Home KRYESORE Në pellgun e puthjeve të heshtura

Në pellgun e puthjeve të heshtura

Nga Gladiola Busulla

Tentakulat therëse të ndarjes,
zgjerohen deri në kufijtë e gjysmërruzujve.
Kubeja qiellore, mbetur pa tinguj
venitet në aketizmin e ditëve të zhveshura.
Mbi buzë puthjet heshtin.
Dhe mëngjeset zgjohen
pa trëndafila, pa aromë, pa vesë.
Vetmia shembet në sytë e shenjtorëve.
Në melankolinë e afreskut mural
dëgjohen pëshpërimat e shpirtit,
përndizen fijet e shpresës.
Ashtu siç zogu i purpurt, ringjallet nga hiri i tij.
Ëndrrat kridhen mbi pëlhurën e fatit.
Vrapojnë me gjethet e vjeshtës, ngrenë kështjella në erë,
mbështillen me shallin rrezear të diellit.
Gjersa fantazma e lojës së dashurisë,
si një grusht lotësh atavik, i rikthen mbi pellg…
për t’u bërë baltë sërish.

Share: