Home Approccio Italo Albanese Mediat italiane vazhdojnë t’i bëjnë jehonë romanit “Shënimet e Gjon Nikollë...

Mediat italiane vazhdojnë t’i bëjnë jehonë romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të botuar këto ditë në Romë

VEPËR QË SJELL NJË PJESË TË HISTORISË SHQIPTARE TË KOSOVËS NË ITALI

Në një intervistë për Radio Radikale të Romës, publicisti Giovani Cedrone thotë se është nder për të që të sjellë një libër nga Kosova në Itali dhe ta promovojë atë, për ç’gjë shpreson se do të kthehet në bestseller.

Radio-Radikale: Ju drejtojmë në përshëndetje të përzemërt dëgjuesve të Radio-Radikale, dëgjuesve të radio Albanofona, sot do të flasim për një realitet specifik albanofon dhe do të flasim për një libër që është botuar kohët e fundit në Itali, i përkthyer në gjuhën italiane. Kjo gjë ka qenë një surprizë për mua, sepse për Kosovën flitet pak, ndërsa ky libër synon të pasqyrojë një histori dramatike, pikërisht rastin e një populli që gjithmonë ka luftuar për liri. Është nder për mua t’ju prezantoj musafin e ditës së sotme, kolegun Giovanni Cedrone.

G.Cedrone: Faleminderit dhe përshëndes dëgjuesit.

R.Radikale: para së gjithash po flasim për një histori kosovare, të shqiptarëve të Kosovës. Ju jeni gazetar dhe e dini tashmë që kombi shqiptarë është ndarë në pesë shtete të ndryshme në Ballkan. Dhe një nga shtetet më domethenës, përveç Shqipërisë është Kosova. “Toka ime” është titulli. Si mbërriti deri tek ju ky libër dhe si bëtë që të impenjoheshit për këtë?

G.Cedrone: Si thuhet “udhët e Zotit janë të pafundme”. Gjithçka ka ndodhur rastësisht, mirëpo e vërteta qëndron në faktin se unë bashkëpunoj me një përkthyese shqiptare e cila është dr. Maksuti dhe ajo më propozoi të botojmë këtë libër, titulli origjinal i tij është “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i Jusuf Buxhovit. Kur u njoha me këtë libër, mbi të gjitha kuptova aktualitetin e tij të jashtëzakonshëm, sepse në të flitet për një pandemi, për një murtaje në vitet 1700, prandaj bashkë me dr. Maksuti vendosëm të kërkojmë një botues dhe gjetëm Armando – editore, i cili besoi në këtë libër dhe e botoi, libri doli në muajin prill, pra ja ku jemi këtu tani të flasim për të. Në bashkëpunim me botuesin vendosëm të shtojmë edhe “Për ty, toka ime”, si mund të themi një prefiks të librit, sepse kjo është një frazë të cilën e shqipton protagonist i tij, peshkopi Gjon Nikollë Kazazi gjatë viteve ‘700, dhe pikërisht ky peshkop është shumë i lidhur me token e vetë shqiptare që në këtë rast është toka kosovare, por në atë kohë nuk kishte ndarje të Shqipërisë.

R.Radikale: Është toka shqiptare, flasim për të njëjtin komb, si thamë në fillim një komb i ndarë në pesë shtete të ndryshme tashmë .

G. Cedrone: pikërisht, por në atë kohë, në vitet ‘700 ishte populli ishte një: Ky libër na tregon se si në fund të fundit identiteti i këtij populli del në dritë në mënyrë të fort, nën pushtimin turk dhe ndër të tjera Jusuf Buxhovi, autori na tregon se ekziston një paralelizëm midis pushtimit turk dhe pushtimit serb, pra ky libër është edhe aktual nga e sotmja.

R.Radikale: Autori është një historian, gazetar, aktivist politik, është një nga themeluesit parë të partisë Opozitare të Regjimit, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pra ai ka bërë histori, ka dhënë kontributin e tij në histori, dhe duke qenë historian njeh bazat e historisë së popullit të vetë, të popullit e të kombit tonë.

G.Cedrone: Po, ndër të tjera, si tregon ai vetë, libri është fryt i kërkimeve historike, të bëra në detaje, të kryera në arkivat gjerman mbi të gjitha, dhe shumë nga personazhet, veçanërisht protagonisti Kazazi është një person që ka ekzistuar realisht, pra është një Peshkop, që vërtete është gjendur të përballojë një murtajë në këto territore, në territoret e Kosovës, pra mund të themi edhe pse kemi të bëjmë me një roman, është një roman që ka shumë të vërteta historike, është shumë interesante të vesh re se si autoritetet osmane krijonin marrëdhënie me fisnikërinë qytetare shqiptare, është vërtetë një depërtim në histori me shumë interes.

R.Radicale: Sipas jush, duke qenë ju vetë një italian me kulturën e duhur, a mendoni se ky libër a do të shitet a do të jetë një bestseller?

G. Cedrone: Uroj dhe besoj se mund të jetë i tillë… Pra ky nuk është roman historik, sepse ky vlerësim do ta rrudhte se tepërmi. Por, mund të thuhet se ky libër vërtetë tregon një histori për shpresë dhe për liri. Sot kemi nevojë për këto, pikërisht për këtë unë mendoj se është momenti i duhur i daljes së tij edhe pse është shkruar 40 vjet më parë. Shpresa për ne të gjithë ne, është ajo që të kthehemi sa më parë në një jetë normale dhe të fitojmë lirinë tonë. Njëkohësisht çështja e identitetit kombëtar na kujton se ne në Perëndim kemi lirinë, por në vende të tjera, në Evropë nuk ishin aspak si e mirëqenë, pra sipas meje është mirë që këtë libër të mbahet mbi komodinë nga ne të gjithë.

R.Radikale: Ky libër a do të shitet në të gjitha libraritë e Italisë, mund të themi se unë si dëgjues i Radio Radikale dëgjoj të flitet mbi këtë libër dhe dëshiroj ta blejë, çfarë duhet të bëj?

G. Cedrone: Po mund të shkohet në librari dhe në rast se nuk e gjeni aty, mund ta porosisni, ose mund ta kërkoni në Amazon edhe në kanalin e Armando editore, është shumë e thjesht, mjafton një klik dhe libri blihet.

R. Radikale: Ndërkohë ju a e keni vizituar Kosovën?

G.Cedrone: fatkeqësisht , jo. Kam vizituar Shqipërinë disa here dhe kam shkruar edhe artikuj udhëtimesh, kam qenë në Krujë, në Berat dhe me thënë të vërtetën e kam Shqipërinë në zemër.

R. Radikale. Më vjen mirë.

G. Cedrone: ndjehem shumë pranë popullit shqiptar dhe ndjehem krenar për prezantimin e librit me pjesëmarrjen e ambasadorëve të Kosovës dhe Shqipërisë, besoj se ky është një spot kultaral i popujve te Kosovës dhe Shqipërisë. Po, premtoj se do të shkoj në Kosovë sa më parë.

R. Radikale: Dhe do të gjeni vende të ngjashme me Krujën, historia e kultura është e ngjashme me tonën, ata kanë formuar shtetin e modelit perëndimor, duke njohur historinë e asaj zone, kjo gjë ka shumë rendësi.

G. Cedrone: Po, sigurisht. Kohët e fundit është zgjedhur Presidente një grua e re, është një popull i ri që ka shumë dëshirë të ecë përpara, të hyjë në Evropë dhe shpresojmë që si Shqipëria dhe Kosova të kenë nderin të bëjnë pjesë sa më parë në Shtetet e Bashkuara të Evropës.

R.Radikale: cila është përshtypja juaj mbi Shqipërinë? Ju duket si shoqëri perëndimore edhe pse 60% e popullsisë është myslimane?

G. Cedrone: Përshtypja, po. Të gjithë vendet e Ballkanit kanë një histori të veçantë një histori shumë të vështirë me vuajtje, edhe deri pak vite më parë. Unë personalisht kam parë një popull, d.m.th popullin shqiptar një popull shumë të ri, si ju thashë, që po hedh hapa gjigantë drejt modernitetit dhe çështja e fesë, sipas mendimit tim nuk do te jetë problematikë e madhe, edhe sepse feja më e madhe e shqiptarëve është të qenit shqiptarë, prandaj…

R. Radikale: Shqiptarizmi, kjo është një filozofi historike nga këto anë…
G.Cedrone: Po pikërisht! Nga kjo pikëpamje ne italianët kemi shumë për të mësuar nga ju.

R. Radikale: Pajtohem me ju…

G. Cedrone: Ne italianët jemi shumë kritik, shpesh shumë kritik ndaj vendit tone. Dhe shpesh edhe ndaj meritave të vetë Italisë. Ndërsa nga populli shqiptar kam kuptuar një lidhje të fort me identitetin e vetë me tokën e vetë me gjuhën e vetë, kemi folur shpesh për gjuhën e cili është me të vërtetë një element dallues, ndër të tjera unë duke bashkëpunuar me përkthimin kam zbuluar mënyra të të shprehurit të mrekullueshme, të cilat janë edhe të vështira për tu përkthyer në gjuhën italianë, janë të vështira për tu përkthyer, por janë shumë të bukura për ngarkesën që mbartin, prandaj jam i sigurt se Shqipëria do të jetë në familjen e popujve të Evropës dhe tashmë ajo është.

R. Radikale. Është e vërtetë, Shqipëria është nga pikëpamja e kulturës, e gjuhës dhe të ecurisë, por po të flasim nga pikëpamja politike ka shumë rrugë për të bërë.

G.Cedrone: Po e saktë.

R.Radikale: unë ju falënderoj, për këtë punë që keni sjellë një pjesë të historisë shqiptare të Kosovës në Itali dhe kur të vizitosh Kosovën do të bëjmë një intervistë tjetër e cila vlen për ata që na dëgjojnë dhe na ndjekin?

R. Cedrone: Për mua është nder që të sjellë një libër nga Kosova në Itali dhe ta promovojë atë, të bëjë që të njihet.

R. Radikale: faleminderit! Për radio Radikale, Artur Nura.

(Përgatiti në gjuhën shqipe: Liljana Cuka Maksuti
Romë 15.06.2021)

Share: