Home KRYESORE Berisha: “Basha ndiqet penalisht në Belgjikë”/ Basha i pergjigjet: Ka vetëm një...

Berisha: “Basha ndiqet penalisht në Belgjikë”/ Basha i pergjigjet: Ka vetëm një dosje, “non grata” jote nga SHBA

8 ditë nga foltorja finale, Sali Berisha ka ashpërsuar gjuhën ndaj Lulzim Bashës. Ish-kryeministri akuzoi kryetarin demokrat se ka fshehur procesin penal në Belgjikë për rolin e tij në dosjen e Toyota Yaris.

“Edi Rama të ka mbajtur peng me dosjen në Shqipëri, por në Belgjikë rezulton anëtar i organizatës kriminale. Por drejtësia belge nuk kontrollohet nga Edi Rama dhe kanë kërkuar marrjen me forcë dhe ndjekjen penale. Ai ishte thirrur 5 herë dhe në 1 tetor është thirrur sërish dhe në datën 17 dhjetor Prokurorët belg e presin në zyrën e tyre”- tha Berisha.

Teksa i kërkoi dorëheqjen, Sali Berisha paralajmëroi Lulzim Bashën se do dalin në dritë dosje të reja për të.
“Me dosjen e tij të krimit është aksioner i këtij shteti. Në Foltore të ndryshme e kam denoncuar dhe i kam kërkuar që të japë shpjegime për Yaris dhe Muzin. E garantoj se me radhë do të dalin edhe dosje të tjera. E garantoj se projekti i Emirateve në Durrës nuk do të zhvillohet kurrë sa të jetë PD forca politike më e fuqishme e vendit”- vijoi Berisha.

Ish-kryeministri bëri me dije se me 11 dhjetor do miratohen ndryshimet në statut ku të sanksionohet dorëheqja e kryetarit në rast se ai humb zgjedhjet, ndërsa pas Kuvendit do thirret një protestë e madhe kombëtare për largimin e Edi Ramës.

Lulzim Basha i është përgjigur Sali Berishës, i cili në takimin me demokratët në Bilisht tha se kreu aktual i PD ka një dosje të hapur me çështjen “Toyota Yaris”.

Basha: Trillimet e shpifjet nuk e zgjidhin dot hallin e Sali Berishës. Ka vetëm një dosje, ka vetëm një çështje dhe ajo është çështja NON GRATA nga SHBA. Është kjo çështje që e detyron Sali Berishën të bjerë kaq poshtë me shpresën se do ta shndërrojë PD-në në mburojë të interesave personale. Nuk ka gjë më të ulët se të përdorësh demokratët dhe ndjeshmëritë e tyre si mish për top për hallin tënd personal.

Top Channel

Share: