Home Approccio Italo Albanese Përgjimet e Ndranghetas, Ambasadori italian: Prokurorët janë duke punuar

Përgjimet e Ndranghetas, Ambasadori italian: Prokurorët janë duke punuar

Në një intervistë në emisionin “Opinion”, Ambasadori italian në Tiranë Fabrizio Buçi u shpreh se mes dy vendeve ka një bashkëpunim të gjerë në luftën kundër krimit të organizuar.

Ai bëri me dije ndër të tjera se janë 10 skuadra të përbashkëta hetimore, që punojnë për raste të ndryshme. Buçi u  shpreh ndë rtë tjera se prokurorët janë duke punuar lidhur me çështjen e përgjimeve të Ndranghetas.

Pjesë nga intervista 

F: Pamë pamjet e tridhjetë viteve më parë, folëm për integrimin e shqiptarëve në shoqërinë italiane por, sigurisht, ka edhe një tjetër integrim, ai në krimin e organizuar…që në një Vend të hapur siç është Shqipëria tani, të hapur siç ishte Italia, funksionon normalisht…ekziston një bashkëpunim…lufta ndaj krimit të organizuar?

B: Po, ekziston një bashkëpunim shumë i gjerë, marrëdhënie shumë të ngushta midis Autoriteteve Gjyqësore italiane dhe Autoriteteve Gjyqësore shqiptare…për shembull, këtu në Shqipëri kemi katër prokurorë italianë që punojnë në mënyrë të përhershme këtu në Shqipëri. Kemi të paktën 10 skuadra hetimore të përbashkëta të policisë italiane e asaj shqiptare që punojnë mbi secilin rast…pikërisht disa javë më parë kemi lançuar këtë nismë të rëndësishme, kemi ngritur një Tryezë në të cilën merr pjesë Drejtuesi i Policisë Italiane dhe Drejtuesi i Policisë Shqiptare, është mbajtur kjo mbledhje e parë në Romë dhe jemi shumë të kënaqur sepse do të thotë të bësh një hap përpara në bashkëpunimin dhe në luftën ndaj krimit. Kemi këtu Guardia di Finanza-n, e cila mbikëqyr nga ajri në kuadër të luftës ndaj kultivimit të bimëve narkotike…pra, jemi të pranishëm, realisht, në çdo nivel…SPAK-u, vitin e kaluar, memorandumi i parë i bashkëpunimit që SPAK-u nënshkroi, qe ai me Italinë…

F: Me Italinë…

B: Me Prokurorinë Kombëtare Antimafia në Itali, me të cilën marrëdhëniet janë shumë të ngushta e me të cilën bashkëpunojmë shumë mirë.

F: Kjo historia e madhe e përgjimeve të ‘Ndrangheta-s, lidhjet me Shqipërinë…A ka edhe një pjesë shqiptare të kësaj dosjeje?

B: Po…sepse siç e dimë, disa javë më parë, Arben Kraja, Drejtuesi i SPAK-ut, ka qenë në Itali, ka zhvilluar një takim me Prokurorin Kombëtar Antimafia, Cafiero De Raho dhe me Prokurorin Gratteri që drejton këtë hetim në Kalabri. Dy autoritetet, Prokuroria Kombëtare, Prokuroria e Catanzaro-s (Katanxaro) dhe SPAK po punojnë, prandaj, t’i lëmë prokurorët të bëjnë punën e tyre…janë duke punuar…

F: Janë duke punuar…

B: Janë duke bashkëpunuar mbi këtë…

F: Ambasador, t’ju pyes, përveç anës zyrtare, impenjimeve zyrtare, cilat janë gjërat e tjera që ju angazhojnë në Shqipëri?

B: Ne jemi të pranishëm në të gjithë sektorët…një sektor shumë i gjallë në të cilin jemi duke bërë shumë gjëra është ai i bashkëpunimit në fushën kulturore…për shembull, po realizojmë bashkëpunime midis Qendrës Kinematografike Shqiptare dhe, për shembull, Apulia Film Commission në Puglia. Jemi duke punuar mbi një Marrëveshje të re kulturore me Ministrinë e Kulturës, të shumta janë misionet arkeologjike, për shembull, në fushën e gjuhës, janë me dhjetëra mësuesit dhe profesorët italianë që japin mësim gjuhën italiane këtu. Por jemi edhe shumë aktivë, për shembull, në sektorin social, Agjencia jonë për Bashkëpunim dhe Zhvillim është duke punuar mbi shumë programe e shumë nisma. Një tjetër sektor shumë i rëndësishëm është ai i barazisë gjinore. Pikërisht disa javë më parë kemi lançuar këtë program të ri të quajtur GREAT (GREJT), të financuar nga Kooperacioni Italian dhe në partneritet me Kombet e Bashkuara, është një program që ka për qëllim të mbështesë gratë e reja sipërmarrëse në sektorin e bujqësisë…

F: Po…

B: Me një sërë fondesh, një sërë nismash…pas disa ditësh do të vijë këtu një mision i Coldirettit. Coldiretti është Shoqata më e rëndësishme e Operatorëve në sektorin bujqësor në Itali. Përgjegjësja e Coldiretti-t është grua, për gratë italiane sipërmarrëse në bujqësi…jemi duke hedhur themelet për një bashkëpunim të ri midis grave që punojnë në sektorin e bujqësisë në Shqipëri dhe grave italiane.

Share: