Home Gjeo-Ekonomia Libri i ri i Shaban Muratit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e...

Libri i ri i Shaban Muratit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, kontribut në mendimin diplomatik shqiptar

Doli nga shtypi libri i ri i diplomatit, analistit diplomatik dhe studjuesit Shaban Murati, “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, të cilin pati mirësinë ta sponsorizojë Fondacioni i mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini”.

Në libër analizohet për herë të parë problematika më e re dhe aktuale e diplomacisë shqiptare në një periudhë dramatike intrigash të reja diplomatike në shkallë rajonale dhe europiane.

Çeshtja shqiptare në formën e përfshirjes të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë dhe Kosovës, në gjeratoret diplomatike rajonale dhe ndërkombëtare, u ndodh në tre vitet e fundit përballë një ofensive të paparë diplomatike antishqiptare me paraqitje të stërholluara. Libri i ri i diplomatit Shaban Murati zbërthen dhe sjell mendimin e duhur diplomatik shqiptar për zhvillimet më të fundit me temën  e Kosovës dhe temën shqiptare në rajon. Libri jep përgjigje profesionale për pikëpyetjet e shumta, që dalin sot para diplomacisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, gjë që e bën librin edhe më të dobishëm për diplomacitë dhe për qeveritë shqiptare. Për herë të parë kemi analizën diplomatike të tezave, teorive, pikpamjeve, ofertave, opcioneve, projekteve, ideve, etj. të diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare në kohën e paraqitjes së tyre në tryezat dhe në forumet diplomatike dhe kur ato janë në zhvillim e sipër. Urgjenca e mbajtjes së një orientimi të drejtë dhe në mbrojtje të interesit shtetëror dhe kombëtar shqiptar po bëhet çdo ditë dhe më e madhe. Është veçoria dhe merita kryesore e librit “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” si dhe e krjimtarisë shkencore dhe publicistike ndërkombëtare të autorit, që është fokusuar e gjitha në zhvillimin e mendimit diplomatik shqiptar për aktualitetin diplomatik.

Libri është ndër të parët, që analizon tezat bizantine, që inonduan raportet dhe qendrimet diplomatike të Kosovës dhe të Shqipërisë në tre vitet e fundit lidhur me faktorin ndërkombëtar, me fuqitë e mëdha dhe me shtetet e rajonit. Libri paraqet interes të veçantë për tematikën e re diplomatike, sepse autori ka qenë ndër të parët që ka analizuar tezat e rrezikëshme të ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe të shkëmbimit të territoreve, tezat e gabuara të dërgimit të çeshtjes së normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë në Këshillin e Sigurimit të OKB, të mënjanimit të prioritetit të njohjes reciproke dhe zëvëndësimit me iluzionin e anëtarësimit në OKB, tezat e thirrjes së një konference të re ndërkombëtare për Kosovën, tezat e të ashtuquajturit “sovranitet i dyfishtë” për Kosovën, kurthin e devijimit të rrezikshëm të dialogut Serbi-Kosovë nga karakteri politik tek karakteri ekonomik, etj. Janë teza të reja dhe qendrime kardinale diplomatike, të cilat shkaktuan një pështjellim të madh në diplomacitë dhe në zyrat qeveritare në Prishtinë dhe në Tiranë, të cilat shpesh herë u infektuan nga tezat serbe, duke çuar drejt një vetëvrasje diplomatike të interesit shtetëror dhe kombëtar shqiptar.

Në libër lexuesi do të gjejë analizën më të gjërë dhe më të plotë për projektin serb të “Mini Shengenit apo të Ballkanit të hapur”, në një dinamikë të plotë të këtij  projekti, që nga gjeneza e tij si një propozim i presidentit serb Vuçiç, që i është paraqitur qeverive të Ballkanit Perëndimor qysh në vitin 2016 e deri te përurimi zyrtar me marrëveshjen Serbi-Maqedoni e Veriut-Shqipëri në tetor 2019 për krijimin e një aleance subrajonale trepalëshe. Libri zbërthen karakteristikat themelore të projektit serb të “Ballkanit të hapur”, që lindi si kundërvënie ndaj BE dhe ndaj “Procesit të Berlinit”, me strategjinë e Beogradit për të “rikrijuar Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë”, sipas përkufizimit të njohur të vetë presidentit serb në prill 2017. Në libër shtjellohet realiteti që BE në asnjë dokument zyrtar dhe në asnjë forum apo samit të saj me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e ka përmendur kurrë emrin e nismës serbe dhe as ka shprehur përkrahje nominale për atë, gjë që dëshmon se BE e sheh projektin serb si një integrim serb dhe jo si integrim europian.

Nga temat më interesante të librit është analiza e raporteve të Shqipërisë me Serbinë në vitet e fundit, si në planin dypalësh, ashtu dhe në qendrimet ndaj Kosovës. Autori, i cili i ka ndjekur marrëdhëniet shqiptaro-serbe prej dekadash, analizon thellë fenomenin e papëlqyeshëm të degradimit të diplomacisë së Shqipërisë në komplekse inferioriteti me Serbinë dhe në drejtim të kundërt me interesat e shtetit dhe të kombit shqiptar. Në libër kjo argumentohet nëpërmjet analizës së teorisë së habitëshme të Tiranës zyrtare për një “partneritet strategjik” midis Shqipërisë dhe Serbisë, teori që shkel të gjitha parametrat e realitetit diplomatik dhe historik midis dy shteteve. Argumentohet edhe me kursin voluntarist dhe pa perspektivë të Tiranës zyrtare për hyrjen në projektin serb të “mini Shengenit”, ku krijoi paradoksin që Shqipëria bëhet me Serbinë kundër Kosovës dhe prodhoi çarjen më të madhe, që ka ndodhur ndonjëherë midis dy shteteve shqiptare që nga krijimi i shtetit të pavarur të Kosovës.

Një nga problemet themelore të hulumtimit të autorit është gjendje e faktorit shqiptar në rajon në komplikimet e reja diplomatike të tre viteve te fundit. Zbërthehen strategjia dhe metodat e rafinuara të Serbisë, të Rusisë, të disa qarqeve të BE, etj. për të dobësuar kohezionin dhe rolin e faktorit shqiptar në rajon dhe për të mos lejuar atë që të marrë peshën e faktorit qendror në Ballkanin Perëndimor. Libri analizon shkaqet përse sot faktori diplomatik dhe shtetëror shqiptar në Ballkanin Perëndimor është i përçarë dhe më i dobët se kurrë në dy dekadat e para të këtij shekulli.

Libri “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” është vepër e re në korpusin e gjërë të librave dhe krijimtarisë studimore të ambasadorit Shaban Murati, që i dedikohet ekskluzivisht zhvillimit të mendimit diplomatik shqiptar. Libri vjen  si manual i domosdoshëm profesional, teorik dhe praktik, për udhëzimin dhe aftësimin e diplomacisë së Kosovës dhe të Shqipërisë në udhëkryqet e sotme diplomatike ballkanike.

Share: