Home KRYESORE “Tigrat” – Artan Grubi shkeli pa fije turpi mbi gjakun e dëshmorëve...

“Tigrat” – Artan Grubi shkeli pa fije turpi mbi gjakun e dëshmorëve të kombit!

Nga Benny Musliu

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi pa fije turpi ka marrë pjesë në shënimin e 40 vjetorit të njësitit special të policisë së Maqedonisë së Veriut, “Tigrat”.

Ky njësit është i njohur për veprimet anti shqiptare që nga demonstratat e ’81-shit e ’89-tës në Kosovë, përmes rasteve si Bit Pazari, Ladorishti, UT-ja, e deri te vrasja e civilëve në Luboten.

Ky njësit është ende vetëm monoetnik maqedonas dhe ka pasur arsye të kremtojë dhe t’u ndajë mirënjohje atyre që kanë qenë të suksesshëm në vrasjen dhe rrahjen e shqiptarëve. Njësiti “Tigrat”, që edhe sot është monoetnik – pra vetëm maqedonas, do të mbetet për shqiptarët një njësit që do të mbahet mend për aksione antishqiptare.

Artan Grubi, i cili dikur thërriste vend e pa vend “UÇK, UÇK…”, tani shkon e pranon mirënjohje prej kasapëve të shqiptarëve, vrasësve të civilëve dhe torturuesit të nënave shqiptare. Grubi me ketë formë shkeli mbi gjakun e dëshmorëve, shkeli mbi sakrificën e mijëra e mijëra grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, të cilët dhanë jetën për flamurin kuq e zi, të jetojnë të lirë e me dinjitet, krenar në tokën e tyre autoktone.

Artan Grubi duke dashur që të mbrohet nga sulmet e ndryshme që kanë ardhur nga shoqatat e veteranëve të UÇK-së, por edhe nga mediat maqedonase, ka dhënë një sqarim shumë të çuditshëm. Sipas tij ka ardhur koha për pajtim mes shqiptarëve dhe maqedonasve, prandaj ai ka qenë pjesëmarrës në këtë ceremoni të njësitit famëkeq.

Interesi i verbër i Artan Grubit, që ia nxiu fytyrën UÇK-së së lavdishme me pjesëmarrjen në festën e njësitit famëkeq, është turpi më i madh që i ndodh kombit shqiptarë. Nëse me të vërtetë kërkohet një pajtim mes maqedonasve dhe shqiptarëve, i njëjti nuk fillon me kremtimin e festës së ekzistimit të këtij njësiti.

Grubi nëse vërtet e kërkon pajtimin, duhet fillimisht të kërkojnë reformimin e plotë të këtij njësiti. Ky njësit famëkeq duhet fillimisht të shpartallohet i tëri e të ndërtohet një njësit i ri, modern dhe me standardet e vendeve të NATO-s.

Nuk mund ta kërkohet pajtim me një njësi policie, e cila mburret dhe krenohet se nuk ka në vetvete asnjë shqiptarë dhe asnjë besimtar tjetër përveç fesë ortodokse dhe kombësisë maqedonase. Kjo ndarje raciste duhej të ishte trajtimi i mirëfilltë i një zëvendëskryeministri shqiptarë dhe jo pjesëmarrja në festën e këtij njësiti.

Artan Grubi, duhet të kërkojë përfaqësim të drejtë dhe adekuat në këtë njësi, duhet tua ndryshojë mentalitetin e urrejtjes këtij njësiti, duhet t’ua sqarojë atyre se shqiptarët janë pjesë e këtij shteti dhe pa ata nuk mund të ekzistojë ky shtet.

“Tigrat” duhet të shkatërrohen dhe të shënohen në librin e turpit, e të shënohen si pjesa më e shëmtuar që ekziston në këtë shtet. Artan Grubi duhet t’iu kërkojë llogari këtij njësiti, i cili paguhet me paratë edhe të taksapaguesve shqiptarë. Ky njësit është ndër më të paguarit dhe ende nuk i japin llogari askujt për shpenzimet e tyre, për veprimet e tyre dhe për të bëmat e tyre në të kaluarën.

Artan Grubi për këtë vepër të shëmtuar, të turpshme dhe anti shqiptare mori lëvdata vetëm nga komandanti i “Branitellave” Stojançe Angelov, i cili e konsideroi këtë veprim të tij si të bukur dhe të duhur.

Modernizimi i kërkuar i Artan Grubit përveç se ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha te pjesëtarët e UÇK-së, invalidët dhe familjet e dëshmorëve, pakënaqësi dhe revoltë ka shkaktuar edhe brenda vetë BDI-së, e cila thirret në luftën e lavdishme të UÇK-së, e pjesë të sajë janë edhe shumë komandantë dhe ish-ushtarë.

Artan Grubi duhet t’iu kërkojë falje familjeve të dëshmorëve dhe shumë nënave shqiptare të cilët humbën më të dashurit e tyre nga ky njësit famëkeq. Prandaj, ai urgjentisht duhet të japë llogari për veprimin e tij kokë më vete, të turpshëm dhe nënçmues për shqiptarët dhe për UÇK-në.

Share: