Është kapur trafikanti më i kërkuar i drogës në Kolumbi dhe kreu i bandës më të madhe kriminale në vend.
Dairo Antonio Usuga, i njohur ndryshe si Otoniel, u kap pas një operacioni të përbashkët të ushtrisë, forcave ajrore dhe policisë të Shtunën.
Qeveria kishte ofruar një shpërblim prej 800,000 dollarësh për informacion në lidhje me vendndodhjen e tij, ndërsa SHBA vendosi një shpërblim prej 5 milion dollarësh për kokën e tij.
Presidenti Iván Duque përshëndeti kapjen e Otoniel në një video-mesazh televiziv. “Kjo është goditja më e madhe ndaj trafikut të drogës në vendin tonë këtë shekull”, tha ai. “Kjo goditje është e krahasueshme vetëm me rënien e Pablo Escobar në vitet 1990.”
Si u kap?
Otoniel u kap në strehën e tij rurale në provincën Antioquia në Kolumbinë veriperëndimore, afër kufirit me Panamanë.
Operacioni përfshinte 500 ushtarë të mbështetur nga 22 helikopterë. Një polic u vra. Otoniel kishte përdorur një rrjet shtëpish të sigurta rurale për të lëvizur dhe për t’iu shmangur autoriteteve dhe nuk përdorte telefon, përkundrazi u mbështet te korrierët për komunikim.
Por vendndodhja e tij në kohën e kapjes së tij u identifikua dy javë më parë, tha gazeta El Tiempo.
Shefi i policisë Jorge Vargas tha se lëvizjet e tij u gjurmuan nga më shumë se 50 ekspertë të inteligjencës duke përdorur imazhe satelitore. Agjencitë e SHBA dhe Britanisë së Madhe u përfshinë në kërkim. Duque, i cituar nga agjencia e lajmeve AFP, e përshkroi operacionin si “depërtimi më i madh i xhunglës i parë ndonjëherë në historinë ushtarake të vendit tonë”.
Forcat e armatosura të Kolumbisë publikuan më vonë një foto që tregonte ushtarët që ruanin Otoniel, i cili ishte në pranga dhe i veshur me çizme gome. Ka pasur disa operacione të mëdha që kanë përfshirë mijëra oficerë për kapjen e 50-vjeçarit në vitet e fundit, por deri më tani asnjë nuk ka pasur sukses./Opinion.al