Home KRYESORE Testohet pajisja që “spiunon” votimin e paligjshëm, projekti kalon provën e KQZ

Testohet pajisja që “spiunon” votimin e paligjshëm, projekti kalon provën e KQZ

Është testuar sot në Tiranë pajisja e Smart Matic, e cila do të vendoset në çdo qendër votimi dhe do të spiunojë të gjithë ata që mund të duan të votojnë më shumë se një herë, apo të votojnë në emër të dikujt tjetër. Gazetarja e ABC Esiona Konomi ka demonstruar se si do të identifikohemi në mënyrë elektronike në 25 prill.

Marrja e shenjave të gishtërinjve i ndihmon KQZ në përfundim të votimit për të parë nëse një votues ka votuar në më shumë se një qendër votimi. Dhe në fund grumbullimi i tyre do të mund të zbulojë nëse ka shkelës të ligjit që duhet të përballen me përgjegjësi penale.

“Në rast se verifikohet që një votues ka votuar në disa qendra votimi ose për llogari të një votues tjetër ka përgjegjësi të rëndë penale. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe ky është qëllimi i këtij projekti. Së pari është saktësia dhe koha më e shkurtër që duhet për të verifikuar identitetin e votuesit krahasuar me mënyrën e vjetër”, shprehet Ilirjan Celibashi.

Pajisja ka aftësinë të zbulojë nëse një votues tenton të votojë më shumë se njëherë duke lëshuar një sinjal. Ajo zbulon edhe rastet kur votuesi i drejtohet qendrës së gabuar të votimit.

Pas këtij demonstrimi, palët e konsiderojnë një test të kaluar me sukses identifikimin biometrik. Më 25 Prill do të eksperimentohet edhe votimi edhe numërimi elektronik vetëm në njësinë 8 në kryeqytet për të cilën janë ftuar të marrin pjesë tre kompani ndërkombëtare, mes të cilave edhe Smart Matic e cila po garanton në mbarë vendin identifikimin biometrik./mv.abcnews.al

Share: