Mungesa e një marrëveshjeje për njohjen e kontributeve të emigrantëve shqiptarë që kanë punuar prej vitesh në Itali dhe janë kthyer po i përball me vështirësi të shumta ekonomiko-sociale shumë prej tyre.
Saliu emigroi nga Durrësi drejt Italisë në vitin 1991. Sot, është 80 vjeç dhe nuk po i gëzon dot kontributet për 15 vite punë të rregullt në Itali.
“Unë kërkoj që Italia të më japë pensionet për kontributet që kam dhënë. Nuk i përgjigjem dot as sëmundjeve të gruas me 15200 lekë pension që marrë këtu. Nuk dalin as për të ngrenë e me paguajt drita, ujë e gaz. Këta thonë do e rrisim pensionin. Kur, kur të shkoj në varreza?! Na ka kërkuar sërish votat”.
Edhe Ylviu ka 21 vite pune. Ata ruajnë çdo dokument nga punësimi i rregullt atje, po deri më sot nuk kanë përfituar asgjë.
“Problemi ynë është shumë serioz dhe i mbartur në vite. Ne kërkojmë marrëveshje me Italinë. Jemi në mes të detit. Nuk na njihen vitet e punës në Itali. Unë kam 21 vite kontribute të paguara në shtetin italian dhe 22 e 4 muaj këtu. Me kuotën “Cento” që është në fuqi unë duhej të dilja në pension 62 vjeç, po jam pa pension, pa punë”.
Prej vitesh përpjekjet e kësaj kategorie, shqiptarë që emigruan dhe punuan në Itali që në fillim të viteve ’90, kanë dështuar. E ndonëse nuk ekziston një marrëveshje, ka disa rajone në Itali që ua njohin kontributet emigrantëve, ndaj të përballur me këtë padrejtësi ata kërkojnë që shteti të mos i lërë në harresë, po të realizojë marrëveshjen e shumëpritur.
“Dy janë rrugët ose të bëhet marrëveshja e të më njihet pensioni, ose te më kthehen kontributet. 369 mijë euro taksa për 21 vite. Edhe në kushtetutën italiane emigranti ka të gjitha të drejtat sociale. Jemi i vetmi shtet në Ballkan që nuk ka marrëveshje me Italinë kur jemi komuniteti më i madh aty. Na është bërë një premtim në 2013 për marrëveshje me Italinë për pensionet. Janë me mijëra emigrantë dhe një shtresë që në vitet e para të demokracisë me remitancat ka kontribuar në vend dhe tani po vuajnë duke shtrirë dorën nga fëmijët për 100 euro”.
Top Channel