Home KRYESORE Gratë dhe fëmijët e Kabulit; të tradhtuar sërish.

Gratë dhe fëmijët e Kabulit; të tradhtuar sërish.

Nga Mira Gabrielle Tuci

Kur shoh pamjet apokaliptike të Kabulit/Afganistanit që ra si kështjellë letre në duart e territ, mendoj veç për zërat, sytë dhe lotët e grave. Të atyre grave që kishin nisur të rindërtonin jetën me sytë e lirisë e tani duhet të djegin çdo libër që kanë lexuar, çdo ëndërr që kanē thurur e të ngjyejnë me të zezë çdo ngjyrë të ylberit të jetës për të mbijetuar nën frikë, gjymtim, terror dhe përdhunë.

Gratë e Afganistanit dhe fëmijët e tyre të lindur e të palindur ende, janë të tradhtuarit e mëdhenj në historinë që përsëritet besnikërisht mizorisht.

U tradhtuan nga burrat e tyre që nuk ditën, nuk deshën apo nuk ishin të aftë të ndërtonin një shtet që tu garantonte mbrojtje, arsimim dhe liri. Burrat e tyre ia falën veten trashjes së korrupsionit, nepotizmit dhe jo ndërtimit të institucioneve.

Afganët meshkuj nuk e shfrytëzuan shansin për të ndërtuar një vend me demokraci dhe institucione e tashmë historia po I ndëshkon me rikthimin e terrorit taleban që do rëndojë më tepër mbi gratë dhe fëmijët.

Kushdo që ka lexuar librin “Gjuetari I Balonave” të Khaled Hosseini e përjeton gati në lëkurë tmerrin dhe mizorinë talebaneske ndaj grave dhe perversionin ndaj fëmijëve. E ta shohësh me sytë e shqyer këtë rikthim terrori është një tjetër dramë brenda tragjedisë afgane.

Burrat afganë që shtyheshin me bërryla kush hipën I pari në avion e që I braktisën sërish gratë nën burka, janë turpi I gjithë kësaj tragjedie që po luhet sërish në sytë e gjithë botës.

Nuk po ndalem tek dështimi I diplomacisë amerikane dhe perëndimore që I braktisi gratë e Kabulit në mëshirën e ligjit të Sharias.

Braktisja e USA është një teh sëpate që qëndron në ajër mbi kokat e të gjithë njerëzve që duan të realizojnë ëndrrat në atdheun e tyre të vogël në përpjekje titanike me diktatorë të vegjël të etur për pushtet të madh.

Sot, unë mbaj zi dhe lutem për gratë e fëmijët e Kabulit.

May your dreams and freedom live with you 🙏🙏🙏

Share: