Home KRYESORE Melodi pasioni… Nga Edmira Xhaferi

Melodi pasioni… Nga Edmira Xhaferi

…Eja , dita ime. Më rrëmbe sot e tingujt e harresës shpërndaji nëpër botë. Le të shkrijnë me to personalitete të ngrira që copëza karakteresh të pavlera u përpoqën të formojnë. Eja të lodrojmë së bashku aty ku hapësira ka lindur vec për ne dhe ledhatimet nëpër trup e përkëdheljet nëpër flokë të na falin magjine e mohuar.

… Eja dita ime të luajmë së bashku nëpër harmoni tingujsh e puthje pasionante se gjithcka rreth nesh është tashmë më e ëndërrt e dielli sot po shkëlqen më bukur .

Eja , përqafomë fort e hirin e trishtimit t’ja dhurojmë yjeve e valet e detit t’i bëjmë pjesë të vallëzimit tonë. E mes puthjesh premtomë se jeta është më e bukur e dielli ka lindur vec për ne . Le të rrëmbejmë melodinë e jetës e të këndojmë bashkë me diellin që sot është më i qelqtë e fjalët po i derdh me ëmbël.

…Eja dita ime se tashmë jemi të lira e hapësira po na pret vec ne . Me forcën e dashurisë, tinguj lumturie e melodi pasioni të dhurojmë nëpër duar të zgjatura e pambarimisht të etura. E të mbushim pjesëza shpirti me aromë sinqeriteti e besnikërie dhe nëpër qiell të lutemi për mirësi. Eja…

EDMIRA XHAFERI
Tiranë, 24 janar 2022

Share: