Home Gjeo-Ekonomia Detyrimet e prapambetura rriten brenda një muaji me 10 mln euro

Detyrimet e prapambetura rriten brenda një muaji me 10 mln euro

Rritja e detyrimeve të prapambetura (faturat e pashlyera në kohë nga thesari për mallra dhe shërbime) ka hyrë në një trajektore të qëndrueshme rritjeje.

Të dhënat zyrtare mujore nga Ministria e Financave referojnë se në muajin janar të këtij viti stoku i detyrimeve të prapambetura arriti në 15,3 miliardë lekë me një rritje mbi 1,3 miliardë lekë (10,7 milionë euro) brenda muajit.

Të dhënat tregojnë se stoku i detyrimeve u rrit për të katërtin muaj radhazi, që nga shtatori i vitit 2020, ku treguesi shënoi 11,3 miliardë lekë.

Rritja e borxhit të fshehur u udhëhoq nga detyrimet ndaj investimeve në infrastrukturën publike. Në fund të janarit stoku arriti në 5,8 miliardë lekë me një zgjerim prej 15 % në raport me muajin dhjetor. Detyrimet ndaj infrastrukturës zunë 38 për qind të stokut, ndërsa fatura të tjera të pakategorizuara zunë 62 për qind të stokut me një vlerë prej 9.3 miliardë lekësh me një zgjerim 6% në raport me muajin dhjetor të vitit 2020.

Ministria e Financave nuk ka përfshirë të gjitha kategoritë e detyrimeve të fshehura, pasi në tabelat fiskale ka lënë të përjashtuara borxhin e akumuluar nga pushteti vendor, gjykatat e Arbitrazhit etj të cilat e dyfishojnë faturën.

Borxhi i fshehur përbën kërcënim potencial për stabilitetin e fiskal të vendit pasi shifra e vërtetë është më e lartë se deklarimet zyrtare të Ministrisë së Financave.

Fondi Monetar Ndërkombëtar përllogariti se, në vitin 2019 detyrimet e prapambetura ishin rreth 200 milionë euro.

Ndërsa, Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimit që i ka bërë zbatimit të buxhetit të vitit 2019 ka gjetur se detyrimet e prapambetura të pakontabilizuara në llogaritë e borxhit publik arritën në 72.3 miliardë lekë ose gati 600 milionë euro.

Sipas KLSH në shumën prej 72.3 miliardë lekësh të akumuluar deri në fund të vitit 2019, pjesën më të madhe të detyrimeve e zënë ato për projektet e investimeve, mallra, shërbime, vendime gjyqësore të brendshme nga punësimi dhe të tjera me vlerë 24.4 miliardë lekë ose 198 milionë euro. KLSH thotë se qeveria i ka nën- raportuar me së paku 7 miliardë lekë këto detyrime. Pasi janë gjetur një duzine faturash nga tatimet, doganat, AKSHI, Fondi i Zhvillimit dhe bashkitë që nuk është raportuar dhe mbi 19 miliardë lekë të cilat KLSH i ka përllogaritur duke marrë në konsideratë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe Arbitrazhit.

Kontrolli i Lartë i shtetit e ka lajmëruar Kuvendin e Shqipërisë në një raport të posaçëm se detyrimet e prapambetura të qeverisë janë shumë më të larta se raportohen. KLSH lajmëroi deputetet në Kuvend se Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka humbur kontrollin mbi saktësinë e shumave të detyrimeve të prapambetura të krijuara, të mbartura dhe gjendjes në fund të vitit./ Monitor

Share: