Home Approccio Italo Albanese Drejtori i Përgjithshëm për BE pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe...

Drejtori i Përgjithshëm për BE pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Enzo Celeste në Tiranë

Drejtori i Përgjithshëm për Bashkimin Evropian pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Enzo Celeste, i shoqëruar nga Ambasadori i Italisë Fabrizio Bucci, zhvilloi sot në Tiranë një seri takimesh pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi parësor i vizitës qe përvijimi, nga pikëpamja operative, i nënshkrimit, më datë 20 nëntor të vitit të kaluar, të deklaratës së përbashkët të Ministrit Luigi di Maio dhe Kryeministrit Edi Rama, për ngritjen e një Komiteti të përhershëm dypalësh për forcimin e marrëdhënieve ekonomike tashmë të shkëlqyera midis Italisë dhe Shqipërisë. Në linjë me sa rënë dakord në nëntor, është ndërtuar një kalendar i përafërt për organizimin, në muajt e ardhshëm, të mbledhjeve të para në nivel teknik e politik të komitetit, si edhe një agjendë fillestare e përbashkët e fushave me interes parësor të cilave t’u kushtohet më shumë vëmendje në një periudhë afatshkurtër.

Kjo vizitë përbën gjithashtu rastin për të konfirmuar mbështetjen italiane ndaj rrugëtimit evropian të Shqipërisë, ndërsa vë njëkohësisht theksin në rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të ardhshme politike të 25 prillit në një klimë të qetë e konstruktive, për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Nisja, në vijim, e punës së Komitetit të përhershëm të Përbashkët përbën kurorëzimin e një rrugëtimi të forcimit të marrëdhënieve ekonomike dypalëshe, të nisur tre vite më parë me Misionin e Sistemit në Shqipëri. Teksa lejon një organizim dhe koordinim të kënaqshëm në bashkëpunimin dypalësh, edhe në fusha tejet teknike, ai do të jetë gjithashtu një mjet i përsosur mbështetjeje për përafrimin e standardeve shqiptare me ato evropiane” deklaroi Ambasadori Fabrizio Bucci në përfundim të takimit.

Komiteti i përbashkët i vë vetes synimin ambicioz të kërkojë mundësi të reja investimi e të trajtojë problematika konkrete, pa retorikë por me fakte. Sot nis një rrugëtim i ri në të cilin të dyja palët janë gati të shtojnë forcat e tyre për të çuar përpara marrëdhëniet ekonomike midis dy partnerëve të shkëlqyer të cilët synojnë të bëjnë shumë më shumë e më mirë” përmbylli fjalën e tij Ambasadori.

Share: