Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar, pas denoncimit të bërë nga një familjare që shprehej se nuk po i jepnin sendet personale të të atit. Vajza e pacientit me koronavirus denoncoi më herët gjatë ditës se i kishin humbur sendet personale të të atit gjatë kohës kur ai është transferuar nga spitali COVID-1 në atë COVID-3.
Ajo u shpreh se dhanë vetëm varësen ndërsa portofolin dhe unazën e tij nuk i kishin gjetur. Sipas saj në momentin kur ka shkuar për t’i tërhequr i kanë thënë se ia kanë çuar te spitali COVID-3 ndërsa më pas i është thënë se i ka marrë vajza.
Në sqarimin e bërë, QSUT shpjegon hapat që ndiqen me sendet personale të pacientëve, që sipas tyre shoqërohen edhe me procesverbale.
Në reagim thuhet se pacienti R.V është paraqitur në Urgjencën e Shërbimit Infektiv më datë 14 Shkurt 2021 në orën 12:45 dhe regjistruar në regjistër me nr. 990. Më tej sqarohet se ditën e sotme u paraqit një zonjë që u prezantua si e bija e pacientit dhe se sendet zonjës iu dhanë pasi paraqiti mjetin e identifikimit.
REAGIMI I QSUT
“Pershendetje te nderuar, Me poshte nje sqarim per mediat lidhur me intervisten e dhene sot nga nje zonje qe pretendonte se i ishin vjedhur sendet e babait.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në vijim të akuzave të hedhura nga një zonjë sot në oborrin e spitalit, mbi sendet personale të të atit, dëshiron të sqarojë publikun si vijon:
Pacienti R. V është paraqitur në Urgjencën e Shërbimit Infektiv më dt 14 Shkurt 2021 në orën 12:45 dhe regjistruar në regjistër me nr 990.
Në Urgjencë, në zbatim të Urdhrit nr. 44 pacientit i hiqen të gjitha sendet me vlerë dhe ruhen në vendin e paracaktuar në Urgjencë sipas proces verbalit dhe transferohet në pavion në kat 3.
Në dt 15 Shkurt 2021, në orën 17:23 në zbatim të urdhrit për transferim sipas listës respektive referuar nga Shefja e Sherbimit, pacienti R. V transferohet nga kati 3 i Shërbimit Infektiv-Njësia Covid 1 për në Njësinë Covid 3 -Zona B (shtrimi nr 14 në listën e transferimeve).
Në pavion dorëzohet me proces verbalin përkatës.
Sot më dt 16 shkurt 2021 paraqitet një zonjë e cila prezantohet si e bija e pacientit për tërhequr sendet personale. Kryeinfermierja i kërkon kartën e identitetit të cilën nuk e kishte me vete. Zonja në fjalë rikthehet e pajisur me kartë identiteti dhe paraqitet tek Kryeinfermierja e Urgjencës Infektiv e cila i dorezon sendet personale të dëshmuara dhe në procesverbalin e firmosur nga vetë ajo. Njoftojmë qytetarët se pranë Drejtorisë Qendrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndodhet Zyra e Marrëdhënieve me Publikun, ku ata mund të drejtohen për çdo paqartësi dhe ku do të marrin të gjithë informacionin e nevojshëm.”
Vetë gruaja tha se sendet personale të të atit i mori pasi e kishte bërë denoncimin në media.
“I mora sendet e mia. Erdha dje për t’i marrë nuk mi dhanë, tani i nxorën pas denoncimit në media tani i morëm. Më thanë në mëngjes nuk i ke këtu, por pastaj ma dhanë portofolin me lekë. Tani që m’i dhanë nuk më thanë asgjë. Kam qenë e para këtu në orën 10 dhe më thanë nuk i ke këtu. Këta gënjejnë vetëm gënjejnë . Edhe ushqimet nuk i ka marrë babai. Është koordinatorja që i kishte, jo mjekët. Ai është me oksigjen, është i vjetër. Dita e dytë sot“, është shprehur ajo. sb/abcnews.al/