Home KRYESORE Hapet së shpejti aeroporti i Kukësit, fluturimi i parë më 18 Prill

Hapet së shpejti aeroporti i Kukësit, fluturimi i parë më 18 Prill

Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit “Zayed-Flatrat e veriut” është thuajse gati.

“Kur ka mbetur edhe një javë nga fluturimi i parë, ka përfunduar 90 përqind e punimeve”.

Të dielën e 18 Prillit, një avion me pasagjerë pritet të jetë i pari që do të zbresë në pistë. Do të jetë një linjë direkte nga Londra.

Për fluturimet e rregullta do të pritet muaji Maj. Në kantierin gjigant prej 100 hektarësh, gjithçka po merr formë.

“Është përfunduar pista e plotë, terminali në strukturë, ndërkohë pajisjet janë duke u montuar, pjesa para siç e shikoni, parkimi i avionëve po ashtu po merr formën e tij”.

Nga kulla e vrojtimit mund të dallohet pista prej 2.2 kilometrash. Drejt fundit janë punimet edhe në parkimin e avionëve.

“Pjesa e apronit apo e vendqëndrimi i avionëve, është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërkohë që brenda një ore mund të nisen 4 avionë nga aeroporti i Kukësit”.

Me të njëjtin ritëm punohet edhe brenda godinës së terminalit e cila zë një faqe prej 3500 m2.

“Këtu ndodhemi brenda mjediseve të terminalit. Kemi 2 portat hyrëse ku do të vijnë njerëzit që duan të udhëtojnë, këtu kemi hapësirën e check-in, janë 4 që do të funksionojnë paralelisht, kemi korridorin e sigurisë dhe zonën e nisjeve. Në krahun tjetër kemi edhe zonën e mbërritjeve”.

“Këtu ndodhemi në zonën e sigurisë, aktualisht këtu po vendosen skanerat dhe urat që do të shërbejnë për kontrollin e pasagjerëve. Pajisjet janë vënë nëpër vende, por pritet të bëhet edhe testimi në mënyrë që ta mbyllim edhe këtë sektor të aeroportit”.

Terminali do të ketë edhe një zonë muzeale në përkujtim të luftës së Kosovës, e cila ishte edhe pikënisja e këtij aeroporti, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara për të pritur ndihmat për refugjatët. Aeroporti i Kukësit do të mundësojë fluturime me kosto të ulët, ndaj vijojnë bisedimet me kompanitë ajrore.

“Aeroporti i Kukësit është një aeroport lowcost ndaj edhe linjat që do të operojnë do të jenë të tilla. Linjat do të jenë Angli, Gjermani, Skandinavi, Zvicër, si dhe Italia e Veriut gjithashtu”.

Drejtuesit e cilësojnë Aeroportin e Kukësit si një pikë strategjike edhe për vendet e rajonit, me një kapacitet pritës prej 500 mijë pasagjerësh në vit. Kostoja e investimeve arrin shifrën e 21 milionë eurove./ Tv Klan

Share: