Home Approccio Italo Albanese Itali/ Protestë për ligjin e ri për pensionet, Hodaj: Preken dhe shqiptarët

Itali/ Protestë për ligjin e ri për pensionet, Hodaj: Preken dhe shqiptarët

Këtë të shtunë (26 qershor) tre sindikata në Itali, CGIL, CISL dhe UIL do të protestojnë lidhur me ligjin e ri për pensionet, një ligj ky që prek edhe emigrantët shqiptarë që prej vitesh jetojnë në shtetin fqinj, një pjesë e mirë e të cilëve janë të integruar në shoqërinë italiane.

Pjesë e kësaj proteste do të jenë edhe emigrantët shqiptarë të cilët do të marrin pjesë me flamuje pankarta shqiptare në protestat që organizohen në tre qytete, Torino, Firenze dhe Bari. Të tre sindikatat kanë paralajmëruar grevën e përgjithshme të 13 milionë punëtorëve nëse qeveria Draghi nuk merr parasysh kërkesat e tyre për këtë ligj.

Por si është situata e emigrantëve shqiptarë atje, çfarë përfaqëson protesta për ta dhe çfarë po ndodh me njohjen e pensioneve i shpjegon në këtë interviste për “Diaspora Shqiptare” Gentian Hodaj, përfaqësues i sekretarisë Femca CISL Padova e Rovigo.

Tre sindikata në Itali, një prej të cilave dhe CISL ku ju jeni përfaqësues i sekretarisë Femca CISL Padova e Rovigo, kanë paralajmëruar protestë më 26 qershor për ligjin e ri për daljen në pension. Na shpjegoni pak çfarë thotë ky ligj i qeverisë Draghi?

Ky manifestim që është thirrur më 26 qershor ditën e shtunë, që do të bëhet në tre qytetet italiane vjen pas një kohe të gjatë gati dy vjeçare ku për shkak të COVID si sindikata nuk kemi pasur mundësi të dalim në sheshe e të protestojmë dhe pse motivet e problemet kanë qenë kaq shumë të mëdha për shkak të ligjeve apo dekreteve që ndalonin pjesëmarrjen masive. Megjithatë, analiza ka filluar muaj më parë dhe për herë të parë është për t’u përgëzuar që të tre siglat sindakale u bën bashkë dhe hartuan një platformë që sjell jo vetëm problemet aktuale po dhe ato të mbartura në vite. Në këtë platformë një nga çështjet ku ne kërkojmë të merren parasysh të gjitha dispozitat apo propozimet që kemi bërë është dhe çështja e pensioneve. Pse kjo dhe pse pikërisht tani? E para, duhet sqaruar se në dhjetor 2021 mbaron e ashtuquajtura “Quota 100” që kishte një afat tre vjetor dhe ishte një provë. Kjo kuotë parashikonte daljen në pension të të gjithë punëtorëve me moshë 62 vjeç dhe 38 vite kontribute. Ndërkohë që ligji aktual, apo ai i mëparshëm i reformës ishte dalja në pension 67 vjeç e tre muaj dhe kontribute 43 vite. Ajo që kërkojmë ne dhe propozimet që kanë bërë të tre siglat sindikale dhe është në tavolinën e qeverisë Draghi është dy zgjedhje: Dalja në pension me moshë 62 vjeç dhe me 20 vjet kontribute, pra minimalja që kërkohet me ligjin aktual në Itali. Pra, të dalësh në pension në Itali duhet të kesh minimalisht 20 vite punë. Pra, një ulje me 5 vjet nga sa është e parashikuar nga reforma Fornero që është 67 vjeç. Ndërsa zgjedhja tjetër është dalja me 41 vite kontribute pa marrë në konsideratë moshën që mund të dalësh, mund të dalësh 58, 59 apo 60 dhe jo 67 vjeç e tre muaj./Diaspora Shqiptare

Share: