Home Gjeo-Ekonomia Ambasada e SHBA në Ukrainë u bën thirrje qytetarëve amerikanë të largohen

Ambasada e SHBA në Ukrainë u bën thirrje qytetarëve amerikanë të largohen

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ukrainë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina të mërkurën për shkak të kërcënimit në rritje të pushtimit të Rusisë.

“Situata e sigurisë në Ukrainë vazhdon të jetë e paparashikueshme për shkak të rritjes së kërcënimit nga veprimi ushtarak rus dhe mund të përkeqësohet në çdo kohë”, tha Ambasada amerikane në Kiev.

“Ambasada amerikane u bën thirrje shtetasve amerikanë në Ukrainë që ta konsiderojnë mundësinë që të largohen përmes mundësive të transportit komercial apo privat”, u tha në deklaratën e lëshuar më 26 janar.

Disa ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të tërheqë një pjesë të stafit të ambasadës në Kiev dhe familjarët e tyre.

Ky njoftim vjen pasi Rusia ka vendosur 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën. Presidenti Joe Biden tha të martën se do të konsideronte sanksionimin e Vladimir Putin, por shtoi se trupat amerikane nuk do të hynin në Ukrainë.

“Ne nuk kemi ndërmend të vendosim forcat amerikane apo të vendosim forcat e NATO-s në Ukrainë, por siç thashë, do të ketë pasoja të rënda ekonomike”, tha ai.

Sipas inteligjencës perëndimore, pranë kufirit me Ukrainën, Rusia ka kryer një sërë stërvitjesh ushtarake, duke rritur shqetësimet se po përgatitet për një sulm ndaj Ukrainës./Opinion.al

Share: