Home KRYESORE Yuri Kim: I ndalohet hyrja në SHBA 3 ish-zyrtarëve shqiptarë

Yuri Kim: I ndalohet hyrja në SHBA 3 ish-zyrtarëve shqiptarë

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim deklaron se organet e drejtësisë në Shqipëri, përfshirë dhe SPAK, kanë në dispozicion informacion mbi listën e zezë që i ndalon hyrjen në SHBA tre ish zyrtarëve shqiptarë nën akuzën e korrupsionit.

Kim shton se “institucionet ligjzbatuese nuk kanë kurajo të veprojnë me këto raste.”

“Ajo që mungon është – të jem e ndershme – ajo që mungon është kurajo. Dhe mendoj se kemi pasur raste kur është treguar kurajo. Mendoj se duhet të shohim më shumë. Kam besim që investimi i Amerikës tek reforma në drejtësi, tek SPAK, do t’ia vlejë por ky është një moment i vështirë. Siç e them shpesh, reforma në drejtësi nuk është e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur por po fillojmë të shohim rezultate. SPAK ka nxjerrë raportin e parë vjetor dhe deri tani kanë raportuar se kanë bërë 588 ndjekje penale, kanë konfiskuar pasuri me vlerë 70 milionë euro. Kanë hetuar 746 individë. Kanë dërguar shumë prej tyre në gjykatë dhe 114 janë dënuar deri më sot.”- tha ambasadorja Kim./ Opinion.al

Share: