Nga Gladiola Jorbus
E magjepsur pas shëmbëllimit tënd,
si një qiell vagëllues – mbi çeptirat e shiut,
si jehonë shpresëshuar e zërit të mekur.
A s’ është trupi im, ky që rend
pas *marrisë së Kotardit?!
Hija jote u bë streha ime.
Tashmë kam mbërritur në çastin final:
kur loti i fundit shter,
kur dhembja shndërrohet në alabastër,
kur pasditet grimohen me iluzionet e humbura,
kur dashuria shkërmoqet
në mjegullnajën e fjalëve lakuriqe,
kur baticat torturuese zmbrapsen të etura,
për dunat e mpakura nga dyluftimet e shpirtit.
Një psherëtimë e ylbertë derdhet në errësirë,
për aromat e thukëta që i përvidhen mëngjesit.
Në gjurmët e hënës së prillit,
pikturova valsin e buzëve.
Dhe sërish –
silueta jote urdhëron trupin tim.
*Sindroma e Kotardit është një sëmundje psikiatrike që karakterizohet nga vështirësia serioze për të gjetur kuptim në realitet. Individi mendon se ka vdekur ose mohon ekzistencën e tij.