Home KRYESORE Të katërta rrymat e mendimeve që – sipas meje – egzistojnë mbi...

Të katërta rrymat e mendimeve që – sipas meje – egzistojnë mbi Shën Valentinin, i pranoj.

Jam pro të gjithave e të gjithëve! Sot jam indulgjente dhe zemërgjerë si jozakonisht, sepse kemi festë.

Nga Jonida Salku

Jam shumë pro atyre që janë kundër Shën Valentinit, pasi mendojnë se dashuria nuk duhet të jetë vetëm një ditë. Mëse e drejtë. Dashuria dhe respekti për partnerin/en duhen kultivuar çdo ditë të jetës. Trëndafilat, surprizat, dhuratat, vëmendja, zemrat e kuqe e fjalët romantike mirëpriten edhe në ditë të tjera që nuk mbajnë datën 14 Shkurt. Pasioni dhe zjarri në një marrëdhënie është i rëndësishëm në çdo kohë të vitit. Shprehja e dashurisë, fjala “të dua”, janë universale, uniseks dhe të kurdohershme.

Ama, jam plotësisht dakort edhe me ata që besojnë tek Shën Valentini, e lartësojnë si festë dhe shpenzojnë nga shpirti dhe nga portofoli për ta jetuar si të tillë. Mendoj se, ashtu siç veçohet një datë e vitit për të festuar ditëlindjen, nisjen e një Viti të Ri, apo ditën e punëtorëve, ashtu le t’i dedikohet edhe një datë dashurisë, si për t’i motivuar e shtyrë pak njerëzit. Jam dakort me konceptin e festave në përgjithësi dhe jam përgëzuese karshi atyre që gjejnë sebepe për të festuar. Sigurisht, nuk do ta pranoja hipokrizinë e të festuarit të Shën Valentinit kur gjatë gjithë vitit je tradhëtuar, dhunuar, shtypur, përçmuar, gënjyer e zhgënjyer. Do të ishte fantastike sikur këto dy teoritë e para të shkonin bashkë krah për krah, siç shkojnë festuesit e Shën Valentinëve.

Megjithatë, kjo ideja e festës ka krijuar edhe “keqkuptime”. Ca e ca rrëmbehen nga ky mentaliteti i turmës që Shën Valentini duhet festuar dhe dalin e “gjuajnë” që ta kalojnë Shën Valentinin çift. Të nesërmen… beqar sërish. Edhe me këta jam dakort. Jeta duhet menduar edhe si kënaqësi e momentit dhe u lumtë atyre që qejfin e shohin ngushtësisht të lidhur me testosteronin dhe estrogjenin (nëse e kapët ku dua të dal…). Ne të tjerët që flasim e stërflasim për ta e kemi nga zilia, asgjë më tepër. Të paktën për Shën Valentin të mos tregojmë njeri me gisht, dreqi ta hajë!

Veçse, unë jam katërcipërisht dakort edhe me ata që Shën Valentinin e konsiderojnë një festë të dashurisë për veten. Personalisht dua ta klasifikoj këtë si rrymë mendimi rreth kësaj date, pasi i kam fort qejf ata që vishen e lyhen e dalin e i blejnë vetes ndonjë lule, dhuratë a një kafe të mirë, pikërisht për ta vlerësuar veten vetëm dhe për ta llastuar atë në datën e çifteve. Ah, sa dakort jam me këta! Po nuk deshi veten njeriu, a mund të dojë tjetër njeri? Hë, mos më thoni tani se besoni tek togfjalëshi “të dua më shumë se veten”, sepse, ashtu si absolutizmi, nuk egziston! Veten, njeri, veten! Përditë po e po, ama pse jo edhe në Shën Valentin.

Tani po e mbyll me një shprehje klishè, me të cilën jam akoma më pro se me teoritë e mësipërme: “bëni dashuri, jo luftë”. Hapeni zemrën dhe mendjen e mos u stepni nga gojët e këqija, shpirtrat e zinj. Dashuroni në maksimum, ishalla i infektoni dhe smirëzinjte rreth jush me dashuri, saaa të pëlcasin nga zemrat e kuqe. Hajde Gëzuar!♥

Share: