Ditën e sotme është mbledhur Komisioni i Ligjeve dhe i Shëndetësisë dhe ka miratuar pa asnjë debat aktet normative për furnizimin e Shqipërisë me vaksinën kineze.
Në këtë mbledhje, zv.ministja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, edhe një herë garantoi qytetarët se vaksinat e përdorura janë të sigurta. Më tej ajo tha se Sinovac u është injektuar mjaft njerëzve dhe nuk ka pasur asnjë ekfekt anësor, teksa përmendi efektet anësore të vaksinës Pfizer.
“Meqë po flasim për vaksinën e Sinovac, ajo u është injektuar mjaft njerëzve dhe nuk ka pasur absolutisht asnjë ekfekt anësor. Në një kohë që nga vaksina Pfizer, 80% e atyre që e kanë bërë kanë pasur dhimbje në vendin e injektimit apo efekte të tjera anësore të lehta. Ndërkohë që nuk kemi asnjë event madhor si humbje jete apo shtrime në spitale për shkak të vaksinës”, tha Rakacolli.
Ndërkohë, procesi i vaksinimit në vendin tonë po vijon me ritme të shpejta. Më herët ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se deri më tani janë mbi 185 mijë të moshuar të vaksinuar dhe janë kryer më shumë se 260,000 vaksinime në total./Opinion.al