Nga Mentor Kikia
Një vajzë e re, e zgjedhur si Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët, nga ato ministritë me një zyrë dhe 2-3 njerëz të punësuar, u gjet sot para një furie të opinionit pasi refuzoi ti përgjigjet medias mbi “masat që po merren për mbrojtjtejn e fëmijëve”, nisur nga tragjedia e tmerrshme në Fier.
Ministrja, padyshim duhej ta kishte përcjellë një mesazh, e ka së pari për detyrë morale. Por ankthi para kamerave bëri që ajo të gjejë një “pune tjetër” dhe të shmanget. Kaq mjaftoi që të gjithë ti sulen, duke e bërë Borën njeriun e dytë më të akuzuar pas vrasësit.
Unë në çdo rast jam me median. Dhe, media e opinioni pulik janë të pamëshirshëm, dhe sa mirë që bëjnë që janë të tillë. Ashtu siç u morën me ministren e bujqësisë për shkak të ”Akademisë së barinjve”, ashtu siç u morën me rrugën e re të Bashkisë së Bulqizës…edhe Bora nuk do të shpëtonte dot nga ajo shmangie që bëri.
Por letë të bëhemi pak realistë tani!
Vërtet mendoni se ministria e Borës me tre vetë duhet përgjigjet për sigurinë e fëmijëve në këtë vend?
Nëse ajo ministri do të arrijë të ngrejë sado pak zërin për të ngritur standaret e edukimit, shkollimit dhe argëtimit e fëmijëve, atëherë unë mendoj se ka bërë gjithë sa duhet.
Sa për ngjarjen e Fierit, lista e fajtorëve nuk ka të sosur. Një vend ku, pasi krimineli bëri gjëmën të gjithë thonë se ishte i rrezikshëm, njëri thotë deshi të më përdhunonte gruan, tjetri thotë se kur pinte të rrihte, por se kanë denoncuar. Dikush thotë se ka denoncuar, por policia nuk e mori seriozisht pasi “budallenj ka në çdo fshat tani”…
Është një zinxhir i tërë institucionesh dhe faktorësh socialë e shoqërore, për të cilët në kujtohemi vetëm kur na ndodh gjëma.
Por ky është rasti që ne të gjithë të bërtasim, ti biem me gurë e me grusht “malit që s’bëzan”, që është shteti, qeveria dhe shoqëria bashkë.
Nuk e zgjidh Bora këtë punë, më besoni!