Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Mbi megalomaninë, mediokritetin, pseudot, gjasmet, gjysmat…

Mbi megalomaninë, mediokritetin, pseudot, gjasmet, gjysmat…

Nga Ardi Stefa

Në kohën kur Shekspiri shkruante tragjeditë e tij të famshme, në Angli trupat teatrore nuk kishin femra aktore, por aktorë meshkuj që luanin rolin e femrave. Ndoshta kjo nuk ka edhe aq shumë rëndësi sa ç’ka fakti që do të përmend më poshtë. Gjatë kohës që Sheksipri kishte shkruar dhe po bënte provat për vënien në skenë të tragjedisë së tij, ndoshta më të famshme, “Romeo e Julieta”, aktorët, (edhe ata që luanin rolin e femrave në tragjedi), i ndalonin rrugës e i pyesnin se për çfarë bënte fjalë vepra, në të cilën merrnin pjesë…

“Bën fjalë për një dado, e cila kishte rritur Julietën, e cila dashuronte Romeon….”
“Bën fjalë për një farmacist, i cili në vepër u dha helmin, që pinë dy dashnorët, Romeoja dhe Julieta…”

“Bën fjalë për një prift, i cili i martoi fshehurazi Romeon e Julietën, dhe,…”
“Bën fjalë për Horacin, një shok të ngushtë të Romeos, të dashurit të Julietës, i cili u vra në një grindje…”

Bën fjalë…

Të gjithë aktorët flisnin për rolet e tyre, që mundet të ishin dytësore, të tretë apo të dorës së katërt dhe harronin ata që ishin protagonistët e vërtetë, Romeon dhe Julietën…, emrin e të cilëve kishte marrë edhe tragjedia më e famshme e botës…

E solla si shembull këtë “sajesë”, pasi më bën përshtypje fakti që shumë vetë sot, pavarësisht, se janë askushi, e theksoj ASKUSHI, e paraqesin veten si shpëtimtarët e botës, të letërsisë, të artit, të muzikës, të gazetarisë, të historisë, të Shqipërisë e shqiptarizmës…

Flasin e i thurrin ditirambe vetes aq sa mua, të paktën, më vjen pështirë. Kam besimin se u vjen të pështirë edhe shumë të tjerëve që mendojnë si unë, që e konceptojnë botën si unë.
Në këtë rast nuk është vetëm faji i këtyre “të psonisurve”, ose e thënë në shqip e trapëve.

Është edhe faji ynë që shpesh herë u kemi dhënë mikrofonin, faqet e gazetave, ekranet e televizorëve, apo edhe kronikat e lajmeve për të emetuar trapllëkun, megalomaninë, mediokritetin, pseudo-gjasme-gjysmeintelektualizmin, pseudo-gjasme-gjysmepatriotizmin, pseudo-gjasme-gjysmeshqiptarizmin…


Patrioti

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, përcaktohet se patriot është ai i cili me punën dhe veprën e tij ndihmon në mbarëvajtjen e kombit, në ruajtjen e pavarësisë e integritetit territorial, ai, i cili është i gatshëm që për atdheun të japë edhe jetën e tij e të familjes së tij…

Personalisht nuk kam ndonjë kundërshtim për këtë lloj shpjegimi, por gjithmonë ideja ose përcaktimi i të qenit dikujt patriot më është dukur demode. Pasi patriotët gjithmonë i kemi lidhur me gjakun, luftërat, betejat, me të lindurit e të palindurit ende, të vrarët apo të burgosurit, martirët e gjallë apo të vdekur.

Kam parë e njohur shumë “patriotë”! Nga ata që rrinë gjithë ditën kafeneve e klubeve, nën tymin e duhanit e avujt e alkoolit të hidhen në zjarr për Shqipërinë e shqiptarët. Të kritikojnë e të shajnë çdo mendim të kundërt me të tyrin (më saktë ata që i shprehin ato). Për ta të gjithë ata që kanë mendime të kundërta ose kritikojnë kombin e “personalitetet”, apo figurat historike, nuk janë gjë tjetër veçse tradhtarë, hibride, agjentë në shërbim të serbit apo të grekut. Dhe vazhdojnë me një trajtim folklorist të patriotizmit, dashurisë për atdheun dhe harrojnë se historia nuk është përrallë, por mbi të gjitha është shkencë është mendim kritik. Se historia shkruhet në shumë trajta në epoka e kohë të ndryshme. Rëndësi ka të mos jemi robër të njërit, apo të tjetrit këndvështrim historik, veçanërisht, kur ai kryhet nën prizmin e një ideologjie të caktuar…

Kam parë e njohur shumë “patriotë”! Nga ata që shesin çdo idiotësi që u vjen në mendje për flori safi. Që qëmtojnë fotografi andej- këtej e i paraqesin si shqiptare. Që qëmtojnë fotografi andej- këtej e i paraqesin si bashkëpunëtorë të armikut vetëm të tjerët, neve, jo, asnjëherë.
Kam parë e njohur shumë “patriotë”! Nga ata të pashkollët, pa, ose me diploma false që vetëdeklarohen historianë, vetëm se shohin pas çdo ngjarjeje histori konspirative të të tjerëve që na e kanë me të “futur”. Që e vënë veten në shërbim të një partie apo tjetrës, e cila vetëm sa i shfrytëzon për momentin. Që hiqen patriotë vetëm se shkruajnë pas çdo shkrimi në internet: “Shqipëria mbi të gjitha”!

Dhe botojnë me paratë që ua heqin fëmijëve libra për historinë e të tjerëve pa e njohur atë, që përkthejnë për historinë e vendeve të tjera artikuj të para 100 vjetësh jo me njohuritë e thella që kanë për atë gjuhë por me Google Translate. Sepse ata as shqipen nuk e flasin mirë, le më gjuhët e huaja.

Ka edhe një lloj tjetër patriotizmi, i cili është po aq i fortë, po aq shpresëdhënës e po aq aktual e i dobishëm, sa patriotizmi në nocionin leksikologjik e historik të fjalës. Është patriotizmi i sotëm, ai që ka të bëjë me tolerancën, dashurinë për njeriun, fqinjin, bashkëjetesën e integrimin. Patriotizëm është edhe përpjekja për të krijuar idenditetin tonë “kapërcyes”, tejkalimin nga varfëria ekonomike, por mbi të gjitha nga varfëria shpirtërore, që në shumë raste e shndërron atdheun në një magazinë mitesh të shoqëruara me revanshizëm e urrejtje.

Lexuesi le të gjejë veten se në cilën kategori patriotësh bën pjesë. Unë për vete bëj pjesë në kategorinë e dytë, në atë të patriotizmit bashkëkohor, tolerant e integrues dhe jo në atë lloj patriotizmi folklorik që përçojnë e trumbetojnë patriotët e kafeneve. Sepse, miqtë e mi, nuk bëj pjesë në atë kategori pseudoshqiptarësh, gjasme shqiptarësh, gjysmëshqiptarësh… Nuk bëj pjesë në atë kategori pseudodemokratësh, gjasmedemokratësh, gjysmëdemokratësh; pseudointelektualësh, gjasmeintelektualësh, gjysmëintelektualësh…

Sepse, fort i nderuar lexues, duhet ta dini mirë se të gjithë ata që flasin për patriotizmin e hidhen në “zjarr” kafeneve për kombin, zakonisht vetëleqendisen përpara eprorëve vendas e të huaj. Veshin kostume europiane, e, nga ana tjetër thërrasin “Dum Babën”, u ngrefosen vartësve e u përulen e u përshtirosen të huajve e eprorëve vendas.

Për fat të keq Shqipëria, si brenda kufijve ashtu edhe jashtë saj është e mbushur me të tillë patriotë. Që janë të përulur e kryelartë, arrogantë e puthadorë, pa ideale, mosmirënjohës, besnikë e tradhtarë njëkohësisht…

Demokratë me Bashën, Rilindës me Ramën, nacionalistë me…

Pederastë, po e kërkoi moda e të virgjër e shembuj të gjallë morali të përkryer më pas, narcistë e onanistë, që bëhen synet në xhami, e pagëzohen në kishë, myslimanë në Turqi, kristianë në Athinë e Romë, që i falen bythëpërpjetë Muhametit e i puthin dorën Papës…

Të gjithë këta të hidhen në grykë po qe se vë në dyshim patriotizmin e tyre!…

E, në rast, se patriotizmi është i një trajte të tillë, është vetëm glorifikimi i së kaluarës, historisë apo edhe emrave, më falni, por unë nuk jam patriot!
E, në rast, se patriotizmi është i një trajte të tillë, është vetëm gënjeshtra, mashtrimi, interesi politik, më falni, por unë nuk jam patriot!
Unë jam me ata patriotët e tjerë, të vërtetë…
Sepse patriotizmi ynë është më i vërtetë se i të tjerëve, është i ngritur në dy shtylla: dashurinë dhe kujtesën!…

Dhe jo në ideologjinë, apo idenë e të dukurit patriot!…

Share: