Home KRYESORE Dinastia që u martirizua nga tri regjime/Flet Dine Fratari, pinjoll i familjes...

Dinastia që u martirizua nga tri regjime/Flet Dine Fratari, pinjoll i familjes së njohur

Nga Afrim IMAJ

Ganimet (Gjilani) Fratari me të shoqin, majorin Rauf Fratari

Atentati ndaj të arratisurit në SHBA me porosi të Sigurimit.

Dine Fratari, 70-vjeçari nga Mallakastra, pinjoll i fisit të njohur nga fshati me të njëjtin emër, e shfaq qysh në fillim krenarinë për të parët e vet, duke përmendur telegfarisht kontributet e tyre për pavarësi dhe prosperitet kombëtar.  Në fakt, biografia e dinastisë Fratari, së paku dy shekujt e fundit, ka qenë e tillë, që u bën nder jo vetëm pasardhësve të vet. Veçanërisht prania dhe roli në momentet kyçe të historisë kombëtare shënjon kreshpat më të larta në trajektoren e jetëshkrimit të tyre.

Ndoshta për këtë arsye, Dine Fratari, trashëgimtar i dinastisë së shquar, e rendit në vend të parë emrin e gjyshit, Hajredinit, mikut të ngushtë të Ismail Qemalit dhe njërit prej firmëtarëve të Aktit të Pavarësisë. Po kaq dinjitoz për të mbetet historia e të atit, Raufit, ish-majorit të Gardës Mbretërore, diplomuar në Modena të Italisë, rreshtuar ndër të parët në Lëvizjen Antifashiste dhe pjesëmarrës në Konferencën e Pezës e të Mukjes në krah të Abaz Kupit. Krenaria për paraardhësit dhe burrat e tjerë të fisit me të njëjtin emër te 70-vjeçari Fratari bashkëjeton me brengën për fundin e tyre, si viktima të hakmarrjes së Haxhi Qamilit, fashizmit dhe Sigurimit të Enver Hoxhës, vorbulla e së cilës e ka përfshirë edhe atë. Gjatë rrëfimit për “Panorama”, Fratari, njëherazi me historinë e paraardhësve, kujton odisenë e vuajtjeve pas arratisë së të atit dhe zyrtarizmit të këtij të fundit si armik i popullit…

Firmëtari i Pavarësisë

Busti i deshmorit te atdheut, Hajdredin Fratari ne oborrin e shkolles me te njejtin emer, ne fratar te mallakastresHajredin Rakip Fratari me Sabire Fratarin, emrin e së cilës e trashëgoi vajza e Rauf Fratarit

Gjyshi i Dine Fratarit, Harjedini, të cilit i trashëgon emrin, është njëri nga protagonistët e aktit historik të shpalljes së Pavarësisë. Ai bëri emër e histori pas kthimit nga studimet në Stamboll, ku u diplomua në një nga shkollat e njohura për përgatitjen e kuadrove të administratës vendore. Në fillimet e veta ushtroi detyrën e nënprefektit të Pogradecit, me statusin  e nëpunësit të lartë të Perandorisë Osmane. Përtej profilit zyrtar të administratës së kohës, krijoi lidhje të afërta me atdhetarë të njohur, të angazhuar në lëvizjen për të zgjuar vetëdijen kombëtare për shkëputjen nga Turqia. Më shumë se kaq, Fratari njihet si një nga krerët e lëvizjes antiosmane që operoi në të gjitha viset e Shqipërisë. Nga jetëshkrimi i gjyshit, Dine Fratari veçon pjesëmarrjen me propozim të Ismail Qemalit e Dervish Himës në Kuvendin e Junikut, më 20 maj 1912, bashkë me Abdyl Gjirokastritin(Bakiun) e Ismail Klosin, si përfaqësues të Shqipërisë së Jugut. Me frymën e atij kuvendi, shton pinjolli i familjes Fratari, më 23 korrik 1912, bashkë me krerët e tjerë të lëvizjes së Jugut zhvilluan Kuvendin e Sinjës. Angazhimet e mëtejme në frontin e lëvizjes antiosmane e bënë një figurë të njohur e për mbarë opinionin. Pikërisht për këto merita Hajredin Fratari u zgjodh delegat i nënprefekturës së Mallakastrës në tubimin historik të ngritjes së  flamurit në Vlorë, ku u rreshtua me firmëtarët e tjerë të aktit të shpalljes së pavarësisë. Qeveria e pagëzuar në tubimin e Vlorës e caktoi nënprefekt të Skraparit. Gjatë kësaj kohe, Fratari u vu në krye të lëvizjes për të shtypur përpjekjet e xhonturqve dhe vasalëve të tyre për të rikthyer sundimin osman. Nga Skrapari u kthye në Mallakastër në fillimin e vitit 1914, kur Prefektura e Beratit u pushtua nga rebelët e Haxhi Qamilit, shpjegon nipi i Fratarit. Me rikthimin në vendlindje, Hajredin Fratari mbyllte kapitullin e shërbimit në administratën zyrtare, por jo atë në interes të çështjes kombëtare. I udhëhequr nga doktrina personale “shqiptarët kanë gjuhën e nënës për të folur shqip, kanë zemrën e babës për të qëndruar si burrat dhe jetën e tyre që u duhet për atdheun”, nuk u tërhoq për asnjë çast nga kauza e mikut të tij Ismail Qemalit, madje as përballë kërcënimeve nga më çnjerëzoret. Pikërisht në kulmin e këtij aksioni atdhetar, forcat e Haxhi Qamilit, që e ndiqnin këmba-këmbës, e arrestuan dhe e ekzekutuan pa gjyq bashkë me bashkëluftëtarët e tij Abdul Gjebrea (Gjirokastriti) e Ismail Kolosi. Homazhet e para në nderim të tyre, kujton nipi i Fratarit, u zhvilluan në vitin 1928, në ceremoninë përkujtimore të 10-vjetorit të pavarësisë, ku Monarkia i nderoi me  titullin “Dëshmor i Kombit”. Pinjolli i familjes Fratari vlerëson si pjesë të çmuar të integritetit moral të gjyshit të tij, kontributet e spikatura të bashkëshortes, Sabiresë mbesës së poetit të shquar Naim Frashëri, që ishte diplomuar në shkollën “Robert College”, në Stamboll të Turqisë. Një biografi po kaq dinjitoze, sipas tij,  pati edhe i biri, Rauf Fratari, që operoi në vitet e Monarkisë dhe ato të Luftës së Dytë Botërore…

Delegati i Pezës dhe Mukjes

Rauf Fratari me të shoqen, Ganimetin (1943)

Rauf Fratari ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Modenas në Itali. Gjatë Luftës shërbeu si agjutant i Abaz Kupit. Mori pjesë në Konferencën e Pezës dhe atë të Mukjes. Në nëntor të vitit 1944 u largua nga Shqipëria. Vdiq në rrethana misterioze në Nju Xhersi të SHBA-ve në vitin 1973. I biri i tij, Dinja, thotë se ishte shok fëmijërie i Mehmet Shehut. Bashkë kishin bërë shkollën fillore e unike (shtatëvjeçare). Po bashkë ndoqën studimet në Itali. Raufi në Modena e më vonë në Romë. Mehmeti në Napoli, në Akademinë e Nënoficerëve. Pas shkollimit në Itali, Mehmeti mori pjesë në luftën e Spanjës. Raufi u kthye ushtarak karriere në Shqipëri, në gardën e Zogut. E priti me revoltë pushtimin e vendit, duke djegur publikisht flamurin e fashizmit. E arrestuan, shton Dinja, por falë miqësisë me Fejzi Alizotin, fitoi lirinë. Refuzoi urdhrin për t’u rreshtuar në formacionet e luftës italo-greke dhe e arrestuan sërish. Ishte përsëri Alizoti, miku i familjes, që e shpëtoi nga dënimi. Me të dalë nga burgu, kujton i biri, u kthye ne Mallakastër dhe u vu në krye të qëndresës kundër okupatorëve, duke krijuar çetën e parë antifashiste të zonës, të cilën e pagëzoi me emrin e të atit, Hajredin Fratari, e më vonë Çeta Plakë e Mallakastrës. Fratari pohon se në fillimet e veta ajo u drejtua nga Raufi dhe Mehmet Shehu, të cilët ndanin detyrën e komandantit dhe komisarit, por vetëm për pak kohë, pasi Shehu nuk pranoi frymën nacionaliste për një Shqipëri me Kosovën e Çamërinë. Ky moment, sipas Fratarit, shënoi divorcin përfundimtar midis dy ish-miqve të hershëm, të rritur e të shkolluar bashkë. Që këtej, shton ai, Rauf Fratari mbeti një nga armiqtë e betuar të tij dhe të regjimit. Shehu nuk rreshti asnjëherë në sulmet kundër ish-komandantit të çetës së Mallakastrës dhe delegatit të Konferencës së Pezës e të Mukjes.

Këshilltari i Abaz Kupit

Rauf Fratari është njohur ndryshe si një nga miqtë e afërt të Abaz Kupit. Madje jo vetëm kaq, por ai ishte i zgjedhuri i tij në pozicionin e këshilltarit. Shkak i këtij raporti kishte qenë karriera ushtarake dhe integriteti  moral i Fratarit, si oficer madhor, pinjoll i një familjeje atdhetare të njohur. Nga periudha e miqësisë me Abaz Kupin, që nisi në orët e para të lëvizjes antifashiste, i biri veçon pjesëmarrjen e tyre në Konferencën e Pezës dhe në atë të Mukjes. Lidhja e Kupit me Fratarin, shton ai, vazhdoi edhe pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes. Miqësia e tyre nuk u ndërpre deri në fund të Luftës. Fundi i Luftës, për ironi të fatit, shënoi fundin e miqësisë së tyre. Prapaskenat që prishën marrëveshjen e Mukjes dhe revanshi i Enver Hoxhës për pushtet personal, sqaron Dinja, duke iu kthyer rrethanave të mëvonshme, paravendosën jo vetëm fatin e lidhjes Kupi-Fratari, por edhe arratinë e tyre jashtë Shqipërisë, që e deshën si rrallëkush. Ndryshe, hakmarrja e komunistëve do të ishte fatale, shton i biri i këshilltarit të Kupit. Shtegtimi i detyruar pati stacion të parë kampin Rexhio-Emilia, të hapur nga forcat anglo-amerikane në Itali. Pas shtatë vjetësh aty, Fratari mori statusin e azilantit politik dhe u largua në SHBA për t’u vendosur në Nju Xhers, ku jetoi i vetëm deri në fund të jetës.

Me këtë zgjidhje, thotë i biri, Raufi i shpëtoi kryqëzatës së regjimit, por jo përfundimisht. “Skifterët” e Tiranës e gjetën edhe aty. Nga investigimet e të birit dhe miqve të tij, më së fundi është mësuar se Raufi është bërë viktimë e një atentati të porositur nga Sigurimi i Shtetit në vitin 1973…

Ganimet Gjilani dhe Rauf Fratari në ditën e martesës

Majori Rauf Fratari me familjen, gruan Ganimeten, vajzën Sabiren dhe djalin Hajredinin

Familja Fratari, Ganimete Fratari, vajza Sabire Fratari (Halili) dhe djali Hajredin Fratari (I Riu)

Ganimet (Gjilani) Fratari

I biri i të arratisurit

Me arratinë në SHBA, Rauf Fratari, në një farë mënyre, mundi të shpëtojë kokën, po la peng në kthetrat e regjimit familjen: gruan Ganimete, djalin e pagëzuar me emrin e të atit dhe vajzën, Sabrie, që trashëgonte emrin e së ëmës. Megjithatë, kujton Dinja që është ndarë me të atin në moshën dyvjeçare, sistemimi pas largimit të babait, pranë familjes së gjyshit nga nëna, një familje e njohur kjo për kontributet e spikatura në Luftën Nacionalçlirimtare, u bë një rrethanë lehtësuese që na shpëtoi nga internimi. Për Fratarin, falë mbështetjes së gjyshit Avni dhe dajës Feti Gjilani, qëndruan në Tiranë e u shpëtuan goditjeve të regjimit, së paku rrebeshit të parë pas lajmit për arratinë e bujshme dhe zyrtarizmin e të atit në listën e armiqve të popullit. Nga bashkëjetesa me familjen e dajave, djali i të arratisurit në SHBA, mundi të përfitojë bursë për t’u diplomuar  me rezultate në shkëlqyera në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. Sidoqoftë, kujton Fratari, makthet e goditjes dhe kufizimeve të regjimit na ndiqnin hap pas hapi. Trysninë më të madhe, sipas tij, e përjetonte e ëma, e cila kishte mbaruar institutin femëror “Nëna Mbretëreshë” dhe njihte disa gjuhë të huaja, por nuk e sistemuan kurrë me punë. Në këto kushte, djali i të arratisurit pas luftës, nisi karrierën e inxhinierit, duke ndërruar kantieret e ndërtimit, fillimisht në Pukë e më vonë në Tepelenë, ku projektoi e ndërtoi objektet më të rëndësishme publike të tyre. Në Tepelenë, shpjegon ai, u njoha me lajmin për vdekjen e babait, pa marrë vesh rrethanat në të cilat ndërroi jetë. Me të, sipas Fratarit, deri në vitin ‘70, familja shkëmbente letra, por më vonë shteti e ndaloi në mënyrë kategorike korrespodencën me të arratisurit. Për regjimin, lajmi për vdekjen e Raufit nuk përbënte lajm dhe si i tillë nuk mund të fashiste hijen e fantazmës së tij. Trajektorja e saj shoqëronte hap pas hapi të birin, duke e mbajtur në vëzhgim të pandërprerë, si kontingjent të armikut të klasës. I pafuqishëm të përballej me të, Dine Fratari nuk iu dorëzua fatit, por investoi dita-ditës për të shkëlqyer si konstruktor i talentuar. Goditja erdhi papritur, thotë i biri i Rauf Fratarit, duke kujtuar çastet kur i hodhën prangat “në emër të popullit”. Gjatë hetimeve që zgjatën një vit, e akuzuan për sabotim ekonomik dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Me këtë akuzë, në korrik të vitit 1980, Gjykata e Rrethit Tepelenë e dënoi me 20 vite burg. Plotë 20 vite firmosi edhe Gjykata e Lartë, shton Fratari, pavarësisht qëndrimit tim kundër provave të rreme dhe dëshmive të manipuluara. Që këtej nisi kalvari i tmerrshëm në burgjet e Burrelit, Qafë-Barit, Zejmenit, Ballshit, e së fundi në atë të Tiranës. Një bast i fituar i Hekuran Isait me Ramiz Alinë, thotë Dinja, u bë shkak të mbyllej para kohe kjo histori e trishtë. Ishte koha kur Alia i kërkonte Isait të ndërtonte për tri vite kompleksin sportiv “Dinamo”. Ky i fundit zotohej se do ta realizonte për dy vite. Ish-presidenti mosbesues vuri bast, por e humbi. Fratari sqaron se e ka thirrur në atë kohë ministri i Brendshëm dhe e ka pyetur për afatet. Inxhinieri, i ardhur nga qelitë e burgjeve politike, i është përgjigjur se kompleksi mund të realizohej për tetë muaj. Atëherë “O burra!” ka reaguar Isai dhe i ka vënë në dispozicion 800 të burgosur, me punën e të cilëve është mbyllur objekti para afateve të premtuara. Në euforinë e bastit të fituar me eprorin e vet, kreu i Ministrisë së Brendshme i kërkoi Fratarit të plotësonte kërkesën për t’i falur dënimin e mbetur, por ai nuk pranoi. Megjithatë, Isait i kërkova një nder, shton Dinja, duke kujtuar ndërhyrjen tek ai për të hapur procedurat gjyqësore në kërkim të pafajësisë. Falë këtyre të fundit, në vitin 1987 fitova lirinë, përfundon biznesmeni i njohur, një nga protagonistët e lëvizjes demokratike dhe rrëzimit të simboleve të komunizmit në Shqipëri.

Fratari në gjyqin e Hoxhës: Më dënoni pa faj, nuk ua fal
I fundit i dinastisë Fratari, Hajredini, (i Riu), pati rastin të demonstrojë vlerat e paraardhësve të vet, në bankën e të akuzuarve, kur e kryqëzuan për sabotim dhe agjitacion e propagandë. I vetmi peng që ka nga ajo përballje monstruoze 70-vjeçari Fratari, është mënyra si u shpërfytyrua dyzina e të njohurve që recitonte para trupit gjykues pamfletet e diktuara nga njerëzit e Sigurimit. Megjithatë, nuk pranon të përmendë emrat e tyre, duke e kaluar shkarazi me togfjalëshin magjik “të shkuara, të harruara”. Po historia e tij i kapërcen kufijtë e ballafaqimit me dëshmitarët e rremë. Përtej rebelimit ndaj tyre, Dine Fratari, siç konfirmohet nga dokumentet përkatëse, ka kundërshtuar fund e krye akuzat e montuara. Ka ndodhur kështu në procesin e Gjykatës së Tepelenës të datës 7.6.1980, por edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor të Gjykatës së Lartë, të datës 18.8.1980, ku gjyqtarët Eleni Selenica, Lumturi Resnja e Sofokli Krongo nuk i ndryshuan asnjë presje dënimit me 20 vite heqje lirie. Në dokumentin e mëposhtëm po zbardhim të plotë reagimin e Dine Fratarit në proces dhe argumentet e tij për pafajësinë përballë trupit gjykues që kishte paravendosur mbylljen në qeli të djalit të të arratisurit në SHBA…

Dokumenti
“Vendimi është i padrejtë si në ligj, edhe në prova. Unë këto dy vepra penale për të cilat jam akuzuar dhe dënuar nuk i kam kryer. Nuk kam bërë agjitacion e propagandë dhe as sabotim ndaj shtetit. Thëniet e dëshmitarëve nuk i pranoj. Me dëshmitarin Anastas C. nuk kam folur kundër shtetit. Me Thanas J. kam pasur shoqëri gjatë viteve 1968-1975, por me të nuk kam bërë biseda armiqësore. Ky dëshmitar gënjen. Ai nuk ka personalitet të mirë. Po të qe kështu, pse nuk denoncoi më përpara. Me dëshmitarin Skënder H. kam biseduar në vitin 1966 për varrezat e qytetit, por jo me qëllim armiqësor. Me dëshmitarin Gjylani Koçi, ato ia kam thënë për shaka. Nuk kam folur me dëshmitarin Ibrahim B., ashtu siç janë shkruar. Nuk kam bërë bisedë armiqësore me asnjë person. Në një bllok kam hedhur disa citate, por pa qëllim të keq e armiqësor. Nuk jam njohur me materialet e Hetuesisë. Kam firmosur pa i lexuar procesverbalet. As krimin e sabotimit nuk e pranoj. Godina e zdrukthëtarëve u rrëzua nga era e fortë dhe jo për fajin tim. Me ekspertët dhe konkluzionet e tyre nuk jam dakord. Dëshmitarët nuk kanë thënë të vërtetën, mbasi ata kanë përgjegjësinë e tyre. Për veprat mbrojtëse në puset 5,6,7 ‘Danaj’ ndofta kam përgjegjësi se nuk kam ushtruar kontrollin e nevojshëm. Ky objekt është sabotuar prej teknikut Thimjo Jonuzi. Nuk janë parë mirë dokumentet dhe për fabrikën e fosforit. Në këto vepra mund të ketë gabime teknike, por ato nuk janë bërë me qëllim armiqësor. Nga puna e madhe që kam pasur, nuk kam ushtruar kontrollin e nevojshëm në të gjitha punimet. Ekspertimi nuk është i drejtë dhe objektiv. Kërkoj prishjen e vendimit dhe rigjykimin e çështjes. Po me dënoni pa faj, nuk ua fal”.

Share: