse hesht si greku më i mirë për “Ligjin e Luftës” që Greqia mban në këmbë me vendin ku ti je kryeministër, teksa na ishe betuar që s’do shkoje në Greqi pa u hequr ky ligj dhe pasojat e tij mbi shqiptarët?
– Çfarë të detyroi të shkosh dy herë në Athinë, ku njëherë të servirën një drekë të bukur e herën tjetër një darkë të shijshme, siç je shprehur vetë?
– Pse e hoqe nga programi i qeverisë në vitin 2017 zgjidhjen e Çështjes Çame, që e kishe në programin e PS-së dhe atë qeveritar në 2013?
– Pse nuk e kundërshtove Greqinë, kur ajo me dekret zgjeroi ujrat e veta territoriale nga 6-12 milje në drejtim të detit Jon dhe Shqipërisë, ndërkohë që sipas pikës 15- të të Konventës së Detit, ky zgjerim bëhet vetëm me marrëveshje?
“Kryeministri grek deklaronte në parlamentin grek: “Sot në agimin e vitit 2021, ne hedhim hapin e dytë të madh, Ajo u parapri nga hapi i parë, dekreti për gjiret e mbyllura. Ne po zgjerohemi. Vendi ynë shtrin dominimin e tij në detin Jon në 12 milje. Unë kisha njoftuar zgjerimin e ujrave tona territoriale që nga Gushti”.
– Pse Greqia pas 87 vjetësh, që nga ligji i kufirit të Greqisë, apo 39 vjet pas Konventës për Detin të vitit 1982, zgjeron ujrat territoriale nga 6-12 milje në drejtim të Shqipërisë me ty kryeministër?
– Kush ta jep të drejtën pa pyetur askënd, që çështjet e sovranitetit dhe integritetit t’ia delegosh një gjykate të huaj? Pse po shkon në Gjykatën e Hagës e jo të Hamburgut, siç e përcakton Konventa e Detit? Po të kujtoj që në një rast të ngjashëm të konfliktit Kroaci-Slloveni, për t’ja deleguar sovranitetin territorial një gjykate të huaj, Sllovenia shpalli referendum kombëtar. Ti pse nuk e bën?
– Përse varrezat e ushtarëve grekë që erdhën si pushtues në Shqipëri, pasi ulën flamurin shqiptar e vunë tabelat greke, u ndërtuan pikërisht tani në kohën që ti je kryeministër, në kundërshtim me Traktatin e Vienës të vitit 1949, që trupat e rënë në një territor tjetër duhet të zhvarrosen dhe të kthehen në vendin amë?
– Përse nuk ke kërkuar kurrë ngritjen e varrezave për shqiptarët e Çamërisë që dergjen në varre pa emër në Çamëri? Apo dhe për ty si për qeverinë greke ushtarët e vrarë grekë vlejnë më shumë se mijëra shqiptarë të Çamërisë të masakruar në shtëpitë e tyre?
– Pse s’ke shkuar kurrë të vendosësh një tufë lule në “Varrezat Monumentale të Kllogjerit”, ku dergjen 2900 shqiptarë të Çamërisë, që vdiqën nga uria e sëmundjet në territorin shqiptar? Këto varreza i kishe vetëm disa kilometra nga vendi ku përgojoje pasardhësit e tyre?
– Pse nuk i jep statusin e varrezave historike “Varrezave Monumentale të Kllogjerit”, kërkesë e kahershme e Shoqatës Patriotike “Çamëria” dhe PDIU-së, status ia ke dhënë varrezave të ushtarëve grekë?
– A të skuqet pak fytyra kur shkon në Bashkinë e Çamërisë, në Konispol, me flamurin grek nga mbrapa, bashki që e kishe zhdukur nga harta territoriale në projektin tënd të Rilindjes dhe e kishe bashkuar me Bashkinë minoritare të Finiqit? Falë ndërhyrjes së PDIU-së, jo tënden, sot Bashkia e Çamërisë egziston.
– Pse nuk e zbaton Rezolutën për Çamërinë të vitit 2004, kur kishe premtuar me zë e figurë në vitin 2013 që do bëje një Rezolutë tjetër e çdo 6 muaj do raportoje si kryeministër në Parlament për Çështjen Çame?
– A është e vërtetë që ke rënë dakort të barazosh emrin e shenjtë Çamëri me Vorio-Epir dhe ta heqësh emrin Çamëri nga tekstet e Historisë së Shqipërisë?
– Pse hesht si greku më i mirë kur qeveria greke me Vendim të Këshillit të Ministrave përcakton si minoritarë dhe banorët e Mursisë, Xarrës, Vrinës, Shkallës dhe Çiflikut në Konispol; Zvërnecit në Vlorë; qytetin e Himarës dhe fshatrat Muzinë, Pecë, Kardhiq në Delvinë?
– Pse i ke premtuar Greqisë që censusi i ardhshëm të bëhet me të drejtën e vetëdeklarimit, që PDIU me amendamentet e saj në Ligjin për Censusin dhe shqiptarët e hodhën poshtë 10 vjet më parë?
– A u ndje i kënaqur prej teje, ministri i jashtëm grek Dendias, kur në protestën e Shoqatës Patriotike “Çamëria” para Ministrisë së Jashtme shqiptare, një pjesë e policisë tënde, me egërsi që do t’ia kishte zili dhe ajo greke, dhunonte, godiste dhe arrestonte 25 anëtarë të Shoqatës Patriotike “Çameria”?
Kam edhe shumë pyetje të tjera si ligji për minoritet, ku e nxorre Shqipërinë me 9 minoritete, apo ligji për toponimet që iu heq vendlindjen Çamëri pleqve 80 vjeçarë çamë? Por u bënë si shumë e për sot mjaftojnë.
Për ta mbyllur po të kujtoj:
Unë nuk e ngrita kurrë traun para 17 vjetësh, as kur ti ma kërkoje për miqtë e tu; kurse ti e ngrite traun për 350 mijë bij nënash që të iknin nga Shqipëria prej teje e grabitësve të tu, dhe po ti e ule traun për 2 milionë shqiptarë të Kosovës.
(BalkanWeb)