Home KRYESORE Pas 5 shtatorit, detyrimisht 23 shkurti gjithashtu duhet vendosur në kalendar si...

Pas 5 shtatorit, detyrimisht 23 shkurti gjithashtu duhet vendosur në kalendar si festë kombëtare dhe ditë pushimi

Nga Armir Shkurti

Shpallja e gjykatësit Dvoranit “kampion i antikorrupsioni” prej Departamentit Amerikan të Shtetit shoqe në histori ka vetëm shenjtërimin e Nënë Terezës!

Me ngazëllim të parrëfyeshëm mësuam sot se paskësh patur një kampionat botëror kundër korrupsioni. Ama jo lëng groshe, por çmuar nga vendi më demokratik i botës: Amerika!

Kënaqësinë e bën më të ëmbël ndershmëria e gjykimit të arbitrit. Departamenti Amerikan nuk ka mbajtur me hatëre vende të mëdha e me peshë si Gjermania, Ingliterra apo Rusia, Brazili, Zvicra… Jo mor jo! Nga Shqipëria, Ekuadori, Mikronezia, Guatemala, Guinea, Kirgistani, Sierra Leone etj i ka zgjedhur MË TË MIRËT ( ku hyn me lavdi edhe gjukatësi ynë!)

E marr me mend sa e zorrçme ka qenë për Shqipërinë! Se kur në një vend ke vetëm një a dy që lëftojnë me të keqen është kollaj fare! Ama mes një populli ku i madh e i vogël ka 30 vjet me dajak në dorë kundër kortupsionit… për besë të zinjtë e ullirit kanë hequr amerikanët në këtë kampionat për të pikasur më të mirin, them unë!!

Korrupsionit iu qep Saliu, vazhdoi Fatosi, u kthye Saliu, e vazhdon Edi, Iliri, Erioni, Monika, Prokuroria, (policia po se po!) Gjukatat, mjekët… mor i madh e i vogël!!

Ma do mendja që një punë të madhe do ketë bërë ambasada këtu! E , po të qe për mua, kampionatin, para Dvoranit, ia jepja pa fjalë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë!! Ata bënë reformën në drejtësi, leri llafet!!

…. Vetëm se mbase nuk vete që Amerika të shpallë Ambasadën e saj në Tiranë “kampione të antikorrupsionit” në Shqipëri.

Unë, në emër të bashkëatdhetarëve ende të mbetur në Shqipëri, i shpreh mirënjohjen më të thellë Amerikës për këtë vlerësim dhe i lyp me përunjësi të na bëjë edhe një nder! E bëre që e bëre… a s’na e vë President këtë kampionin? Ky kadi është. Le të bëhet edhe vali. Natyrisht, ne nuk jemi koloni dhe i zgjedhim vetë institucionet dhe autoritetet. Por një fjalë e mirë që andejzaj, mund t’i shtinte ndërmend punëra të mira devletit tonë sovran!

Share: