Situata e pandemisë në vend është përkeqësuar. Prej disa ditësh po regjistrohen shifra të larta të të infektuarve ndërkohë që sot nga Kuvendi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se ditën e djeshme ka shkuar në 500 numri i personave të shtruar në spitalet COVID. Në këto kushte ministrja bëri me dije se do të aktivizohen spitalet rajonale.
“Dje kemi arritur më shumë se 500 të shtruar në 4 spitalet COVID. Nga sot do të aktivizojmë spitalet rajonale të Durrësit dhe Shkodrës. Dhe më tej me Vlorën, Korçën dhe Elbasanin. Më pas vijojmë në skenarët e tjerë sipas planit. Sot vijnë 7020 vaksina nga Pfizer. Ne do të vazhdojmë të lëvizim çdo gur. Është i natyrshëm mosbesimi dhe e mirëkuptuar mërzia. Është normal ankthi. Duhet të jetë i natyrshëm edhe mirëkuptimi i qytetarëve. Premtimet e çudibërësve që nuk kanë asgjë në dorë dhe nuk kanë respekt për peshën e fjalës nuk janë zgjidhje. Zgjidhjen do ta gjejmë siç kemi bërë deri sot bashkë”, tha Manastirliu.