Në një shkrim të publikuar në Washington Post, Ambasadori i Kinës në SHBA ka thënë se qeveria e tij nuk dinte asgjë për planet e Rusisë dhe se do të ishte përpjekur t’i ndalonte nëse do të kishte dijeni për pushtimin në Ukrainë.
Pekini ka qenë nën presion të madh për lidhjet e tij me Rusinë teksa pretendohej se Rusia ka kërkuar ndihmë ushtarake dhe ekonomike prej Kinës dhe pikëpyetje mbi atë që Kina dinte për pushtimin para fillimit të agresionit rus në Ukrainë.
Udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, u takua me Vladimir Putin gjatë Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit ku ata nënshkruan një partneritet “të pakufishëm”. Jo shumë kohë më vonë, Rusia sulmoi Ukrainën.
Analistët dhe zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar se Kina mund ta ketë ditur se Putini po planifikonte diçka.
Në shkrimin e botuar sot, ambasadori Qin Gang thotë se qeveria kineze nuk e kishte idenë për luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Ka pasur pretendime se Kina kishte njohuri paraprake për veprimin ushtarak të Rusisë dhe i kërkoi Rusisë ta shtynte atë deri në përfundimin e Lojërave Olimpike Dimërore. Thashethemet e fundit pohuan më tej se Rusia po kërkonte ndihmë ushtarake nga Kina. Më lejoni ta them këtë me përgjegjësi: pohimet që Kina e dinte, e pranoi ose e mbështeti në heshtje këtë luftë janë thjesht dezinformata. Të gjitha këto pretendime i shërbejnë vetëm qëllimit të zhvendosjes së fajit dhe hedhjes së baltës ndaj Kinës. Në Ukrainë kishte më shumë se 6000 qytetarë kinezë. Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë dhe Ukrainës, dhe importuesi më i madh i naftës bruto dhe gazit natyror në botë. Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës nuk i bën mirë Kinës. Sikur Kina të dinte për krizën e afërt, ne do të kishim bërë maksimumin për ta parandaluar atë.”
Shkrimi i Qin-it kritikoi gjithashtu fushatën globale të sanksioneve, të cilën Kina në përgjithësi e kundërshton dhe tha se kërcënimi i përdorimit të tyre kundër kompanive kineze ishte “i papranueshëm”./Opinion.al