Home Gjeo-Ekonomia Shqipëria, e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe konsumin

Shqipëria, e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe konsumin

Shqipëria u rendit e fundit në Europë për të ardhurat dhe konsumin për frymë, në raport me mesataren e BE-së edhe për vitin 2020.

Sipas të dhënave të Eurostat, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për Frymë në Shqipëri ishte sa 31% e mesatares së BE-së në vitin 2020 i njëjti nivel si viti i mëparshëm, ndërkohë që vendet e tjera të Rajonit bënë më shumë progres në drejtim të konvergjencës (rritja me ritme më të shpejta se shtetet europiane, me qëllim që të arrihet sa më shpejt mesatarja e BE-së).

Pas Shqipërisë, më të ulëta i ka të ardhurat Bosnjë-Hercegovina, me 33% të mesatares së BE-së, nga 32% një vit më parë, duke zgjeruar diferencën me 2 pikë përqindje me vendin tonë.

Progresin më të lartë e shënoi Serbia, të ardhurat për frymë të së cilës ishin sa 43% e mesatare së BE-së nga 41% që ishin në 2019.

Maqedonia ruajti të njëjtin nivel, në 38% të mesatares së BE-së, ndërsa të ardhurat për frymë të Malit të Zi ishin sa 46% e mesatare se BE duke shënuan 4 pikë përqindje në krahasim me 2019, teksa Mali i Zi ishte shteti me rënien më të madhe të PBB-së në 2020-n, me rreth -10%..

Shqipëria gjithashtu me konsumin më të ulët për frymë

Shqipëria u rendit e fundit edhe në një tregues tjetër, atë të konsumit individual për frymë (AIC), i cili është një matës i mirëqenies materiale të familjarëve dhe u referohet të gjitha të mirave dhe shërbimeve që konsumohen nga familjarët (sipas standardeve të barazisë së fuqisë blerëse).

Për Shqipërinë, ky tregues ishte sa 40% e mesatare se BE-së në vitin 2020, duke shënuan nivelin më të ulët në Europë dhe Rajon, me rritje prej 1 pikë përqindje nga viti i mëparshëm.

Pas Shqipërisë më të ulët këtë tregues e ka Bonja, me 43% (rritje 2 pikë përqindje), Maqedonia e Veriut, me 44% (+2 pikë përqindje). Progresin më të madh e bëri Serbia, (nga 49% në 52%). Serbia është vendi që shënoi dhe ecurinë më të mirë ekonomike në rajon në vitin e pandemisë, me një rënie prej 1%.

Ndonëse Shqipëria ishte e dyta pas Serbisë me performancën më të mirë ekonomike (tkurrje -3.3%), sërish kjo nuk është arritur të reflektohet në treguesit e mirëqenies, në raport me vendet e tjera të rajonit.

Mali i Zi mbetet shteti me konsumin më të lartë për frymë, prej 61% të mesatares së BE-së (1 pikë përqindje më shumë se vitin e mëparshëm).

Europa

Në vitin 2020, konsumi për frymë i shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) ndryshonte nga 61% në 131% të mesatares së BE-së në të gjithë 27 Shtetet Anëtare.

Në vitin 2020, nëntë shtete anëtare regjistruan konsumin për frymë mbi mesataren e BE-së. Niveli më i lartë në BE u regjistrua në Luksemburg, 31% mbi mesataren e BE, pasuar nga Gjermania (23% më shumë) dhe Danimarka (21% më shumë). Holanda, Austria, Finlanda, Belgjika, Suedia dhe Franca regjistruan nivele ndërmjet 5% dhe 20% mbi mesataren e BE-së.

Në trembëdhjetë Shtete Anëtare, konsumi për frymë ishte nën mesataren e BE-së. Në Qipro, Itali, Lituani dhe Irlandë nivelet e konsumit ishin 10% ose më pak se mesatarja e BE-së, ndërsa Spanja, Çekia, Portugalia, Malta, Polonia dhe Sllovenia ishin midis 11% dhe 20% më poshtë se mesatarja e BE-së . Rumania, Estonia dhe Greqia ishin midis 21% dhe 25% nën mesataren e BE./Monitor

Share: