Kryeministri Edi Rama është pyetur në emisionin “Opinion” lidhur me deklaratat e e Ambasadores Yuri Kim për mospërfshirjen në kuvend të deputetit Tom Doshi.
“Ne vumë re se PD nuk e dëshiron në parlament një individ të konsideruar për korrupsion domethënës. Po të tjerët, përse tremben? A është e dobishme të qëndrojnë në heshtje? Përse lejojnë që njerëzit të mendojnë se jeni aleatë? A është kjo ajo që meritojnë zgjedhësiy? Meritojnë më shumë”, shkroi Ambasadorja.
Lidhur me këtë deklaratë, Kryeministri tha se PS nuk është dhe nuk do jetë aleate me Doshin, ndërsa pohoi se ky i fundit është ëngjëll krahasuar me Metën, Kryemadhin dhe Berishën.
“Së pari vetë ambasadorja më parë ka komunikuar për publikun atë që i kam thënë. Së dyti nuk kemi asnjë dallim me ambasadoren dhe së treti, unë dhe ne, kemi ndërkohë një target më të gjerë se sa thjesht individi për të cilin flasim. Ne duhet të merremi me Saliun, përpara të cilit Tom Doshi është engjëll, duhet të merremi me Ilirin para të cilit tom Doshi është ëngjëll, duhet të merremi me Monikën para së cilës Tom Doshi është engjëll. Ndërkohë, që sigurisht sa i përket Tom Doshit nuk kam asnjë dallim nga ambasadorja dhe qëndrimi është i bashkuar. Nëse Tom Doshi është përcaktuar nga SHBA për korrupsion domethenës nuk kam asnjë arsye ta vë në dyshim përcaktimin e tyre, absolutisht. Dhe për këtë arsye as jemi aletaë dhe as do jemi aleatë. Por nëse për tom Doshin korrupsioni domethënës ka sjellë qëndrimin e SHBA (e kuptoj shumë mirë përse SHBA nuk mund të mbajnë të njëjtin qëndrim për Saliun, Ilirin dhe Monikën”, u shpreh Rama.
Ndërhyrjes së analistit Artan Hoxha se për të njëjtën arsye, Ambasadorja nuk mund të mbajë të njëjtin qëndrim edhe për atë vetë, Rama iu përgjigj:
“As në këtë botë dhe as në tjetrën, përveçse në klubet e muhabeteve nuk kam asnjë lidhje me ata dhe nuk kam ansjë lidhje, jo me korrupsionin domethënës por me asnjë lloj korrupsioni. E mirëkuptoj që ambasadorja nuk mund t’i bashkojë dhe ata, por arsyeja përse ne jemi të fokusuar tek ata dhe nuk mund të bëjmë beteja nga të 4 anët është kjo”./Opinion.al