Home Gjeo-Ekonomia Rusia hakmerret, dëbon 20 diplomatë çekë

Rusia hakmerret, dëbon 20 diplomatë çekë

Rusia njoftoi se do të dëbojë 20 diplomatë nga Republika Çeke. Republika Çeke dëboi 18 diplomatë rusë të shtunën.

Agjentët lokalë të inteligjencës çeke thanë se diplomatët e dëbuar, janë operativë të inteligjencës ruse. Ata dyshohen për përfshirje në një shpërthim në një depo armësh, në vitin 2014.

Moska u dha diplomatëve çekë një ditë kohë për t’u larguar, ndërsa Praga u dha rusëve 48 orë.

Ministria e Jashtme ruse e cilësoi vendimin e çekëve si “të pashembullt” dhe si “akt armiqësor”.

“Me dëshirën për të kënaqur Shtetet e Bashkuara, pas sanksioneve të fundit të SHBA-së kundër Rusisë, autoritetet çeke madje i tejkaluan udhëzuesit e tyre”, tha ministria ruse.

Ajo i cilësoi si të pabaza dhe absurde pretendimet e çekëve se diplomatët rusë janë operativë të inteligjencës.

Shpërthimi në një depo armësh në qytezën Vërbetice të Çekisë ndodhi më 16 tetor të vitit 2014.

Trupat e pajetë të dy punonjësve të depos, njëri 56 dhe tjetri 69 vjeç, u gjetën më shumë se një muaj më vonë.

Shpërthimi fillimisht supozohej se ishte aksident. Por, detektivët çekë drejtuan në fundjavë gishtin kah Moska dhe Njësia 29155 e Agjencisë ruse të Inteligjencës GRU.

Policia çeke i identifikoi dy të dyshuarit në lidhje me shpërthimin si Alexander Mishkin dhe Anatoly Chepigov, të cilët po ashtu akuzohen për përfshirje në disa sulme me helm në Sallsbëri të Anglisë, më 2018.

Ish-agjenti rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij, Yulia, u mbijetuan sulmeve në Sallsbëri, ndërsa një grua lokale, Dawn Sturgess, humbi jetën disa muaj më vonë nga agjenti Noviçok, i dalë nga një shishe e hedhur parfumi.

Ueb-faqja hulumtuese, Bellingcat, i identifikoi të dyshuarit për sulmin në Sallsbëri si Anatoly Chepiga dhe Alexander Mishkin, të dy oficerë të GRU-së. Ata kishin përdorur emra të rremë: Ruslan Boshirov, përkatësisht Alexander Petrov.

Policia çeke tha se imazhet e të dyshuarve për shpërthimin në Çeki përputhen me imazhet e dy të akuzuarve nga Britania për helmimet në Sallsbëri.

Dy burrat rezervuan fjetje në qytetin Ostrava të Çekisë, pranë depos së municioneve, më 13 tetor, 2014. Ata rezervuan katër net.

Shpërthimi ndodhi në datën 16 dhe atë ditë dyshja u nis për në aeroportin e Vjenës, për të fluturuar në Moskë.

Autoritetet nuk e dinë ende saktësisht se si ka ndodhur shpërthimi në depo.

Republika Çeke do të informojë NATO-n dhe aleatët e Bashkimit Evropian për dyshimet e saj, si dhe do të diskutojë çështjen në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së të hënën, tha ministri i saj i Jashtëm, Jan Hamaçek.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se qëndron me Republikën Çeke në, siç u shpreh, “përgjigjen e saj të vendosur kundër veprimeve armiqësore të Rusisë në tokën çeke”.

Javën e kaluar, SHBA-ja dëboi dhjetë diplomatë rusë dhe vendosi sanksione kundër Rusisë, për shkak të një sulmi masiv kibernetik, kërcënimeve kundër Ukrainës dhe ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2020./REL

Share: