Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov i cili tha se mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë.
Majko e ka cilësuar këtë një deklaratë të paprecedentë, ku ka publikuar edhe një lajm ku përcaktohen përkatësitë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën, pjesë e të cilëve nuk është as Shqipëria dhe as Kosova.
“Sergei Lavrov, Ministri i Jashtëm i Federatës Ruse ka bërë sot një deklarim të paprecedentë për “mercenarë” shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova të cilët po dërgohen në zonën e Donbasit në Ukrainë. Përpara se Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë të japë shpjegime (në se do ta bëjë)… Kanali Televiziv WION i Indisë ka bërë një kronikë të veçantë për “hartën” e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën”, shkruan Majko.
Kujtojmë se Sergey Lavrov e cilësoi Ballkanin Perëndimor terren për krimin, ku ka terroristë dhe trafikantë droge që sipas tij do të rekrutohen në zonën e rrezikut në Ukrainë.
“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen një terren për krimin. Ka terroristë dhe trafikantë droge. Është një terren rekrutimi për mercenarët që marrin pjesë në konflikte të cilat po nxiten gradualisht, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Ka informacione se mercenarët po rekrutohen në Kosovë, Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe po dërgohen në Donbass, për të nxjerrë jashtë ekuilibrit Rusinë. Ne po e rishikojmë këtë informacion tani”, tha ministri i Jashtëm rus, sipas Sputnik.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fpandeli.majko%2Fposts%2F495693055255178&show_text=true&width=500
Top Channel